Zoran Milanoviq: Kroacia nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë, kjo as nuk do të diskutohet

07 janar 2026 | 14:00

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka komentuar në “Facebook” lidhur me vendimin e vendeve në Koalicionin e të Gatshmëve për të dërguar trupat e tyre në Ukrainë.

Milanoviq ka hedhur poshtë çdo mundësi që Kroacia të dërgojë ushtarët e saj në këtë vend.

“Siç e kam paralajmëruar shumë herë se do të ndodhte, disa vende të të ashtuquajturit Koalicion të të Gatshmëve kanë vendosur të dërgojnë ushtarët e tyre në Ukrainë. Dje, në Paris, u shpreh zyrtarisht qëllimi i Francës, Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera për të dërguar njësi ushtarake në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë. Për të hequr çdo dyshim në lidhje me rolin e Ushtrisë Kroate në të ashtuquajturin Koalicion të të Gatshmëve, si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Kroate, po u them qytetarëve kroatë – Kroacia nuk do të dërgojë ushtarët e saj në Ukrainë”, ka theksuar Milanoviq.

Ai ka thënë se kjo çështje as nuk do të diskutohet.

“Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe ka vetëm detyrime që rrjedhin nga anëtarësimi në këto aleanca, ndërsa vendimet e të ashtuquajturit koalicion të të gatëshmëve nuk e detyrojnë në asnjë mënyrë Kroacinë ose Forcat e Armatosura Kroate”, ka thënë ai.

Presidenti kroat ka komentuar gjithashtu mbi “rendin e ri global ku forca dhe e drejta e më të fortit bëhen rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Roli kryesor i FAK-ut është të mbrojë sovranitetin dhe pavarësinë dhe të mbrojë integritetin territorial të Republikës së Kroacisë. Prandaj, të gjitha investimet e mëparshme dhe të shpallura në FAK, përfshirë futjen e trajnimit bazë ushtarak, duhet të synojnë rritjen e gatishmërisë dhe aftësive të FAK-ut për të kryer këto detyra kushtetuese”, ka thënë Milanoviq.

Siç ka theksuar më tutje ai, paratë që Kroacia i dërgon Ukrainës nuk duhet të jenë në kurriz të ushtrisë së këtij vendi.

“Do të doja të theksoja se ndihma financiare për Ukrainën që Qeveria Kroate është zotuar të japë nuk duhet të jetë në dëm të Forcave të Armatosura Kroate, dhe për këtë arsye nuk duhet të zvogëlojë fondet e nevojshme për të pajisur Ushtrinë Kroate. Po kështu, një ndihmë e tillë nuk duhet të jetë në asnjë mënyrë në dëm të qytetarëve kroatë dhe standardit të tyre të jetesës. Detyra e të gjitha institucioneve qeveritare kroate është të kujdesen për interesat kombëtare kroate dhe interesat e qytetarëve tanë”, ka përfunduar Zoran Milanoviq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës…