ZRRE-ja reagon ndaj komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje

06 mars 2020 | 12:30

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka reaguar ndaj  komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje!, të publikuar dje, me 5 mars 2020, në lidhje me parashtrimin e padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër vendimit të ZRRE-së   për tarifat nxitëse për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE).

Sipas një  reagimi dërguar mediave, ZRRE thotë se e drejta për të apeluar i takon secilit qytetarë, por se ata kanë kritikuar fjalorin e shprehur në komunikatën e Vetëvendosjes, të cilin e kanë quajtur sulm ndaj institucionit të pavarur siç është ZRRE.

ZRRE iu ka bërë thirrje akterëve politik që të mos ndërhyjnë në pavarësinë funksionale të ZRRE-së të garantuar me ligj.

“E drejta për të apeluar vendimet e ZRRE në Gjykatë i takon secilit qytetar dhe këtë të drejt e ka shfrytëzuar edhe Z. Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje!. Por, fjalori i shprehur nga mllefi për shfuqizimin e masës së përkohshme nga Gjykata e Apelit, në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje!, është sulm ndaj institucionit të pavarur siç është ZRRE. ZRRE konsideron se fjalori fyes dhe denigrues ndaj një institucionit të pavarur, të themeluar nga Kuvendi i Republikës Kosovës, cenon integritetin dhe funksionimin e tij. Prandaj si i tillë është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për pavarësinë dhe funksionimin profesional të ZRRE”, thuhet në  reagimin e ZRRE-së , duke u shtuar se si institucioni i pavarur, përgjegjës për rregullimin e sektorit të energjisë në Kosovë, ZRRE, në përputhje me detyrimet e përcaktuara me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, zbaton Procedurën e Autorizimit për zhvillimin projekteve të BRE-ve, lëshon licencat dhe kushtet për funksionimin e këtyre projekteve dhe harton skema mbështetëse për të ndihmuar në financimin dhe zhvillimit e tyre.

“Rregulla për Skemën Mbështetëse përcakton parimet aktuale të mbështetjes së energjisë elektrike të prodhuar nga BRE-të, e cila përndryshe nuk do të ishin në gjendje që të konkurrojnë në tregun me shumicë. Gjatë shqyrtimit të projekteve të BRE-ve për pranim në Skemën Mbështetëse, ZRRE-ja i referohet cakut të detyrueshëm specifik të teknologjisë 2020 të përcaktuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Aktualisht, Tarifa nxitëse është e vetmja skemë mbështetëse në Kosovë që përdorë stimujt financiar për të arritur caqet për BRE, të përcaktuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare dhe mungesës së reagimit të shpejtë ndaj çmimeve në rënie të teknologjisë së BRE-së, efikasiteti i skemave mbështetëse aktuale do të rishqyrtohet. Në mënyrë që të vazhdohet tutje me një skemë të re mbështetëse për BRE-të, bazuar në kushtet konkuruese, Ministria për Zhvillim Ekonomik duhet të analizojnë të gjitha aspektet relevante në mënyrë që të përcaktojnë një rrugë të përshtatshme për të vazhduar tutje në një transformim gradual drejt mekanizmave mbështetës të tregut”, thuhet tutje në  reagim.

ZRRE i bënë thirrje akterëve politik që të mos ndërhyjë në pavarësinë funksionale të ZRRE të garantuar me ligj. Në të kundërtën ZRRE do të detyrohet të veprojë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj përmes rrugëve ligjore.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Clippersave fitoi me rezultat 120-105 ndaj Houstonit, një…