Zyrtare: Fushata zgjedhore nis më 17 dhjetor

21 nëntor 2025 | 15:54

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar të premten planin operacional për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas këtij plani, të cilin e ka paraqitur anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, fushata elektorale do të nisë më 17 dhjetor.

Po ashtu, Elshani ka bërë me dije se partitë politike kanë kohë që deri më 7 dhjetor t’i dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.

Më tutje, ai ka treguar se më 12 dhjetor do të nisë procesi i votimit të jashtë Kosovës.

“Partitë politike të regjistruara deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve në periudhën kohore prej 24 nëntorit deri më 30 nëntor. Periudha e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor. Ky proces është ndryshe nga proceset e tjera, pra është i ndarë në dy faza. Bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike ashtu siç e parasheh ligji. Pra janë dy afate të ndryshme. Dhe çështja e listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet prej datës 24 nëntor deri më 7 dhjetor. Pra, 7 dhjetori është data e fundit kur subjektet politike duhet ta dorëzojnë listën e kandidatëve në KQZ. Tërheqja e shortit bëhet më 8 dhjetor. KQZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore me datën 26 nëntor. Periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon prej datës 26 nëntor deri më 6 dhjetor. Periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor dhe përfundon më 6 dhjetor. Periudha e votimit përmes postës fillon më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor. Dhe fushata zgjedhore e cila është e rëndësishme edhe për subjektet politike, vëzhguesit dhe mediet, fillon më 17 dhjetor dhe përfundon më 28 dhjetor. Pra, është 12 ditë fushatë për subjektet politike. Ndërsa afati për aplikim të vëzhguesve fillon më 8 dhjetor dhe përfundon më 20 dhjetor”, ka thënë Elshani.

Krahas miratimit të planit operacional për zgjedhjet e 28 nëntorit, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe të balotazhit të mbajtur më 9 nëntor.

Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar të enjten vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pas takimit që ka pasur me liderët e partive. Ajo ka caktuar 28 dhjetorin datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë “të japë afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që t’i eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve”. Ajo e cilësoi “fat të keq” që vendi po mban sërish zgjedhje parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se çfarë moti…