Zyrtari i LV-së: Votuesi i LDK-së duhet ta kuptojë se Isa nuk është Vjosa dhe Luta s’ka lidhje me Rugovën

09 janar 2020 | 14:57

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, ka thënë se shumë votues të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk e kuptojnë se deri tani Vetëvendosje ka qenë forca e rezistencës për sovranitet.

“Sot vijojnë takimet LV-LDK dhe shumë votues të LDK-së ende nuk e kuptojnë se deri tani Lëvizja Vetëvendosje! ka qenë forca e rezistencës për sovranitet. Ndërkohë, LDK-ja, në marrëdhënie me Thaçin e ka bërë këtë president. Nëse këtë akt, që nuk mund të quhet kurrsesi emancipim i shoqërisë, LDK-ja mund ta zhbëjë disi, këto ditë e ka rastin”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.

Po ashtu, ai ka thënë se votuesit e LDK-së duhet ta kuptojnë se Isa Mustafa nuk është Vjosa Osmani, Lutfi Haziri nuk ka lidhje me Ibrahim Rugovën dhe Agim Veliu nuk i ngjan aspak Fehmi Aganit.

Postimi i plotë i Hoxhës:

Emancipimi i votuesit në Kosovë po ndodh. Natyrisht që nuk mund të ndodh kurrsesi ai i inkriminuesve të institucioneve dhe as ai i mercenarëve mediatikë që u shërbejnë. Me hyrjen në politikë të LV-së, shoqëria e Kosovës u gjend para betejës me ndërgjegjen e vet. Dhe si zakonisht, përkundër Republikës se Shqipërisë, Kosova mori pjesë në ndërgjegjësimin e saj shumë më shpejt.

A mund të përparonim më shpejt? Po! Nëse do të kishim patur parti politike me qëndrim ideologjik, me programe politikë, natyrisht që sot nuk do të vonoheshim kaq shumë. Nëse do të kishim patur votues që e shohin partinë politike si alternativë socio-politike e jo si ndërmarrje punësimi, sot nuk do të ishim populli i eskodit, por shoqëria që prodhon vazhdimisht sovranitet.

Sot vijojnë takimet LV-LDK dhe shumë votues të LDK-së ende nuk e kuptojnë se deri tani Lëvizja Vetëvendosje! ka qenë forca e rezistencës për sovranitet. Ndërkohë, LDK-ja, në marrëdhënie me Thaçin e ka bërë këtë president. Nëse këtë akt, që nuk mund të quhet kurrsesi emancipim i shoqërisë, LDK-ja mund ta zhbëjë disi, këto ditë e ka rastin.

Përsa më takon, vijoj të mendoj se për shoqërinë e Kosovës janë më mirë sërish zgjedhjet. Aty, një pjesë e votuesve të LDK-së do të çlirohet prej shefave që vetëm e kanë ulur vlerën e partisë dhe sigurinë e Kosovës.

Lulëzimi i Kosovës në këtë fazë varet prej emancipimit të votuesit të LDK-së. Votuesi i LDK-së duhet të kuptojë se Isa nuk është Vjosa, se Luta nuk ka lidhje me Rugovën, se Agim Veliu nuk i ngjan aspak Fehmi Aganit.

Se me këta emra po shkojnë drejt asgjësimit të ndonjë të vërtete historike pas së cilës mbahen. E kur të zgjohen nga gjumi do të zbulojnë të vërtetën e hidhur se nuk janë partia më e madhe që prej dy vitesh. E kur të zgjohen nga gjumi, do ta kuptojnë se me kreun e tyre politik kanë përdorur të bijën e Rugovës për me sjell Thaçin president.

Për mua që jam për zgjedhje të reja, pra për emancipimin e votuesit, zbehja e mëtejshme e LDK-së është shumë e vlefshme në vazhdim. Por, nëse mendoj që edhe qeverisja LV-LDK do të kishte epërsinë e një përparimi në kuptimin ekzekutiv, do të ishte mirë qe presioni i kryesisë të vendosej nga ana e koalicionit me fuqinë e rezistencës dhe jo reaksionit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Max Verstappen ka rinovuar kontratën me makinën Red Bull deri…