Çështja e personave të zhdukur të trajtohet me prioritet të veçantë

25 Janar 19:02

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj,  i emëruar mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, të enjten ka takuar familjarët e personave të zhdukur nga komuna e Podujevës, në një  takim të  organizuar nga shoqata ‘Përkorë’.

Në fillim të takimit familjarët e pranishëm janë njoftuar nga Lluka se çështja e personave të zhdukur do të trajtohet me prioritet të veçantë nga Qeveria e Kosovës.

Lluka ka  folur edhe për nismën e të gjithë aktorëve të angazhuar në këtë proces, në përgatitjen e Planit të përbashkët të veprimit, po ashtu përfshirjen e plotësim-ndryshimit të Ligjit për persona të zhdukur në “Agjendën e koncept dokumenteve për vitin 2018”.

Po ashtu, Lluka ka folur edhe për përkrahjen e Qeverisë dhënë për familjarët e personave të zhdukur si në “Projektin për rehabilitim’ përmes ndarjes së 30 000 euro, apo edhe në ndarjen e 3 500 euro, për disa nga rastet specifike të familjeve të personave të zhdukur.

Mbajtësi i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, duke theksuar faktin se për familjarët çështje prioritare është të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ai ka thënë se Serbia duhet të ndërpresë lojërat në çështjen e personave të zhdukur dhe të hap arkivat. “Serbia duhet të ndërpresë lojërat në çështjen e personave të zhdukur dhe të hap arkivat e të jetë më bashkëpunuese, meqë dihet që Serbia asnjë veprim gjatë luftës nuk e ka bërë pa plan dhe koncept”, ka thënë Lluka.

Ndërsa kryetari i shoqatës “Përkorë”, Latif Mehmeti dhe familjarët e pranishëm, kanë parashtruar një sërë pyetjesh dhe kanë ngritur shqetësimet rreth vonesave të identifikimit të mbetjeve mortore në Morgun në Prishtinë, pastaj për të drejtat dhe beneficionet e familjarëve që duhet të trajtohen me ligj, si dhe kërkesat për një përkrahje më të madhe institucionale. Në pyetjet e familjarëve dhe çështjet e ngritura nga familjarët, gjatë takimit u përgjigjën Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, përfaqësuesi i Mjekësisë Ligjore në këtë komision, Naim Uka, përfaqësuesi i Shoqatave Familjare në Komision, Bajram Qerkinaj, dhe udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të punimeve në…