Hoti: Deklarata e përbashkët për demarkacionin, e konfirmon marrëveshjen e vitit 2015

16 shkurt 2018 | 16:00

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas arritjes së aneks marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Hoti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë nënshkruar marrëveshje për të korrigjuar kufij, por, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, e kanë konfirmuar marrëveshjen e vitit 2015, e cila kërkohet të ratifikohet ashtu si është nënshkruar dhe ashtu si e ka ratifikuar Mali i Zi.

Postimi i plotë i Avdullah Hotit:

Lidhja Demokratike e Kosovës dëshiron edhe një herë të sqarojë se Deklarata e nënshkruar ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij Malit të Zi po keqinterpretohet me qëllim dhe po keqpërdoret nga kryeministri Haradinaj.

Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë nënshkruar marrëveshje për të korrigjuar kufij, por, nëpërmjet një Deklarate të përbashkët, e kanë konfirmuar Marrëveshjen e vitit 2015, e cila kërkohet të ratifikohet ashtu si është nënshkruar dhe ashtu si e ka ratifikuar Mali i Zi.

Po ashtu, Deklarata e dy presidenteve, siç e thekson edhe vetë Presidenti i Kosovës, nuk ka karakter legal, është vetëm një akt i vullnetit të mirë, prandaj nuk përbën obligim. Me të nuk është vendosur asgjë e re, prandaj pretendimi i Hardinajt është i pavërtetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës sqaron se baza për korrigjimin e gabimeve eventuale mbetet Marrëveshja e vitit 2015.

Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron kryeministrin Haradinaj si një nga përgjegjësit kryesorë që vendi ynë është izoluar gjatë tri viteve të fundit, si përgjegjësin kryesor që imazhi i Kosovës është rrënuar dhe që vendi është kthyer në pronë të liderëve politikë.

Duke e dikur këto, ai po përpiqet të krijojnë opinion të pavërtetë dhe po vazhdon t’i mashtrojë qytetarët e Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se…