KDI-ja: Qytetarët kërkojnë konsensus politik rreth dialogut

26 mars 2018 | 14:28

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar të hënën një tryezë në Ferizaj me temën “Dialogu Kosovë-Serbi: këndvështrimi i qytetarëve të rajonit të Ferizajt”.

Me këtë rast, Jeta Krasniqi nga KDI-ja, ka theksuar se qëllimi i kësaj organizate është rritja e transparencës së procesit të dialogut.

Ndërsa deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë se dialogu ka qenë një proces jotransparent, jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, Qeveria në vazhdimësi e ka shpërfillur Kuvendin dhe ka shmangur diskutimet e brendshme rreth procesit të dialogut.

Në anën tjetër, Medain Hashani nga PDK-ja, ka thënë se në fazën e ardhshme të dialogut do të kërkojnë që të diskutohen temat e përballjes me të kaluarën, dëmet e luftës.

Po ashtu Hashani ka thënë se do të kërkojnë nga BE-ja që ta detyrojnë Serbinë t’i paguajë dëmet e luftës. Ai ka theksuar se PDK-ja është kundër ideve për ndarje, shkëmbim territoresh apo autonomi të serbëve në Kosovë.

Më tutje, qytetarët e rajonit të Ferizajt janë shprehur të pakënaqur me mungesën e transparencës dhe të indinjuar me sjelljet e partive politike dhe lidershipit politik karshi dialogut. Ata kanë kërkuar që të ketë konsensus të skenës politike në mënyrë që të shkohet në dialog të bashkuar dhe të përgatitur.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fëmija i tretë i yllit të Real Madrid ka ardhur…