Kosova e vitit 2018: unitet qytetar për siguri e zhvillim

03 janar 13:21

Shkruan: Burim Ramadani

Është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë nacionale arritja e hapave konkretë në raport me NATO-n, duke e bërë Kosovën kështu të gatshme për avancimin e procedurave për anëtarësim të plotë në NATO. Dhe, të gjitha këto, si të veçanta apo si të përbashkëta, kanë një rrugë për t’u ndjekur: koordinimin e plotë me ShBA-në

Viti 2018 do të jetë sfidues. I përcjellë me shumë ngjarje, me pengesa dhe me zhvillime. Asnjëra prej tyre nuk do të mund të shihen si krejtësisht të izoluara. Mbi të gjitha, viti 2018 do të kërkojë unitet qytetar për qëndrueshmëri të shtetit të Kosovës përballë sfidave. Ky unitet nuk do të mund të krijohet nëse elita politike dhe shoqërore synon dhe sillet sipas qasjeve selektive dhe grupore. Qasja duhet të jetë e përbashkët, sepse vështirësitë janë të përbashkëta.

Sidoqoftë, janë të paktën dy dimensione të domosdoshme për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës në periudhën e ardhshme:
Së pari, duhet të krijohet stabilitet institucional dhe kjo përfshin domosdoshmërisht edhe përpjekjet maksimale për ndërtimin e konsensusit të gjerë apo gjithëpërfshirës për çështjet e interesit nacional.
Së dyti, duhet të fokusohet në secilin detaj të agjendës reformuese, qoftë të politikave, qoftë të aspektit organizativ e struktoror të institucioneve publike.

Siguria e brishtë

Kosova në vitin 2018 duhet të interesohet vazhdimisht për përforcimin e sigurisë publike dhe garantimin e sigurisë nacionale. Qytetarët dhe shteti i Kosovës kanë nevojë për rritje të sigurisë qoftë në raport me krimet ordinere dhe vandalizmin, qoftë në raport me kërcënimet e sigurisë kombëtare.

Patjetër se arritja më e madhe e vitit 2018 do të ishte themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), përmes një procesi kushtetues dhe maksimalisht gjithëpërfshirës. Të kuptohemi qartë, procesi është kushtetues edhe në rastin kur transformimi i FSK-së bëhet përmes ndryshimeve të nevojshme ligjore. Megjithatë, varianti më i mirë për këtë mbeten ndryshimet kushtetuese.

Por, kjo nuk është e tëra. Trupat e Forcës së Kosovës duhet të marrin pjesë në misione paqeruajtëse jashtë Kosovës, duke u bërë kështu kontribuuese direkte në paqen dhe sigurinë globale. Profesionalizimi i pjesëtarëve të FSK-së së tashme në dy fusha (deminim dhe kërkim-shpëtim) është në nivel të lartë dhe prijës nëpër botë. Prandaj, edhe kontributi që mund të jepet nëpër zona të ndryshme post-konfliktuoze është kontribut i madh dhe i pazëvendësueshëm.

Në aspektin e brendshëm, Kosova duhet të forcojë edhe më tutje mekanizmat e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit. Policia e Kosovës duhet të profesionalizohet në fusha të ndryshme, kryesisht në aspektin e ndjekjes së krimit dhe vendosmërisë për të ofruar siguri për qytetarët.

A mund të sfidohet siguria në vitin 2018? Ekziston një përshtypje se viti 2018 do të mund të jetë i brishtë dhe me shumë vështirësi për të mbajtur rendin dhe sigurinë e përgjithshme. Kjo kryesisht për shkak të vazhdimit të ndarjeve politike të brendshme, por po ashtu edhe për shkak të ‘temave të mëdha’ që pritet të fillojnë apo të marrin epilog gjatë këtij viti.
Këtu, domosdoshmërisht, aspekti më i rëndësishëm është qartësia e secilit prej nesh për kontributin qytetar që mund të japim. Sikurse në teoritë më të rënda të konspiracionit, një devijim i nxitur nuk mund të realizohet pa marrë pjesë të gjitha hallkat e nevojshme për atë qëllim. Prandaj, mosrënia në grackën e nxitjeve të çuditshme është detyra themelore e institucioneve në rend të parë, pastaj edhe e qytetarëve.

Sa për sherr, ky vit është edhe viti i fillimit të pritshëm të funksionimit të asaj që njihet si “Gjykata Speciale”. Kjo Gjykatë pritet të trajtojë raste të ndjeshme të dyshimeve për krime lufte dhe krime të llojeve tjera, porse qartësisht është selektive dhe mono-etnike. Pra, targeton vetëm shqiptarët. Prandaj, është edhe një faktor tjetër që mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në stabilitetin e Kosovës.

Në aspektin e sigurisë publike, kërkesat kryesore të qytetarëve dhe të strukturave komunale duket që mund të përmblidhen në tri elemente kryesore: siguria në komunikacion; qentë endacakë; drogat dhe dhuna në shkolla.

Për të tri këto probleme të vazhdueshme të sigurisë duhet pasur pikënisje direkte dhe komunitare. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që qasja e luftimit ndaj drogave në shkolla, që ka filluar që nga mesi i shtatorit 2017, të përcillet edhe në fushat tjera. Kjo do t’i jepte fuqi përpjekjeve dhe nuk do t’i linte ato të izoluara.

Prioritetet: Arsim, shëndetësi, vende të reja pune

Qytetarët e Kosovës duket që vazhdojnë kërkesat themelore për jetën e përditshme.
Arsimimi më i mirë është një prej detyrave konkrete dhe të pandashme për përmirësimin e jetës. Jo vetëm rezultati i mëhershëm i PISA-s, por edhe përmirësimi i kapaciteteve institucionale arsimore, përmbajtjes, mundësive dhe perspektivës është një domosdoshmëri e trajtimit serioz gjithëpërfshirës. Ndërtimi i shkollave, si një prej obligimeve të vazhdueshme, duhet të përcillet me staf adekuat të mësimdhënësve dhe mjete konkretizimi të mjaftueshme. Kjo do të mund të nxirret në praktikë mësimnxënien dhe kështu të konkretizohej secila njësi mësimore dhe secili kënd i arsimimit.

Ekonomia, zhvillimi dhe vendet e reja të punës janë një fushë e përbashkët në të cilën synimi i gjithëmbarshëm duhet të jetë krejtësisht i fokusuar. Kontrata për ndërtimin e kapacitete të prodhimit të energjisë elektrike, “Kosovës së Re”, është një prej lajmeve më të mira që ka marrë ekonomia kosovare për gati dy dekada. Diçka e tillë, serioze dhe e përgjegjshme duhet të përfshijë edhe fushat e tjera, kryesisht ato që lidhen me burimet natyrore të pasura të Kosovës. Kjo, sigurisht, vendos bazën e pakontestueshme të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.

Sistemi shëndetësor i Kosovës duhet të jetë fokusi tjetër institucional, në të cilin për kohë të gjatë është vepruar në qasje ad hoc dhe pa zgjidhje të qëndrueshme. Ofrimi i shërbimeve profesionale shëndetësore është jo vetëm humanitare në parim, por është fitimprurëse në aspektin e qarkullimit të parasë së Kosovës. Janë me miliona euro në vit që qytetarët e Kosovës shpenzojnë nëpër spitalet e Maqedonisë dhe Shqipërisë, pa përmendur këto rastet kur trajtimet shëndetësore kryhen në vendet e Bashkimit Evropian.

Ta kemi të qartë, është liri e secilit qytetar të zgjedh vet se ku dëshiron të trajtohet në aspektin shëndetësor, por këtu nuk po flasim për liri zgjedhjeje. Këtu po flasim për mungesë shërbimi po thuajse elementar brenda vendit.
Jo vetëm këto tri fusha të rëndësishme, por edhe hapat drejt integrimeve euroatlantike janë të domosdoshme për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. As sot, sikurse as dje, Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos përkushtimit të thellë në agjendën integruese.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë nacionale arritja e hapave konkretë në raport me NATO-n, duke e bërë Kosovën kështu të gatshme për avancimin e procedurave për anëtarësim të plotë në NATO. Dhe, të gjitha këto, si të veçanta apo si të përbashkëta, kanë një rrugë për t’u ndjekur: koordinimin e plotë me ShBA-në.

ENKAS PËR NUMRIN FESTIV TË GAZETËS “EPOKA E RE”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Sipas përllogaritjeve, bazuar në të dhënat e “INSTAT” për prodhimin…