Krasniqi promovon librin “Arti i bisedimeve”

29 mars 2018 | 17:09

Në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës është promovuar të enjten libri i Jakup Krasniqit me titullin “Arti i bisedimeve”. Ky është libri i trembëdhjetë që mban autorësinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë libër flitet për bisedimet e Kosovës me Serbinë dhe preken katër temat kryesore: demarkacioni, asociacioni i komunave serbe, liberalizimi i vizave dhe Gjykata Speciale

Ish-kryetari Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka promovuar të enjten librin më të ri me titull “Arti i bisedimeve”, në të cilin ka përmbledhur bisedimet që ka zhvilluar Kosova para dhe pas luftës. Në këtë libër Krasniqi ka paraqitur qëndrimet e veta për marrëveshjet e Brukselit, për demarkacionin dhe Gjykatën Speciale.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Krasniqi ka thënë se për këtë gjykatë ka reaguar për shkak të dëmeve politike që, sipas tij, më shumë po i bëhen të ardhmes së Kosovës sesa të së kaluarës.

“Është keq pas atyre bisedimeve të vështira që Kosova ka fituar shumë, në bisedimet e mëvonshme që kanë qenë shumë më të lehta realisht Kosova ka humbjet e veta. E kam fjalën për bisedimet që janë zhvilluar para se të miratohej Gjykata Speciale. E kam thënë dhe po e përsëris këtu, se me qëllim nuk kam reaguar për fatet personale të njerëzve, se edhe ato janë të dhimbshme. Reagimet kanë qenë për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes sesa të shkuarës. Ky ka qenë reagimi se pse kam reaguar e jo pse dikush padrejtësisht do të nëpërkëmbej siç zakonisht bëhet nga sistemi i drejtësisë tek ne gjatë gjithë këtyre viteve. Më shumë ka pasur linçime publike sesa dënime të arsyeshme. Ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk është problem nëse me Gjykatën Speciale del e vërteta në shesh por, sipas tij, kur kjo gjykatë bëhet për eliminime politike, atëherë është padrejtësi e madhe.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Hydajet Hyseni, ka thënë se libri “Arti i bisedimeve” është i veçantë në aspektin historik dhe politik.

“Jakup Krasniqi është një nga të paktët që edhe e bën historinë edhe e dëshmon të kaluarën, por edhe e lëvron, e analizon, e vlerëson, e shkruan dhe e afirmon të përpunuar e të kthjelluar gjithnjë në funksion të sfidave aktuale dhe kërkesave të kohës, të së ardhmes dhe kjo nuk është pa shkas. Historia është mësuese e jetës, por është mësuese vetëm për ata që i qasen si nxënës të saj të mirë. Në rininë e tij Jakupi, veprimtari kryengritës i Lëvizjes Çlirimtare, student i historisë dhe më vonë arsimtar historie, kishte në fokus historinë kombëtare, veçanërisht periudhën e rilindjes sonë frymëzuese. Andaj më shumë dhe jo rastësisht i përkushtohet historisë sonë më të re. E kaluara jonë historike është plot shembuj që dëshmojnë fenomenin e dhimbshëm e të përsëritshëm, në luftë fitimtar e faqebardhë, pastaj dështim e humbje pas saj”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa aktorja Safete Rugova ka lexuar parathënien e shkruar nga veprimtari i çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti, i cili kishte shkruar se libri “Arti i bisedimeve” është një interpretim ndryshe dhe mjaft kritik i zhvillimeve që rezultuan nga bisedimet e Kosovës me Serbinë në Bruksel. “Jemi në kohë paqeje dhe zgjidhja e problemeve duhet të bëhet përmes dialogut dhe negociatave. Në këtë kontekst dr. Jakup Krasniqi këmbëngul që për to duhet të përgatitemi mirë dhe çdo çështje të shqyrtohet paraprakisht me seriozitetin më të madh. Në fazën e analizave të tilla një rol të veçantë kanë intelektualët e Kosovës. Për këtë arsye ai shtron si domosdoshmëri mobilizimin e tyre, sidomos të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve që ta japin kontributin për përpilimin e strategjisë diplomatike aktive. Në të kundërtën, do të ballafaqohemi me paaftësi për të negociuar dhe do t’u kthehemi vazhdimisht temave që ishin në tavolinë bisedimesh. Fatkeqësisht, shembujt që sjell autori dëshmojnë për dëmet e mëdha që na ka shkaktuar diplomacia retroaktive dhe arti i keq bisedimeve”, është thënë në parathënien e librit të shkuar nga Mahmuti.

Më tutje, autori i recensionit të librit “Arti i bisedimeve”, Elvi Sidheri, ka thënë se ky libër është “sui generis”. “Është një libër ‘sui generis’ ashtu siç atdheu i autorit, Kosova që përbën rastin më të veçantë të pavarësimit të një shteti në botë. Libri i një autori në vetvete ‘sui generis’ me një përmbajtje po të tillë e që këtu nis kërshëria për ta lexuar këtë libër me një frymë. Një libër i ndarë në tri tematika kryeneçe, marrëveshjet e Brukselit, demarkacioni dhe liberalizimi i vizave dhe i Gjykatës Speciale. Në ndërkohë brendapërbrenda këtyre krye temave ende kaq aktuale në Kosovën e vitit 2018 autori ka ditur si përherë të shpërfaqë një larmi të pakufishme nëntemash, thellimesh, shtjellimesh lidhur me realitetin shqiptar të sotëm dhe të kaluar”, ka thënë Sidheri.

Libri “Arti i bisedimeve” i autorit Jakup Krasniqi përbëhet nga tre kapituj, ku i pari i referohet marrëveshjeve të Brukselit, i dyti demarkacionit dhe liberalizimit të vizave dhe i treti Gjykatës Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar lidhur…