>

Kur Lolita e partisë Sex and City e bën listën kush është tradhtar i kombit

27 shkurt 10:27

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Lehtësi e padurueshme e të quajturit tradhtar: Ratifikimi i marrëveshjes për shënim të kufirit me Malin e Zi ka hyrë në fund të rrugës pas një ngërçi thuajse trevjeçar. Një proces i filluar mbrapshtë, prapa shpinës të qytetarëve të Kosovës dhe me tre kalorës të Apokalipsit; Hashim Thaçin, ish-kryeministër e tash i njohur me nofkën president i Kosovës, Skender Hyseni, ish-ministër për Punë të Brendshme që e nënshkroi marrëveshjen pa u pyetur fare dhe pa të drejtë kundërshtimi dhe një mashtruese ordinere dhe djerrakohëse që së fundi u dekorua nga presidenti post-historik, shef i saj. Se për çka u dekorua nuk e kam të qartë sepse ajo e kishte për qëllim mbushjen e llogarisë dhe shëtitjet e përjavshme në kanaxheqet e Brukselit. Një vend që e ka për qëllim të njihet si shtet duhet t’i ketë kufijtë e përcaktuar ndërkombëtarisht dhe as Kosova në këtë drejtim nuk bën përjashtim. Mendoj se askush nuk do ta kundërshtonte demarkimin e kufirit me Malin e Zi po të ishte një proces transparent e jo një mashtrim i qytetarëve që ia bënë ata që kishin për detyrim të jenë transparentë.

Po kështu, edhe ndërkombëtarët që na teshin të pasmet me kërkesë për transparencë, në rastin e Kosovës, jo që u rreshtuan prapa kalorësve të Apokalipsit por, për dallim të shteteve të tjera të rajonit e që, sikur Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi, e kishin një të kaluar kriminale, nuk kërkuan fare transparencë, por e futën ratifikimin e demarkacionit si kusht për liberalizim të vizave e që lirisht mund të konsiderohet si demokraci patologjike apo, me fjalë më të buta, dhunim të demokracisë. Mali i Zi shpejt e shpejt e votoi ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit dhe në këtë mënyrë e mbylli çështjen me Kosovën ndonëse, në praktikat ndërkombëtare, një marrëveshje e tillë nuk mund të konsiderohet si e përfunduar nëse nuk votohet nga të dyja palët nënshkruese.

Pastaj, Mali i Zi u bë anëtar i paktit NATO, kurse ne, më të lodhëtit e Ballkanit dhe të Evropës, vazhduam t’i bëjmë karshillëk Malit të Zi dhe NATO-s. Fjalët i kemi të mëdha, punët më të vogla se pleshti. Duke i dëgjuar partitë që e kundërshtonin këtë marrëveshje e që thirreshin në sakrificë në mbrojtje të kufirit, jo te vendi ku duhet të mbrohej, por në kafeteritë e kryeqytetit dhe sex-angazhimet partiake, si flijim për sakrificë sublime deri në makiaton apo esspresson e fundit, atëherë edhe kështu siç po përfundon, mirë po përfundon! Pa fije turpi dhe përgjegjësie, manipuluan me qytetarë për interesa personale, partiake, materiale dhe ekzistenciale, politike dhe fizike. Komisioni qeveritar i Murat Mehës doli me një raport që na qetë më mirë se para fillimit të procesit të bisedimeve për demarkacion. U sulmua nga opozita dhe një pjesë të deputetëve të pozitës që përbëhej nga PDK-ja dhe LDK-ja. Isa Mustafa nuk pati guxim ta dërgonte marrëveshjen për ratifikim në Kuvend, sepse judejtë brenda LDK-së do ta rrëzonin këtë marrëveshje. PDK-ja ka pasur dhe ka deputetë që kanë dëshirë t’i ekspozojnë koçet që nuk i kanë, por edhe këtë e bëjnë me lejen e liderit apo të shefit. Kur vjen me e rreh pyka – pykën e votojnë, duke kënduar këngë patriotike. Mungesa e guximit për ta dërguar marrëveshjen për votim në Kuvend i kushtoi Isës me shkarkim. Madje, Isa bëri gabim sepse, edhe në çastet kur e pa se “iku për lesh”, nuk dha dorëheqje, por e shkarkuan Danushi me Sllobën.

LDK-ja u hatërua shumë dhe kundër të gjitha parimeve demokratike i doli në mbrojtje Isës, jo se e dashuronin shumë kryetarin, por se mbronin interesat e veta. Pas shkarkimit të Isës, pas zgjedhjeve të parakohshme, u krijua një situatë tjetër dhe disa koalicione të tjera të cilat më parë jo se nuk pajtoheshin për asgjë, por ishin në raporte krejtësisht armiqësore.

Koalicionin PDK-AAK dhe Nisma për Kosovën, në rrethana gjysmënormale, ndërkombëtarët nuk do ta linin bashkë as për syneti e lëre më ta marrin mandatin për qeverisje. Proceset nëpër të cilat po kalonte dhe pritej të kalojë Kosova ishin përcaktuese për formulën e koalicionit qeverisës, kurse LV-ja, pavarësisht prej përpjekjeve për zbutje në raport me ndërkombëtarët, duke u bërë parti thuaja rugoviane, e kollarisur sikur adoleshentët e Versaçes, nuk arriti t’i bindë se duhet të qeverisin, përveç rrymave të Nikolla Maduros dhe Raul Kastros, në Bundestagun gjerman. Në politikën ballkanase, para dijes e cila nuk është përcaktuese aspak për marrje dhe mbajtje të pushtetit, koçemëdhenjtë dhe përdoruesit e shkopit të bejsbollit apo stupcit, bëhen partnerë të ndërkombëtarëve. Proceset nëpër të cilat po kalon dhe do të kalojë Kosova nuk durojnë oportunistë dhe pllazmakeksa politikë, por pranojnë vetëm mujsharë që, “për interes të shtetit dhe të pushtetit, të shkokërdhojnë me dru”.

Këta të LDK-së këtë nuk mund ta bëjnë, jo pse nuk duan, por se janë frikacakë, sidomos në marrje të vendimeve. Ata duan që të tjerët të sakrifikohen, kurse këta ta marrin pushtetin në saje të sakrificave të tjerëve, duke luajtur gjithmonë rolin e viktimës. Të viktimizuar gjithmonë, por nuk e di për çka. Merreni me mend po ta kishte hequr Isa Mustafa flamurin kombëtar nga Sheshi i hajdutëve të Sex and City, çka do të bëhej?! Do ta rripnin për së gjalli, pa anestezion fare! Natyrisht se Isa nuk do ta bënte këtë kurrë, në mungesë të guximit, pa dyshim. Ramushi e hoqi, askush nuk kundërshtoi përpos një të plagosuri në protestat paqësore kur u ekzekutuan Arbeni dhe Moni, Nerjovës të cilin e kap dajaku edhe nëse intervenon policia në Senegal. Këta të bashkimit kombëtar nuk u dukën asgjëkund sepse po merren me bashkimin kombëtar si e drejtë që duhet të realizohet gjithsesi, por jo pa pëlqimin e Bashkimit Evropian.

Me ndërrimin e kohëve, po ndryshojnë edhe qëndrimet. Pasi e realizuan bashkimin kombëtar, tash po merren me mbrojtjen e 8200 ha që ua paskan shitur Murat Meha (Merlin Monro) dhe “lideri karizmatik” i Malit të Zi, me anën e Maestro Bulliqit, çun i Agim Veliut, imperatorit të Podujevës dhe “renegat” i Isa Mustafës, i ndihmuar nga Josip Broz Tito.

Në seancën e fundit ishte një përplasje e madhe midis Ramushit dhe krejt LDK-së dhe në këtë përplasje Ramushi kishte plotësisht të drejtë. Nuk kërkoi asgjë që nuk i takonte. LDK-ja, si trashëgimtare e partisë së masave popullore, e dalë nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Jugosllavisë, në mënyrë tipike e shantazhoi votën për demarkacion me përjashtimin e komisionit qeveritar që udhëhiqej nga Bulliqi, kurse kërkoi që raporti i qeverisë së Isa Mustafës të jetë përcaktues. Dihet mirë se raporti Meha e prodhoi marrëveshjen e Brukselit, kurse raporti Bulliqi marrëveshjen Thaçi – Vujanoviq. Ramushi nuk e kundërshtoi propozimin të votohet si pako ku do të futeshin të gjitha në një thes, mirëpo LDK-ja e përdori shantazhin si mjet për qëllime politike. I vetmi nga LDK-ja që u mbajti mësim të gjithëve se si duhet të fitohet përmes një diskutimi jashtëzakonisht intelektual, të matur, të pakundërshtueshëm dhe përmbajtjesor, ishte diskutimi i Kujtim Shalës. Bravo, bravo, bravo! Nga ana ime. Tash u arrit një marrëveshje pasi lëshoi rrugë ai nga i cili nuk pritej se do ta bënte këtë, Ramush Haradinaj. Dhe mirë bëri, ndonëse e fyen rëndë, në rastin konkret, pa arsye. Realisht, në këtë luftë me fjalë, Ramushi doli fitues absolut sepse e imponoi raportin Bulliqi si material orientues pas të cilit duhet të shkojnë të tjerët.

LDK-ja bëri shumë gabim që nuk pranoi të futen të gjitha materialet në një thes por, me një veprim të pamençur dhe shantazhues, e faktorizoi raportin e Bulliqit, ndonëse është diametralisht i kundërt me raportin Meha. Nuk është aspak me rëndësi a quhet raporti Bulliqi orientues apo me një emërtim tjetër sa është me rëndësi që po trajtohet si raport.

Në rrethana normale, në asnjë kontekst nuk do të kishte mundësi të votohen dy raporte që e përjashtojnë njëri-tjetrin. Te ne del të jetë e mundshme. Në rastin në fjalë nuk u gjunjëzua Ramushi, por LDK-ja, ndërsa PDK-ja në cilësinë e spektatores po e vëzhgon situatën. Isa nga Gjermania, në shërim e sipër, për çka i dëshiroj shumë sukses, ndikonte dhe pengonte në vendimmarrje për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke vlerësuar se ka gjasa të mëdha për fitore. Tash e kemi një situatë ku, për të kaluar votimi, duhen votat e partisë së Serbisë në Kosovë, Listës Serbe dhe votat e dy krahëve të ish-LV-së, krahut Sex and City apo krahut të hajnave (jo të gjithë) dhe krahu i avangardës së ilegales së LPK – OMLK-së, të mishëruar në Hydajetin me shokë, plus krahu i rinisë r(e)volucionare, si pjesë premtuese e së ardhmes. Nëse arrijnë ta marrin Naitin nga PDK-ja dhe Zafën e Nismës Socialdemokrate, kush do t’i ndalë pastaj?! Çfarë kombinimi i hatashëm, krahu sakrifikues i avangardës së ish-ilegales plus intelektualizmi brilant i Naitit dhe Zafës!!! Pa, pa, pa… Mirë dhe mbarë do të ishte që njëherë dhe vendosmërisht t’i thyhen turinjtë Serbisë në Kosovë duke e defaktorizuar përfundimisht këtë monstrum të Serbisë brenda Kosovës, Listën Serbe dhe për këtë duhen votat e LV-së apo mbetjes së saj e quajtur Sex and City. Me këtë patriotizmin e ashtëzuar folklorik, vështirë se do të votojë ndryshe pos deklarimit. Pra, Vuçiqi përsëri do ta përdorë Listën Serbe si xhoker për ndërhyrje në punët e Kosovës e që nuk i takon kurrsesi.

Nëse nuk fiton asnjë votë nga Lista Serbe ose nga avangarda e ilegales lpkiste të LV-së ose krahut të Ali Babës me 40 hajdutë nga Sex and City, do të fitojnë Bulliqi dhe Josip Broz Tito. Besoj se të mërkurën demarkacioni do të votohet, nëse mbahet seanca.

E dinë të gjithë, sigurisht edhe Albini, se edhe po të ishte në pushtet vetë Albini me 40 hajdutët e Sex and City, nuk do të kishte tjetër mundësi, përveç ta votojë këtë marrëveshje. Duket se, deshe apo nuk deshe, pa e votuar nuk do të shpëtojmë! Në këtë situatë, ndonëse mendojnë se do të fitonin, askujt nuk i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, përveç Alternativës për Gjakovën që i ka tre anëtarë e dy deputetë dhe AKR-së që e ka vetëm një deputet (Lamin) dhe dy deputetë të pavarur nga dashuria për AKR-në (Labi dhe Korabi). Pse e them kështu?!

  1. LV-ja është e përçarë dhe e ndarë në avangardën e ilegalitetit të lpkistve dhe Sex and City. Këta të fundit mund të forcohen edhe me disa deputetë sepse kanë akumuluar kapital të vjedhur në shuma të mëdha përmes lejeve të ndërtimit dhe ndërrimit të destinimit të tokës, nga ajo bujqësore në atë për ndërtim. Ky subjekt që manipuloi aq keq dhe aq frikshëm me ndjenjat idealiste të patriotëve të vërtetë, mbeti krejtësisht lakuriq, si mbreti në përrallat e Andersonit. Krahu i ndarë mund të afrohet me LDK-në sepse e kaluara e paraardhësve biologjikë dhe politik i bashkon. LV-ja i ka djegur të gjitha kartat e mëdha, kurse tash ka mbetur të luajë me të imëta prandaj ndahet keq në zgjedhje eventuale.
  2. PDK-ja është çarë si bostani i Rahovecit. Krahu intelektual, që kurrë nuk ka qenë PDK, ka pozicione të forta, ndonëse disa janë hajdutë ordinerë, mashtrues dhe rrenacakë. Edhe krahu i luftës u përça bukur shumë. Sigurisht, jo për shkaqe politike dhe patriotike. Për PDK-në po luajnë një kohë të gjatë të njëjtit lojtarë e që më nuk janë të motivuar, përveçse të marrin ndonjë post, duke mrizuar. Katastrofale për PDK-në është rritja e madhe e numrit të biondinave, politike dhe jopolitike.
  3. LDK-ja është çuar peshë sikur dikur PDK-ja, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, përmes Dullës së radikalizuar. E dini si u nda PDK-ja në zgjedhjet e fundit?!Edhe më keq do të ndahej LDK-ja. LDK-ja ka mbetur pa lider dhe është një luftë e pashpallur për dizginat e Isës. Elefantët e LDK-së nuk dorëzohen, kurse të “rinjtë” kanë ambicie më shumë se që kanë investuar.
  4. AAK-ja do ta ruante këtë pozicion sikur edhe Nisma dhe besoj se do të rriteshin pak.
  5. AKR-ja do të triumfonte bindshëm në Marec dhe Hajvali. Do t’i kthehej origjinës. Vetëm të qenit patericë e dikujt do të mbetej në skenën politike.

Vetëm shkathtësia e të bërit koalicion me partnerë të duhur do ta ndryshonte skenën politike të Kosovës. Kështu, do të mbetej ashtu siç është, ligatinë politike dhe ligatinë morale. Po, njëherë nuk ka zgjedhje, as të parakohshme e lëre më të jashtëzakonshme.

Rreth flamurit të pështjelluar: Pasi Ramushi e vendosi flamurin e Ahtisarit te rrethi i Zogut me 40 hajdutë, u rrit entuziazmi për këtë flamur për të cilin askujt zemra verr nuk i bënë. Dolën patriotët kosovarë në mbrojtje të këtij flamuri dhe në çastet e orgazmës të shpërthimit të parakohshëm, nga fotelet dhe zyrat e veta propozuan që i njëjti flamur të vendoset në Graçanicë dhe Mitrovicën e Rakiqit. Edhe unë u trimërova fort. U thashë djemve, armët në brez, mbani pordhët se po shkojmë në Graçanicë dhe Mitrovicë. Graçanicën e kam shkelur edhe më parë kur shkoja të blejë vezë dhe karotë.

Djemtë më pyetën se kush do të na prijnë dhe kur u thashë se do të jenë Mentori, Lili dhe Hasha, vetëm sa nuk u pshurrën së qeshuri. Kot u përpoqa t’i bind se Mentori, si udhëheqës i Shtëpisë së vetme publike të legalizuar në Kosovë, ku prostitucioni gazetaresk dhe lëvyrja janë shndërruar në art së të vepruarit, e ka përnjëmend dhe se ka përkrahje politike. Për herë të parë nuk më dëgjuan ani pse ia lëshova zërin deri në kupë të qiellit himnit shaljan: “Shtatë shaljanë po shkojnë në Shtoj…”. Nuk po dhezë më vëlla, si më parë! Duket se shumë dallojnë Shtoji, Graçanica dhe Mitrovica.

Oj Kosovë dhe bukuroshe, me Behgjetin qoshe më qoshe: Begja po bëhet njeriu më i rëndësishëm në Kosovë. E ndali Burundin mos ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. E dha kontributin në luftë kundër ISIS-it. Me një deputet, i mori katër ministri dhe një zëvendëskryeministër. U bë kardashi më i ngushtë i Hashimit. Të gjithë po e thërrasin bacë pasi baca Adem më nuk iu duhet disa mashtruesve të veshur me pushtet. Po mos t’ia ndante Albini Agim Tartufit (lloji më fisnik dhe më i çmueshëm i kërpudhave) meritat si zëvendësues i Hasan Prishtinës, Gjet Pacolli do ta fshinte nga historia Hasan Prishtinën, ndonëse nuk e ka shkrepur një plumb të vetëm për shqiptarët, Kosovën dhe Shqipërinë.

Behgjet Pacolli e shpëtoi demarkacionin, koalicionin, Kosovën, Gjakovën etj. Gjeti e hapi grazhdin në Hajvali për politikanët e për t’ua mbushur cullën e sa për kokë, gjendja mbetet e pandryshuar. Gjeti u bë flamuri dhe stema e Kosovës. Gjeti u bë himni i Kosovës të cilin do ta pranoja si të tillë po të mos fliste. Po Gjeti është bërë himn me tekst, që nuk lexohet, nuk kuptohet dhe nuk duhet të dëgjohet. Gjeti, si autoritet që e kanë bërë të tjerët, vetëm sa nuk e rrahu Palin. Arsyeja ishte pse Pali ia ka ndryshuar trasenë e autostradës për Gjilan e të cilën Gjeti kishte planifikuar ta kalojë përmes oborrit të Gjetit. Pali ishte trim kur i gjuante policët e Kosovës me shishe uji, ve të paziera dhe gaz lotsjellës. Kundër Gjetit nuk pati guxim ta bënte asnjë pordhë të vetme. Sepse, po ta bënte, ndryshe do të sillej Gjeti. Kjo është Kosova, deri-këtu kanë shkuar punët, janë shpalosur të gjithë gypat e kanalizimit dhe po kundërmojnë së tepërmi. Jo nga barkëqitjet, por nga ndryshku moral.

Nga injoranca, nga tërrpia, nga pafytyrësia, nga mizëria dhe nga jonjerëzia! Vetëm më mbetet ta citoj Gergjin e Madh të Fishtës: “Ndihmo Zot si ke ndihmue…”!

Për tradhtarët: Hashim Thaçi u shpall tradhtar, pa një vendim të Gjykatës kompetente. Sipas avangardës së ilegales së lpkistëve, Hashimit nuk po i shkruhet mirë. Esat Pashë Toptani po del të jetë patriot, përballë Hashimit, nëse i besohet LV-së. Mirë ka bërë LV-ja që po vepron sipas ligjeve në fuqi dhe nuk e ka detyruar Avni Zogianin të bëhet si Avni Rrustemi. Përsëri LV-ja po i riciklon temat e mëdha, në pamundësi të merret me tema tokësore. Një Lolitë e Sex and City shkoi edhe më larg; e quajti Ramushin tradhtar. Pa u turpëruar fare dhe pa u skuqur fare. Tash, Ramushin mund ta quani si të doni, por ta quani tradhtar duhet të pajiseni me një dëshmi të mjekut, ku qartazi shkruan se keni probleme të pariparueshme me trurin, nëse nuk e keni të hequr fare. Ramushi tradhtar, me gjithë atë luftë që e ka bërë dhe me të gjitha ato sakrifica, mua nuk ma kapë truri. Cilësimi tradhtar te ne përdoret me një lehtësi të padurueshme dhe të palejueshme. Dhe të paturpshme. Lolitë, kur Ramushi dhe Luani e përgjakën kufirin shqiptaro-shqiptar, ku ishe ti dhe ku ishin të tjerët?! Nuk e besoj se ka sot shqiptar në Kosovë që do ta jepte qoftë edhe një milimetër tokë të Kosovës. Madje, të tillë në kohët e tashme nuk mund të gjeni as te bashkëpunëtorët e dikurshëm të Titos dhe të Millosheviqit. Jo se nuk do ta bënin, por se çmimi për këtë është shumë i lartë. Të shkon koka! Lëreni tradhtinë, merruni me sex. Tradhtia të shkatërron, seksi të relakson. Besoj se pajtoheni me mua?! Së paku, këtë herë, Lolitë!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Gjykata e Apelit ka bërë me dije se rasti i…