LDK-ja konfirmon se do ta votojë demarkacionin

17 shkurt 2018 | 20:16

Pas zhvillimeve të fundit dhe thirrjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të debatohet për Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së shënjimit të kufirit me Malin e Zi, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) edhe një herë e konfirmon mbështetjen e plotë për këtë projektligj.

“LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës. Kundërshtimi i deritashëm i saj, siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme”, është thënë në komunikatën e LDK-së.

Sipas LDK-së, mosratifikimi i demarkacionit deri më tani, vendin tonë e ka mbajtur të izoluar dhe larg perspektivës evropiane. “Ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore, lirinë e lëvizjes. LDK-ja, si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Në këtë moment të rëndësishëm, LDK-ja kërkon nga shumica parlamentare që ta dëshmojë mbështetjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, është theksuar në komunikatën e LDK-së.

LDK-ja ka bërë me dije se do të vazhdojë të mbështesë proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është mbledhur sot…