NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË GRUAS!

08 mars 2018 | 11:28

Afërdita Dervishi, PhD(C)

Kërkojmë të respektohen të drejtat tona për të cilat luftuam, të cilat i fituam dhe të cilat i meritojmë, sepse ne luftuam për lirinë individuale në kuadër të lirisë kolektive.

Zoti, natyra lindi dy gjini të kundërta, siç është çdo gjë tjetër në botë e krijuar nga të kundërtat. Ne jemi krijuar nga brumë i njëjtë, mish, gjak e kockë dhe një shpirt që e bartim sa të jemi gjallë.
Femra shqiptare, u lind, u rrit, u zhvillua dhe jetoi në kushte dhe rrethana të veçanta historike dhe shoqërore. Sot, në ditën e kremtes së 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më shkon mendja ta pyes Qeverinë dhe Parlamentin tonë: Çka keni bërë për këto femra të dhunuara gjatë Luftës së UÇK-së (20400 sipas statistikave)? Çka keni ndërmarrë, që ato të integrohen në jetën dhe të vazhdojnë të jetojnë si ne të tjerët? Çka keni bërë sidomos për ato të reja, që rrethi jonë shoqëror i sheh shtrembër, se ato nuk janë të denja që djali a vëllai jonë t’i marrë për nuse, sepse të qenit e dhunuar shihet si njollë. Hajde botë shqiptare, hajde! Hajde moral i rrejshëm hajde! Po ju shaj këtë moral koti, juve, që shiteni se jeni më të moralshëm se ato gra e vajza të dhunuara! Po, po, morali juaj, ju lejon të bëni çdo gjë fshehurazi, kurse para syve të botës hiqeni si të moralshëm. Si mund të jeni ju të moralshëm, kur nuk bëni asgjë për moralin e nënave, të grave dhe të motrave tona të dhunuara. Po bëhen 19 vjet pas Luftës së UÇK-së, sa di unë, nuk është ngritur një padi nga organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës kundër Serbisë, kur dihet botërisht se dhunimet janë kategori që përkufizohen me gjenocidin.

Qeveria më në fund mezi e themeloi Komisionin për Verifikim dhe Njohje të Statusit të Viktimës së Dhunës. Një ditë, takova një vajzë të re me nënën e saj, që po kërkonin ku duhet të bëhet regjistrimi për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Më vonë kuptova për procedurat dhe mundimin nëpër të cilin një grua e dhunuar duhet të kalojë. Me gjithë këtë burokraci e procedura, numri i atyre që do të lajmërohen do jetë shumë i vogël, siç dihet sa pak janë lajmëruar deri tashti. E si të lajmërohen, kur nuk ka kush i mbron nga moralistët tanë, nga burrat, nga djemtë, nga vëllezërit e moralshëm. Në të vërtetë edhe vet Ligji është diskriminues, ngase atyre nuk ju njeh shërbimin shëndetësor pa pagesë, as nuk i liron ato nga ngarkesa financiare apo administrative, apo lehtësira të tjera me të cilat do të siguronin jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Ato gra, nëna, motra, ngado që shkojnë, në çdo minutë e kanë luftën kudo me vete. Ashtu si gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e tyre, që janë shenja të historisë e të lirisë që e gëzojmë ne, të gjallat, edhe femra ishte pjesëmarrëse dhe bartëse e këtyre proceseve të mëdha që ka hapur vetëm lufta për çlirim dhe liri.

Thirrje Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë
Ne, femrat shqiptare nuk kërkojmë asgjë të na falet, përveç respektit dhe vendit që e meritojmë, përveç drejtësisë që të ndriçohen rastet e vrasjeve dhe të marrin dënimin maksimal kryesit e vrasjeve të Diana Kastratit, Zejnepe Bytyçit, Donjeta Pajazitit, Miradije Rrustemit, dhe të shumë grave tjera shqiptare. Gjithashtu bëjmë thirrje te Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë që të bëjnë ndryshimet e plotësimet e ligjeve për të rritur dënimet dhe për të gjithë vrasësit dhe dhunuesit që guxojnë të abuzojnë seksualisht me vajzat dhe gratë Për ata që ecin me dy këmbë dhe kanë sy e vesh, nuk ka asgjë më të rëndë se sa vajza të dhunohet në shtëpinë ku jeton nga ai që do të duhej ta mbronte atë nga të tjerët. ANDAJ, DËNIMET TË JENË ME BURGIM TË PËRJETSHËM, BURG TË RËNDË!

Në këtë ditë, i rikujtoj burrat shqiptarë se nuk është në traditën e shqiptarëve që një prind, një burrë, dhe asnjë politikan të cenojë dinjitetin e femrës shqiptare, pavarësisht koncepteve të saja politike. Secili duhet të ruajë gjakftohtësinë dhe të dijë të reagojë në përputhje me nderin dhe moralin shqiptar. Në nderin e shqiptarëve gjithashtu nuk është të nëpërkëmbet emri i familjes as jeta private e familjarëve të tjetrit, prandaj secili që merret me këto në fakt e ul veten e tij/saj.

Lufta e femrës shqiptare dhe liria
Nëna, motra dhe gruaja shqiptare historikisht ishte aty ku e thërriste zëri i atdheut. Ajo ka dëshmuar se di të punojë, se di të luftojë, si dhe di të krijojë e edukojë familje. Ajo e ka dëshmuar se është e denjë dhe luftëtare si vëllai e babai, si shoku apo bashkëshorti, prandaj, edhe sot në paqe ajo dëshmon se është e zonja ta justifikojë plotësisht besimin e dhënë me punën, angazhimin dhe përkushtimin e saj. Sot, në vend të urimit e përkujtoj historinë tonë.

Mbretëresha Teutë, pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron, u vu në ballë të shtetit Ilir dhe të ushtrisë se tij. Nën udhëheqjen e saj u përtëri zhvillimi ekonomik, u përforcua pushteti qendror, u fuqizua ushtria, sidomos flota detare dhe anijet luftarake të saja “Liburnia”, e bënin ligjin në detin Adriatik. Mbretëresha Teutë, e cila sundoi në vitet 230-228 para epokës së re luajti rol të rëndësishëm historik në bashkimin e konsolidimin politiko- shtetëror, në përparimin ekonomiko-kulturor e në fuqizimin ushtarak të Ilirisë.

Në Mesjetë, Mamica, motra e kryetrimit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, pas Betejës së Beratit, ku i vritet i shoqi, Muzak Topia, ishte jo vetëm këshilltare e të vëllait, por edhe krahë lufte e krahë i veprimeve diplomatike. Ajo udhëheqë dhe vendosë për pasurinë e principatës së saj, pas vdekjes së Skënderbeut, nuk largohet nga Shqipëria.

Shotë Galica, simboli i qëndresës së femrës shqiptare dhe ndër emrat më të lavdishëm të heroinave të kombit tonë, në vend të duvakut dhe nusërisë zgjodhi koburen, në vend të shtrojës së dhomës së nusërisë, zgjodhi malin. E veçanta e saj ishte jo vetëm për luftën që po bënte kundër pushtuesit serb, por, edhe për luftën kundër zakoneve që e përulnin femrën shqiptare. Nusja e maleve, luftoi në Lëvizjen Kaçake për 12 vjet rresht, në mbi 40 aksione të armatosura. Në vitin 1921, Shota bashkë me katër bashkëluftëtarë hyn brenda ne zyrën e eprorit serb dhe e vret me dorë të vet. “E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emër të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që i ka lënë pa vëllezër, në emër të lirisë së Kosovës”, i thotë Azemit.

Gjatë LNÇ ishin 595 partizane që morën pjesë në luftë. Heroinat si: Margarita Tutulani, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Ganimete Tëreshi, e shumë të tjera, thyen tabutë e kohës për të mbrojtur familjen, nderin dhe atdheun. Mëtutje, femrat shqiptare, u radhitën në lëvizjen ilegale, në radhët e UÇK-së, jo vetëm për ta fisnikëruar atdhedashurinë, por edhe për ta fituar lirinë e tyre ndaj zakoneve e dokeve që e përulin atë, duke zënë vend në bërthamën e historisë sonë kombëtare. Ajo luftoi edhe për të fuqizuar vendin që do t’u takonte në shoqëri e në shtetin që do të vinte bashkë me çlirimin.

Në vend të urimit për 8 mars
Sot, rikujtoj se Presidentja, Atifete Jahjaga, gjatë mandatit të saj, më shumë u mor me deklarata mediatike dhe nuk qe në gjendje të lë shenja të dukshme në mbrojtjen dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Një Presidente femër më shumë se të avokojë për krijimin e legjislacionit për gratë e dhunuara gjatë luftës, duhet të bëjë veprime konkrete. Deputetet e Kuvendit të Kosovës, përmes reformës ligjore dhe politike të iniciojë barazinë mes burrave dhe grave, sepse ky 30%-shi i garantuar me ligj, nuk do të thotë që ne te ‘flejmë‘. Barazia gjinore nuk është lëmoshë, sepse ashtu siç edhe burrat, edhe ne jemi nga i njëjti brumë: mish, gjak e kockë. Femra jonë nuk kërkon t’i falet asgjë, ajo kërkon, sepse ka të drejtë, t’i lejohet të dëshmojë aftësitë e veta përmes veprimeve dhe angazhimeve, por duke u mbrojtur me ligje pozitive që do të duhej t’i zbatonte shteti.
Femra shqiptare, në breza, me ndonjë përjashtim të vogël, e ka ruajtur përkatësinë dhe identitetin kombëtar. Ashtu siç ka punuar dhe vepruar për këtë identitet kombëtar, e madhja e Rilindjes sonë Kombëtare, Elena Gjika, e cila përveç me shkrimet e saj, thuajse të rralla në botën e femrës intelektuale kudo në Evropë, u angazhua konkretisht në përgatitjet për kryengritjet shqiptare të kohës së ndritshme të Rilindjes Kombëtare. Kjo dhe femra tjera, që ka dhënë kombi ynë, janë tharmi i rritjes dhe krijimit të kombit modern shqiptar.

Në vend të urimit, në këtë ditë kremte të 8 marsit, nënat, gratë dhe motrat tona që jetojnë e punojnë kudo , ftojë që në rend të parë të angazhohen më shumë dhe seriozisht në fuqizimin e tyre intelektual dhe aftësimin profesional, të mbështetën në vlera morale dhe njerëzore për arritjen e synimeve të tyre. Duke ecur vertikalisht, të zonjat, ballëhapur, i ftoj ato që më shumë ta ngritin zërin e tyre kundër dhunës, kundër neglizhencës së organeve përkatëse gjyqësore dhe të rendit, që të jenë të barabarta. Të jenë më të fuqishme kundër rasteve të dhunës në familje; të ngritin zërin kundër diskriminimit gjinor që u bëhet femrave në vendin e punës, ngase nuk zbatohen në praktikë ligjet e punës, gjë që, nëse vazhdon një trajtim i këtillë, numri i fëmijëve shqiptarë që do të lindin do të zvogëlohet dukshëm. Poashtu, të ngritin zërin për dënimet e vogla që u shqiptohen atyre që dhunojnë femrën, që i trafikojnë ato, kurse jo inicialet, por emrat e mbiemrat e tyre të jepen në të gjitha mjetet e informimit publik, në mënyrë që nënat të dinë t’i ruajnë fëmijët prej tyre. I ftoj të ngritin zërin kundër diskriminimit për përfshirjen e femrave në pozitat udhëheqëse dhe në vendimmarrje, dhe në veçanti të ngritin zërin deri në qiell, për gratë e vajzat e dhunuara, në mënyrë që shteti të marrë përgjegjësinë për obligimet që ka, jo vetëm të jape ato para që janë të qytetarëve të Kosovës, por të krijojë kushte që ato të fillojnë jetën e tyre, duke krijuar lehtësira për punësimin, si dhe të gjitha format e organizimit të jetës së tyre.

Gratë dhe vajzat shqiptare e kanë merituar respektin e shoqërisë, ato nuk kërkojnë lëmoshë, por respekt për vlerat që përfaqësojnë si gra, si nëna dhe si profesioniste të afta.

(Autorja është e burgosur politike dhe profesoreshë universiteti) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, ka uruar…