Petra e shtatë mrekullive të botës

22 Gusht 09:17

Herët, para mëngjesit, një mikrobus ndalon para hotelit “Palmira”, në kryeqytetin e Jordanisë, në Aman, ku prej jemi vendosur që disa ditë. Shoferi i mikrobusit, i veshur mirë dhe me stil, është rreth të tridhjetave. Kur u futëm në makinë pamë se aty kishin zënë vend edhe një grua dhe një djalë, ndonjë tetë apo nëntë vjeç, ndërsa shoferi ia mori të birit lap-topin që ia kishte dhënë për të luajtur, përderisa ne nuk do të bëheshim gati për t’u nisur në atë udhë. Nuk u desh shumë që ta marrim vesh se ishin gruaja dhe i biri i shoferit simpatik të cilët, meqë ne po udhëtonim për në “Qytetin e humbur” të Petrës, do ta shfrytëzonin rastin të udhëtonin me ne për tek njëra prej shtatë mrekullive të botës. Një familje e përzemërt, vërtet.
Ajo që na tregoi shoferi me një anglishte të mangët ishte se, deri tek Petra do të udhëtonim për rreth katër orë, nëpër një rrugë të mirëmbajtur, e cila e prenë përmes pjesën e shkretëtirës së Sinait që i përket Jordanisë. Ndërsa, pak para se u nisëm për tek Petra, në autobus erdh edhe grupi i artistëve nga Belgjika, i cili po merrte pjesë në të njëjtin Festival të Teatrove sikurse ne e i cili e kishte shprehur interesimin për këtë ekskursion.
Derisa rrezet e diellit të lindjes ende nuk dukeshin në horizont, ne e lamë kryeqytetin e Jordanisë pas vetes dhe, goxha shpejt po futeshim në një mjegull të ftohtë rëre të shkretëtirës, duke i ndierë edhe të rrahurat e shpeshtuara të zemrës të cilat na i shkaktonte emocioni se, atë ditë, do të shkonim në Petra, në një prej vendeve më të magjishme në botë, në atë vend të turistëve që e shohin në ëndrra e që për ne që ishim aty, po shndërrohej në realitet.
Ajo që e dinim edhe para se të udhëtonim në Jordani ishte se, në largësi, ndërmjet kodrinave me shkëmbinj e rërë, në thellësinë e shkretëtirës së Jordanisë, ndodhej Petra, qyteti i lashtë dhe një prej më të veçantëve në rruzullin tokësor. I veçantë për shumëçka. Bile, ata që udhëtojnë në këtë vend, asnjëherë nuk mund ta quajnë të plotë udhëtimin nëse nuk do t’i vizitonin: Malin e Mojsiut (Mali Nebo) – një monument i shenjtë i krishterimit (do të shkruajmë edhe për udhëtimin tonë atje); Detin e vdekur, qytetin Wadi Mous, që ndodhet në tokën e shenjtë të të krishterëve, arabëve dhe hebrenjve, në veçanti Petrën, e cila ndodhet nja 260 kilometra larg Amanit, më saktë në jug të tij.

Lorensi i Arabisë: Petra është vendi më i mrekullueshëm në botë

Rruga që çanë shkretëtirën para vetes, sikur e thamë, është mjaft e mirëmbajtur e që, në fakt, është një prej karakteristikave për rrugët nëpër shkretëtira gjithandej. Një rrugë e drejtë si vizore. Diku pas 50 kilometrave të kaluara, ndaluam në një restorant për të pirë kafe, e cila s’ishte shumë e shijshme, por ajo që impononte ishte se pastërtia, në restorantin në mes të shkretëtirës, ishte jashtëzakonisht e madhe, ndërsa një oazë palmash bënte hije tek tarraca ku po qëndronim ne, po pinim kafe dhe po llafoseshim, but ndërmjet vete.
Pas 20 minutash u kthyem në minibus dhe u vendosëm ashtu siç ishim. Belgët, në fakt, nuk kishin dalë fare për kafe ngaqë po flinin në gjumë të thellë, pas një mbrëmjeje të hareshme që e kishim kaluar në hotelin tonë të përbashkët një natë më parë. Nuk kishte zbritur as profesori e koreografi Haki Mulliqi, një prej anëtarëve të grupit tonë, të cilit nuk i kujtohej se me sa lloje të rakisë ishte dehur rëndë një natë më parë dhe se, për t’u ngritur ashtu mamurshëm nga shtrati, me kokëdhëmbje të hetueshme, e kishte tunduar vetëm fakti se po udhëtonim tek Petra, për të cilën kishim biseduar mjaft atyre ditëve së bashku edhe në Aman, por edhe në Prishtinë, para se të merrnim atë rrugë.
Diku udhës, shoferi i autobusit na e ndau të gjithëve nga një sandviç dhe nga një pije, të cilat, siç e kuptuam, i kishin përgatitur në hotel për këtë udhëtim tonin mjaft të gjatë.
Por, çfarë në fakt dinim ne për Petrën para se të arrinim në vendin tonë!?
E dinim se, ndonëse këtë të dhënë nuk mund ta dëshmonim, se nabeteanët Petrën fillimisht e kishin quajtur kryeqytetin e tyre. Dhiata e vjetër e përmend vendin në Edomë me emrin si Sela e që, në një përkthim të lirë, do t’i binte diçka si “shkëmb” apo “guri”. Gjithashtu është e dyshimtë dhe nuk dihet se a ka kjo të bëjë me qytetin kryesor të nabateanëve të cilin burimet kryesore e quajnë Petra e që, po ashtu, e ka kuptimin e “shkëmbit”. Por këtu duhet pasur parasysh se në botën helene ekzistonin më shumë vende me të njëjtin toponim. Sipas disa burimeve të tjera, besueshmëria e të cilave nuk është dëshmuar asnjëherë, nabateanët qytetin e tyre kryesor e quanin Reqem apo edhe Reqmu – që do të thotë “i kuqërremtë”, e që do të mund të interpretohej si një asociacion që ndërlidhet me ngjyrat e shkëmbinjve të Petrës. Në greqishten e vjetër Petra e ka kuptimin e gurit, gjë që del të ishte, krejtësisht, një përshkrim shumë i qartë i asaj që do të shihnim atje. E në gjuhën arabe Petrën sot e quajnë edhe al-Bitra, por vetëm për komunikim të brendshëm të tyre.
Petra ishte një vend ku është bërë kontrolli i rrugës së drurit të temjanit nga Lindja për në Perëndim. Ndërsa kjo rrugë e stërmoçme shpinte diku, që nga Jemeni, përgjatë bregut perëndimor të Gadishullit Arabik, ndërsa mu tek Petra është degëzuar në një ndarje veriperëndimore në drejtim të Gazës, rrugë e cila shpinte thellë në drejtim të Damaskut.
E gjithë kjo e shndërronte Petrën në një vend joshës. E jo vetëm për këtë, por edhe nga faktin se kalimi nëpër këtë qytet, faktikisht, u ka ofruar karvanëve, nga jugu i Arabisë, një siguri më të madhe, sidomos atyre që kanë transportuar mallra të shtrenjta, duke përfshirë këtu: mëndafshin që vinte nga India, pastaj edhe fildishin që vinte nga Afrika apo edhe margaritarët që vinin nga Deti i Kuq por, sikur e thamë, temianin, i cili, po ashtu, kalonte këndej, nga jugu i Gadishullit Arabik. Duhet pasur parasysh se fidanët e temjanit (Boswellia sacra), në gjithë shtrirjen e botës antike, ishin shumë të vlerësuar dhe përdoreshin si një sakrificë e kushtueshme për perënditë, por edhe si ilaç. Nga ana tjetër, taksat e rrugës si dhe ato doganore u kanë sjellë vendësve të hyra shumë të mëdha dhe të rëndësishme për jetën e tyre dhe për mirëqenie.
Në kohën e mbretit Aretas i III-të të Petrës (sundoi në vitet 87 para Krishtit deri në vitin 62 po para Krishtit) nabateanët e organizuar mirë ia dalin ta pushtojnë Damaskun, gjithashtu edhe të implikohen në luftë për pushtet në Jude, por edhe e rrethojnë Jerusalemin. Në këtë kohë në këtë regjion arrijnë romakët dhe përparimet e Petrës do të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, edhe dy shekuj të plotë Petra ia del ta ruajë vetëqeverisjen e brendshme, që nënkupton edhe mirëqenien e qytetit i cili ka shtim gradual, ndërkohë që, numri i banorëve, sipas disa të dhënave, arrin një shifër të konsiderueshëm: ndërmjet 30 dhe 40 mijë banorëve.
Me shtrirjen e saj në Lindje, Perandoria Romake ua mori pushtetin nabateanëve në kohën e dy perandorëve, Pompeit dhe Heroditit, mbi të gjitha, për shkaqe gjeostrategjike, ndërsa popullata vendëse ngeli e shtypur, e përbuzur dhe e mënjanuar nga çdo rol i rëndësishëm në qytetin e vet. Fati apo fatkeqësia për popullatën lokale do të ndodhë kur në atë zonë bie një tërmet i madh i cili i dëmtoi të gjitha rrugët nëpër dhe drejt qytetit, për çfarë, romakët, duke mos pasur më interes strategjik që të qëndrojnë aty, u tërhoqën së andejmi dhe lokaliteti, dikur me një histori të shkëlqyer dhe plot lavdi, të thuash, u harrua krejtësisht. Petra, më pas, në vitet 363 dhe 551, përjeton edhe dy tërmete të fuqishme. Ndërsa, kur në vitin 663 pas Krishtit vendi pushtohet nga arabët, banorët e fundit të Petrës e braktisin vendin qytetin e tyre përfundimisht.
Për plot shtatë shekuj (nga shekulli XII e deri në shekullin XIX) qyteti i Petrës u shndërrua në një “sekret të beduinëve” lokal si dhe i tregtarëve arabë, për ç’arsye edhe u krijua një si legjendë e pambaruar, deri në vitin 1812, atëherë kur, një pelegrin zviceran, Johann Ludwig Burckhardt, ia del ta gjejë “qytetin e humbur” – Petrën. Kjo, sipas dokumenteve, ndodhi që nga koha e kryqëzatave të mëdha e deri në vitin 1812, e që është periudhë kur, në këtë vend, nuk shkeli asnjë këmbë evropiani. Ndërsa, diku nga viti 1800, vetëm ca dijetarë, në bazë të gojëdhënave të shumta të Lindjes së Afërt, e dinin se, diku atje, në atë gjeografi tepër interesante dhe mistike të atyre popujve, mund të ekzistonte qyteti legjendar i ngulitur në shkëmbinj. Dhe, sikundër u tha më lart, atë për evropianët e zbuloi zvicerani Burckhardt gjatë ekspeditave të tij nëpër Arabi. Ndërsa më shumë se 100 vjet pas kësaj, Thomas Edward Lawrence (për ne i njohur edh si “Lorenci nga Arabia” në film dhe në letërsi), në veprën e tij “Shtatë shkallët e urtësisë” shkruan se: “Petra është vendi më i mrekullueshëm në botë”. Bile aty autori në fjalë nuk e fsheh dyshimin e tij, se akëcila përpjekje për ta përshkruar atë vend do ta zbehte përpara përjetimit që krijon njeriu në takim me Petrën.
Të thuash, kjo ishte e tëra që ne e dinim për Petrën para se të merrnim këtë udhë. Ndoshta edhe atë se ky qytet i thesarit të mrekullive më të mëdha botërore ndodhet, në gjysmën e rrugës, ndërmjet gjirit Akaba në drejtim të Detit të Vdekur, në një lartësi prej 800 metrash, e cila, në hapësira të caktuara, arrin lartësinë edhe deri në 1.350 metra mbi nivelin e detit në regjionin kodrinor e të gjerë të Edomës.

Petra apo çudia e purpurt

Pas pak kohësh, derisa po zhdirgjeshim nëpër një kodrinë, goxha të rrëpishme, në të majtë, në mënyrë fascinuese vihen re masive të kuqe shkëmbore. Ndërsa, fare në fund të rrugës, në hyrje të një qyteze të shëmtuar, e që, për habinë tonë, quhej “Petra”, ndalojmë dhe nga një ATM tërheqim para kesh, ngaqë rrugës nuk e patëm këtë mundësi, ndërsa paratë na nevojiteshin për biletat dhe shpenzimet e tjera kur të futeshim tek qyteti i lashtë i cili ndodhej 1.5 kilometra larg nga aty.
Emërtimi i këtillë i kësaj qyteze të shëmtuar, siç do të na e sqarojë, pak më vonë, një prej agjentëve të Petrës së lashtë, ishte bërë nga popullata vendëse, e cila, në këtë qytezë ishte arabe dhe se ishin pikërisht tregtarët arabë ata që e kishin ndërtuar këtë lokalitet me shumë dyqane të formave dhe materialeve të përçudshme që, mbase, të përfitonin nga turistët që e vizitojnë qytetin e lashtë, aty pranë, e që vinin nga e gjithë bota. Ç’është e vërteta, para shumë vjetësh, atëherë kur arabët e kishin mundësinë ta merrnin edhe “qytetin e humbur” në menaxhimin e tyre, për arsye krejtësisht fetare, e kishin refuzuar atë mundësi, duke qenë fuqishëm dhe me bindje kundër kulteve (pagane) si dhe shenjave të moçme të Petrës së lashtë, ngaqë udhëheqësit e tyre fetarë ishin shprehur se besimi islam e refuzonte çfarëdolloj idiolatrie të mbidheshme, ndërsa Petra ishte me plot tempuj të tillë. Mirëpo, më vonë, u pa se ky qëndrim ishte i gabueshëm, sepse beduinët, që besohet se janë edhe mbetje të nabeteanëve të lashtë, e shfrytëzuan mundësinë e cila iu dha atyre, beftë dhe, tashmë, një komunitet shumë i madh jetojnë një jetë të kënaqshme pikërisht nga të hyrat dhe të mirat e tjera që sjell turizmi.
Së voni, arabët kishin bërë përpjekje ta shfrytëzonin “hisen” e tyre të Petrës së lashtë, për çfarë i ishin drejtuar edhe mbretit Husein, por edhe mbretit aktual, Abdullah, të cilët, me të drejtë, i kishin refuzuar, duke ua bërë me dije se atëherë kur kanë mundur që ta posedojnë Petrën nuk e kishin bërë këtë, e tash nuk ka fuqi që mund t’ua marrë beduinëve pasurinë e tyre.
Minibusi ynë ndalon në një parking, para një sheshi të rregulluar mjaft mirë, në hyrje të Petrës, ku, në disa zyra, krejtësisht moderne, shiteshin biletat, ndërsa aty pranë (jashtë kompleksit) ndodhen edhe disa hotele pak-katëshe, ku thuhej se është shumë e vështirë që të gjesh dhomë, nëse arrin aty pa bërë rezervimin paraprak.
Për të hyrë në hapësirat e qytetit të lashtë fillimisht morëm biletat e hyrjes. Bileta për një person kushtonte 34 euro. Ne i morëm biletat, ndërsa kolegët tanë nga Belgjika nuk e bënë këtë gjë. Na thanë se çmimi është shumë i lartë dhe nuk ia vlen të jepen aq para për ta parë as Petrën. E mendojmë se o ne o ata nuk kishin të drejtë! Nejse. Mendim dhe vendim i tyre.
Kur afrohemi te laura, në hyrje të qytetit të lashtë, një punëtor na e tërheq vërejtjen se orari i punës aty është nga ora tetë e mëngjesit e deri në gjashtë pasdreke, ngaqë jashtë këtij orari nuk garantohej asnjë lloj sigurie për ne. Ndërsa, posa të bësh disa hapa, aty beduinët menjëherë të bëjnë oferta të ndryshme që, të marrësh me qira ndonjë kalë apo ndonjë gomar për të zbritur teposhtë nëpër grykën e malit të ndarë në dysh, apo edhe ndonjë “pajton” me kalë, të cilin e drejtonte pronari i qerres, beduin. Nuk do mend se asnjëri prej grupit tonë nuk u tundua fare në lidhje me këtë, ngase dëshira jonë ishte që të zhdirgjeshim me këmbë Petrës, të paktën deri tek amfiteatri i madh, në zemër të lokalitetit për të cilin, gjithashtu, ishim informacione.
Ne vazhdojmë tutje. Sa vinte dita bëhej më e nxehtë. Paçka se është fillimprill. Rrezet e diellit ishin përcëlluese dhe, pa të keq, ne i ndiqnim nga pak edhe hijet në qytetin e lashtë.
Derisa vazhdojmë kështu të ecim, gjithsesi të mrekulluar me pamjet përgjatë rrugës, një prej mendimeve që të vijë ndërmend është edhe ai se: si duhet ta kuptojmë sekretin e beduinëve dhe atë se çfarë kanë kërkuar këta njerëz në botën tonë!? Petrën e quajnë edhe “çudia e purpurt – qyteti i kuq dhe i vjetër sa edhe vetë koha”. Ndërsa, qyteti, e shohim se si është i rrethuar nga masivet e thepisura shkëmbore nga të cilat, natyra, kishte krijuar vargmale, me gryka të thella, të cilat e mbrojnë këtë vend, të thuash, nga të gjitha drejtimet.
Me këtë pamje magjepse që kemi para vetës, të thuash, gjithçka na duket imagjinare… Edhe e çuditshme, sikurse vetë autoktonët e këtushëm, të cilët kanë ecur e ngarendur nëpër ato gryka (kanjone) të gjata dhe përplot pluhur që, në rast rreziku, të fshiheshin thellë nëpër shkrepa të malit Wadi Mous. Thënë të drejtën, kjo që shikojmë para dhe përreth nesh, në një mënyrë apo tjetrën edhe na e përmbys vizionin tonë mbi shkretëtirat, pra mbi ato për të cilat kishim mësuar, moti, moti edhe në shkollë dhe të cilat i pandehnim si sipërfaqe të tëra rëre, dhe një horizont të largët. Diçka si një det prej rëre.
Gryka e Petrës është shumë e bukur dhe magjepsë sikundër e thamë tashmë. Aty, mbi kokat tona qëndrojnë, vazhdueshëm, shkëmbinj të lartë që, disi, edhe shkrihen brenda ngjyrave të llojllojshme dhe formave të ndryshme të tyre. Në disa vende gryka e kanjonit është mjaft e ngushtë dhe, nuk do mend, me një vlerësim të lirë, nuk është më e gjerë se dy metra, ndërkaq në pjesë të caktuara, gjerësia e saj arrin edhe më shumë se dhjetë metra.
Derisa vazhdojmë të ecim të mbushur me përplot kureshtje, dielli lëshon rrezet akoma më kërcënueshëm mbi ne, nga pas shpina. Disi në krah. Mbase mu për këtë edhe mund të gjejmë mjaftë hije të freskëta, sa në njërën aq edhe në anën tjetër gjë që imponon, kur kalon përmes kanjonit, ani pse na nxjerr ca probleme teknike në bërjen e fotografive. Ndërsa ngjyrat, nga një gri, e butë, kalon tek një e verdhë e mbylltë, në të kaftë, për të arritur në një pjesë tek e kuqja si dhe ngjyrat e cimetit, e kaltra dhe e bardha. Thjesht, magjeps edhe ky imazh i Petrës. Në disa mure të shkëmbinjve, mbetjet e fosileve na mrekullojnë sidomos me nuancat e ngjyrave. Mbishkrimet mbi shkëmbinj nisen nga ato krejtësisht të lustruara, deri tek ato më të vrazhdat me thellësi të konsiderueshme, andaj dhe nuk është e rastit që disa vende të caktuara në grykë duken nga pak edhe kërcënueshëm.

Ëndërr apo zhgjëndërr

Ne nuk nxitojmë shumë dhe, sikur dëshirojmë që në mbamendjen tonë të fusim gjithçka që na sheh syri. Ecim, ecim dhe ndalojmë… Përsëri ecim e përsëri ndalojmë duke e përthithur atë fotografi e cila kurrë nuk do të harrohet më.
Kur i bëjmë edhe disa hapa para nesh, thjesht, optikisht (nuk e dimë përse), këndshikimi ynë sikur zgjerohet ndërsa bukuritë e Petrës sikur shpalosen edhe më shumë se kaq edhe më fuqishëm, edhe më mbresëlënshëm. Shi për këtë, i gjithë grupi ynë ndihet disi i emocionuar… I entuziazmuar… Një ndjenjë e çuditshme, gjithsesi, ndërsa telefonat tanë “të mençur”, kamera dhe aparatet fotografik “butësisht” po drithëronin në duart tona. Kjo, ngase, një ëndërr e ëndërruar aq gjatë për ta vizituar këtë vend, ja, tashmë po bëhej realitet në të cilin jemi të zgjuar. Në zhgjëndërr, pra.
Rruga që po e shkelim në këtë pjesë të aventurës sonë të bukur, siç na thotë shoqëruesi turistik, vendësit e quajnë – Siq. Ndërsa, po qe se me një shikim do të shikonim mbi shkëmbinjtë e grykës të cilët na rrethojnë në mënyrë gati qarkore, me një lartësi mbi 200 metrash, është e pashmangshme se, për një çast të vetëm, dukemi disi të përhumbur brenda mijëra e mijëra nuanca dritash dhe ngjyrash të cilat, si për vetë neve që gjendemi aty, thuaja se i ka pikturuar dora e Zotit, ndërkohë që, lart e lart, mbi kokat tona, shihet ndonjë copëz e kaltërsisë së qiellit e cila, sikur e zgjeron pafundësinë në të cilën jemi ndodhur.
Kanjoni Siq, është i gjatë, saktësisht, 1207 metra. Vetë gryka ka lindur brenda një procesi të gjatë tektonik si dhe të vërshimeve të pareshtura, nga shirat e dendur që kanë reshur aty, e që ishin të furishme edhe sot, sidomos, që nga nëntori e deri në muajin mars, e të cilat, toka shkëmbore nuk kishte asnjë mundësi t’i përthithte. Rrëketë e fuqishme dhe vërshuese të ujërave, në të njëjtën kohë kanë qenë edhe mjaft të larta ashtu që kanë marr me vete mbetje të ndryshme që kanë gjetur gjithandej e të cilat i ka dërguar në drejtim të Siq-it. nabateanët del se në mënyrë shumë të mençur ia dolën që ta pengojnë rrjedhën e pakontrolluar të këtyre ujërave nëpër grykë. Kështu ata, në fillim të kanjonit, nga ana e djathtë e tij (edhe sot mund të vihet re) ndërtuan një tunel përmes të cilit është devijuar uji që të mos shkonte në drejtim të Tempullit së Thesarit. Ky tunel është i gjatë 88 metra dhe i thellë 6 metra. Tuneli është i kalueshëm dhe e zgjon kërshërinë e shumë vizitorëve, por, për të qenë të sinqertë, ne e shmangëm atë, ngase, në atë mënyrë, do ta anashkalonim një pjesë bukur të madhe të Petrës, meqë tuneli, faktikisht, si i tillë shpie në pjesën tjetër të malit.
Tuneli që e ndërtuan neabeteanët, e ka orientuar përroin vërshues në një pjesë tjetër të malit, duke e nxjerr atë në një krah tjetër të qytetit, duke i mbrojtur kështu, qytetarët, shtëpitë e tyre të shumta si dhe vetë Tempulli e Thesarit, e që është një prej tempujve më të konsideruar te Petra, gjegjësisht një prej shenjtoreve më domethënëse të nabeteanëve pagan. Nabeteanët i kanë shfrytëzuar këto prurje jashtëzakonisht të mëdha të ujit, pasi që i ndërtuan mbi 200 rezervuare të ujit të cilat e kanë siguruar ujin për qytetarët e Petrës për muaj të tërë, por edhe për karvanët e tregtarëve që pareshtur kanë kaluar andej. Shi për këtë, dikur Petra shquhej për begatinë e ujit, sidomos me burimet Ain Mousa.
Përmes gjetjeve arkeologjike, është konstatuar se nabeteanët kanë siguruar burime të ujit për qytetin e tyre edhe në largësi prej 20 km, e cila është sjellë deri tek qyteti, përmes grykës nga gypa të ndërtuara nga terakota e të cilat kanë qenë mbi sipërfaqe dhe të ngjitura me suvatime. Në mënyrë që presioni mos t’i ndajë gypat, ata e kanë ndërtuar një sistem të rrjedhës së ujit: gypat kanë qenë të mbushur me ujë rreth 80 për qind, dhe me një llogaritje shumë të saktë është rregulluar edhe rënia e ujit dhe kjo ka ndikuar që të tërhiqet në qytet sasira të ujit si dhe mbrojtjen e sigurt të mospëlcitjes së gypave.
Kjo për të cilën po flasim është diçka që i ka habitur ekspertët e ndryshëm që janë marrë me eksplorimin e Petrës, sidomos fakti se si nabateanët, përndryshe një fis nomad në Gadishullin Aarabik, që në shekullin e parë pas Krishtit, kishin kaq njohuri dhe sukses në ndërtimin e ujësjellësve të cilët vihen re edhe sot, në krahun e majtë, tek zhdirgjemi teposhtë drejt sheshit kryesore të Petrës, e që duket si një gurrë e gjatë mbi shkëmbinj që gjarpëron sigurt.

Mbi 4 000 mbishkrimet të shkruara në gjuhën aramike

Duke lëvizur ngadalë nëpër shtigjet përplot pluhur mund të venerojmë edhe me qindra “ndërtesa” dhe tempuj të gdhendura brenda malit. Bile, kur shikojmë më me vëmendje, e shohim se vetëm disa prej objekteve nuk janë të ngulitura brenda shkëmbinjve. Tempujt nëpër shkëmbinj kanë edhe fasadat e tyre të cilat, me ato ngjyrat e ndryshme duken mahnitëse në sfondet e purpurta dhe të kuqërremta të gurit. Andej pari, kalojmë, para, shumë prej atyre tremijë tempujve që gjenden në Petra si dhe para altarëve të ndryshëm ndërsa, para njërit prej tyre, BBC, në kohën kur po qëndronim ne aty, po e realizonte një intervistë të drejtpërdrejtë me një arkeolog të shquar ndërkombëtar.
Akëcila shtëpi e nabateanëve, në një mënyrë apo tjetrën, ishte edhe një tempull më i madh apo më i vogël. Sipas historianëve, arkeologëve dhe studiuesve të këtij qyteti, besohet se Perëndia i adhuruar në Petra ishte Dushara-al Uzza, ndërsa ndryshe e kanë quajtur edhe Zoti i Sharës. Ai ka përfaqësuar lidhjen hyjnore ndërmjet tokës dhe parajsës. E vetë qyteti, në mënyrë spirale, është zhvilluar përreth tempullit kryesor, Qasr al-Bint, i dedikuar Perëndisë së gjithëmadhërishëm. Shoqëruese e Dusharit ishte perëndesha Allat, perëndeshë kjo e botës së lashtë arabike, të cilës i ishte kushtuar edhe tempulli i quajtur Winged Lions.
Populli tubohej për t’i shprehur nderime Zotit kryesisht nëpër tempujt në të cilët besohej se jetonin perënditë, por edhe nëpër sheshe të ndryshme, në hapësirat e jashtme ku, sipas besimit, përkushtimi dhe rituali i tyre do të shihet dhe do të pranohet nga perënditë. Dushari ishte i adhuruar mbi gurin e zi që shquhej në Petra dhe, i cili, sipas besimit të vendësve paraqiste altarin dhe vendin ku janë kryer flijimet në të cilat është shfrytëzuar, kryesisht, vetëm argjendi dhe floriri. Tempulli Ad-Dayr, i njohur si “Manastiri”, më vonë u shndërrua në kishë.
Derisa sy hapur dhe gojë hapur lëvizim mes për mes kanjonit, arrijmë edhe tek një “skulpturë”, e që, në fakt është një si shkëmb/gravurë e një elefanti të madh, për të cilën, sipas arkeologëve dhe antropologëve, mendohet se ishte një vizatim i një kafshe gjigante e cila aty kishte arritur nga India, si mjet i mirë dhe i fuqishëm i transportit. Ndërsa, për të na përvetësuar neve edhe është aty, mbi një shkëmb të lartë dhe të latuar, koka e një shqiponje të madhe që shihte kërcënueshëm dhe duket si simbol, apo edhe kult i mbrojtjes për qytetarët e Petrës, edhe pse, asnjë studiues nuk e tërheq ndonjë lidhje me besëtytnitë e nabateanëve dhe kultit të shqiponjës.
Sipas statistikave që i gjejmë në guidat, që i blemë për 5 euro tek zyra e biletave të Petrës, mësojmë se, mbi muret shkëmbore të këtij qyteti të mahnitshëm, mund të vihen re edhe mbi 4000 mbishkrime të realizuara nga shkrimtarët të ndryshëm në gjuhën e zakonshme të beduinëve. Janë këto mbishkrime të cilat, kryesisht, japin informacione mbi arsyet e të ekzistuarit të godinave të caktuara, të bindjeve dhe ndjenjave të tyre religjioze si dhe i vënë në spikamë edhe emrat e të vdekurve (të kremuar) të cilët, me këto shkrime kujtoheshin dhe lavdëroheshin nga vendësit. Tekstet janë të shkruara në gjuhën aramike, ndërsa dihet se kjo gjuhë, në një të kaluar, ishte një prej gjuhëve më të përhapura në Lindjen e Mesme.

Deri në vitin 1984 beduinët e Petrës kanë jetuar nëpër shtëpitë-shpella

Nëpër histori, Petra, jo rrallë, sikundër e përmendëm në kontekst tjetër diku më lart, i ishte ekspozuar tërmeteve. Ajo që habitë botën e sotme ka të bëjë me njohuritë dhe stereotipat tona të të menduarit mbi beduinët e sotëm, të cilët, është e qartë se, dikur, posedonin një qytetërim shumë të zhvilluar duke jetuar me një standard të lartë urban.
Mendojmë se ky mund të jetë edhe një moment për të cilin duhet folur shkurtazi. Kur arritëm tek Amfiteatri i Petrës (për të cilin do të flasim shkurtazi më vonë), në të majtë të tij, në një kodrinë të lartë shkëmbore mund të vihet re varri i Aronit (arabët e quajnë Harunit), i vëllait të Mojsiut për të cilin është zhvilluar një kult i fuqishëm tek arabët dhe beduinët. Ndërsa, vizavi, në anë të kundër të kanjonit shihet “qyteti”, bukur i madh i beduinëve të sotëm, me pallate dhe shtëpia, ku ata jetojnë duke gjallëruar nga turizmi, por edhe duke i përmbysur njohuritë e përgjithshme se, në esencë beduinët janë popull nomad që krijojnë kampe të lëvizshme nëpër shkretëtira.
Deri në vitin 1984, beduinët kanë jetuar nëpër shtëpitë-shpella dhe aty edhe u janë lutur perëndive të tyre. Ka shumë raste që, një numër i konsiderueshëm syresh, vijnë akoma aty, edhe pse qeveria, tashmë ua ka ndërtuar qytezën jo larg shtëpive të moçme. Shtëpitë e dikurshme të tyre ata, akoma, i konsiderojnë si tempuj për t’u lutur.
Disa prej nesh, kemi ecur ndonjë 500 hapa dhe, më në fund vendosëm që të futeshim edhe në njërën prej shpellave shkëmbore, diku jo larg tempullit kryesor të Petrës. Ajo që mësuam me t’u futur aty ishte se, shpella ishte vërtet e freskët, me temperatura areale krahasuar me ato jashtë. Muret e saj ishin të latuara dhe me ngjyrë në të kuqërremtë. Ulemi diku në mes të shpellës, ashtu siç është zakon në botën lindore, dhe, përmes hyrjes së saj shikonim jashtë, mbi majat e larta të kreshtave të pafundme të Petrës. Çdo gjë nga këtu dukej, pazakonshme, e pastër dhe paqësore, në të njëjtën kohë. Nga kjo shpellë, ku ndihemi të paqësuar me vete dhe botën përreth, megjithatë, në horizont shohim, shumë më qartë atë që thuhet gjithandej: bukurinë e vrazhdët të shkretëtirës së pafundme: të trishtë dhe magjepse, në të njëjtën kohë. Andaj, çfarë, në fakt, mund të bëjë njeriu në një vend si ai, përpos që t’i nënshtrohesh meditimit dhe qetësisë së brendshme dhe të vendit ku çdo shpirt prehet i në paqe të mrekullueshmes.
Dalim nga shpella dhe vazhdojë aventurën tonë si në ëndrra. Mendimet na lundrojnë gjithandej. E një prej tyre që nuk na shqitet, padyshim është ajo: a thua, përse u ndërtua ky qytet kaq i veçantë që nuk e ka sivëllain askund në botë? Apo, kush i ndërtoi këto ndërtesa gjigante dhe në c‘mënyrë do t’i ketë bërë këtë ndërtime kaq komplekse? Mbase – mendojmë – shumë përgjigje të pathëna nga arkeologë dhe dijetarë të tjerë, ndoshta, mund të gjenden vetëm tek muret e lashta si dhe në mbishkrimet e shenjta të këtij qyteti që, sikur u tha, janë aq të shumta aty dhe se janë bërë për një apo edhe shumë arsye të caktuara. Ndonjë prej pyetjeve, ndoshta, edhe zënë vend tek vet ne, në mënyrë unike, e, që t‘u japim sqarime atyre, mbase do të na duhej, fillimisht, ta dëgjojmë zërin e brendshëm të zemrës sonë e cila para këtyre mrekullive, mbase po rrahnin shumë më shpejt sesa rëndom.
Në disa pjesë, për habinë tonë, vërejmë edhe disa pjesë me shkurre të dendura, por edhe pemë më të larta të cilat sikur mbijnë nga shkëmbinjtë dhe, nuk do mend se mahnitemi me atë pamje, duke mos e kuptuar se si është e mundur që ato të kenë mbirë nga gurët gjigant dhe se si kanë mbijetuar aty!?
“E shihni”, thotë profesori Haki Mulliqi, “lufta për ekzistencë edhe këtu vjen në shprehje, disi, edhe për këtë, është e pazakonshme dhe krejtësisht surrealiste”.
Në këtë pjesë e ngadalësojmë hapin. Pak më poshtë këtyre shkurreve, gryka, sërish nisë të ngushtohet, dhe, në një pjesë të saj, udhëheqësi ynë arab (Hasan e quajnë) i lutet tërë grupit që të ndalojmë dhe, gjithë sa ishim, të ktheheshim me fytyrë andej nga ishim zhdjergur grykës gjarpërore. Gjithashtu kërkon prej nesh që t’i mbyllim sytë dhe, me urdhrin e tij t’i hapim përnjëherë duke shikuar me ngul më qiellin e kaltër. S’do mend se ne iu bindëm të gjithë “urdhrit” të beduinit.
“Hapni sytë”, na thotë ai.
Ne iu bindëm.
“Çfarë po shikoni lart”, na pyet ai sërish.
Të gjithë heshtim, ngase nuk po shihnim asgjë të veçantë në qiellin e pastër bilur, mbi Petër. Nuk bëzajmë duke druajtur se, ne, individualisht, ishim ata që nuk po shihnim asgjë të “veçantën mbi qiell”.
“Më bëhet se nuk po shihni bash asgjë”, ndërhynë Hasani.
“A është kjo e zakonshme për të gjitha grupet”, e pyet aktori i njohur nga Prishtina, Ismet Azemi.
“Nuk e di çfarë të them”, gjegjet Hasani i cili, pas pak çastesh kërkon prej nesh që të kthehemi me fytyrë në anën e kundërt, andej nga ishim mësyrë tash e sa orë, dhe, si në ndonjë spektakël të madh në show-biz, na bënë me dorë dhe thërret: “Mirë pra, tashti, shikojeni mrekullinë para vetes!… Tadam…”.
Vërtet mrekullia ndodhi para nesh. Tashmë, jo shumë larg para nesh, po e shikonim Tempullin e Thesarit, sigurisht godinën më magjepse që është një mrekulli e artit njerëzor, për të cilën, i gjithë grupi i madh, sa ishim, nga gjithë bota, krijoi përshtypje se dinim diçka për të.
Ishte aty para nesh: me plot detaje, dhe me një simetri magjepse. Tempullin e Thesarit apo edhe siç e quajti, në arabishte, shoqëruesi ynë – El Khazneh.
Shikimi na ngrinë mbi pallat. Vërtet mbetemi pa frymë dhe na pushton heshtja për disa çaste. E shikojmë orën. Aty ndodhemi rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë. Nuk e dimë ende se kjo, mbase është koha më e mirë të jemi tek kjo mrekulli e artit dhe arkitekturës botërore, atëherë kur është më së bukuri të jesh aty, dhe kur rrezet e përthyera të diellit i japin pamjen më magjepse Tempullit të Thesarit. Ky është ai çasti kur, duke e shfrytëzuar çastin e emocionit tonë, Hasani, i cili e kishte obligim të na shoqëronte gjatë tërë kësaj vizite, “ia mbathi” dhe u zhbë diku.

Mrekullia e Tempullit të Thesarit dhe Indiana Jones

Ne nisemi drejt tempullit. Kur arrijmë para godinës, si të gjithë të tjerët, fillimisht, ngarrojmë për të bërë foto. Pastaj ulemi në bankat para objektit dhe sodisim mbi të mrekullueshëm. “Nuk e di a mbani mend, por këtu është xhiruar një pjesë e filmit të Stiven Spilbergut, “Indiana Jones”, me Harison Fordin”., na e ngacmon mbamendjen tonë profesori dhe aktori, Mentor Zymberaj. E neve të tjerëve, pamjet nga ai film na vijnë në mbamendje si një kaleidoskop magjik.
Heshtim. Qëndrojmë të mbështetur në ulëse dhe vazhdojmë të shikojmë, e shikojmë, e shikojmë tempullin, thuaja se nuk do të merrte fund asnjëherë ai çast e as soditja jonë mbi mrekullinë e Petrës…
Elementët simetrik të këtij tempulli janë të gdhendur mbi shkëmb, c cili sikur pezullon mbi një masë shkëmbore e cila ngrihet drejt qiellit në një lartësi prej 146 metrave lart! Ajo që është e qartë është se ndërtimi i sajë është bërë me latimin e gurit nga lart-poshtë! Si shumëçka në Petër.
Ata që e ndërtuan këtë tempull ishin, jo vetëm arkitektë të një kohe e ndërtimtarë, ishin edhe “magjistarë”, të cilët me një precizitet të paparë i shfrytëzuan thellimet e natyrshme nëpër ata shkëmbinj, për ta ndërtuar pasqyrën më të qartë të kësaj mrekullie botërore – Tempullin e Thesarit.
Lexojmë mbi një përshkrim narrativ për këtë tempull: ajo që dihet është se ndërtimi ka filluar nga lartësia prej tridhjetë e nëntë metrash, siç u tha, teposhtë. Fillimisht është rrafshuar pllakën mbi të cilën kanë qëndruar ndërtuesit, duke mihur platformën e saj mbi atë sipërfaqen shkëmbore e cila, mëpastaj, është gdhendur që ta fitojë një sipërfaqe të lëmuar. Gjurmët e thella mbi shkëmb, sipas specialistëve, tregojnë se ndërtimtarët me rastin e ndërtimit të kësaj ndërtesë dhe gdhendjen mbi gur i kanë përdorur pajisje të hekurta të quajtura (pijuka).
Mbetjet e materialeve të ndërtimit që janë krijuar me këtë rast, janë futur nëpër godinat e vetëqëndrueshme, ashtu që Tempulli i Thesarit, në të njëjtën kohë ishte shndërruar edhe në një lloj të gurëthyesit.
Ajo që mund të besohet është se ky tempull nuk është ndërtuar, ashtu, i planifikuar aq mirë duke iu nënshtruar rastit ngase, çështjet e statikës së godinës janë zgjidhur në mënyrë vërtet gjeniale duke e mohuar çdo lloj rastësie. Vendi kritik, pjesa përmbi kolona nuk do mend se, pashmangshëm, do të rrënohej nga presioni i madh i shkëmbit mbi tempull. Me një shtyllë, anësore, të madhe në gjashtë kolona është tejkaluar ky problem, ngase, katër kolona janë të lidhura me shkëmbin, ndërsa vetëm dy janë të vetëqëndrueshëm. Në këtë mënyrë është zgjedhur rrethana si dhe tejkaluar problemi i mundshëm ngase është shfrytëzuar vetë shkëmbin si mbajtës i peshës së gjithë godinës.
Numri i vizitorëve te ky tempull është shumë i madh, ne ia dalim që të regjistrojmë me kamerë dhe me aparatin tonë digjital detaje të Tempullit të cilat do të ishin një lëndë e jashtëzakonshme për studiuesit tanë: skulpturat mitologjike, gdhendje të formave të kafshëve ku dominojnë dhelprat; shandanët me qirinjtë, amazonat, kurora e perëndeshës Isida, apo edhe koka e Meduzës me një gërshetë gjarpërinjsh.
Duke i parë këto krijime, monumentale, artistike, kuptohet edhe ajo se, gjatë udhëtimeve të tyre nëpër Mesdheun Lindor, nabeteanët kanë pasur kontakte me kulturat të tjera, me ç’rast ka ndodhur edhe përvetësimi i ikonografisë si dhe simboleve të kulturave krejtësisht të tjera. Nuk është e habitshme as ajo se, kubat fillestarë të Tempullit të Thesarit janë të mbushur me figurat e Zeusit, të Isidës, të Afroditës, të Herkulit si dhe të perëndive të tjerë të Greqisë së lashtë.
Pjesa ballore te Tempullit, i përket arkitekturës klasike, ndërkohë janë të vërejtshme edhe ndikimet e kulturës së Egjiptit si dhe ato romake. Këto detaje ngërthejnë motive të vdekjes: vallëzimi i amazonave, Kastori dhe i Poluksi, të cilët i shpijnë shpirtrat në botën e nëndheshme, e kështu me radhë.
Kur i afrohemi fare, fare pranë tempullit, në hyrje e shohim edhe një govatë të vogël, ovale, me kanalin rrjedhës të cilën e kanë shfrytëzuar në lashtësi për vendosjen e viktimave të flijimit për nder të shpirtrave të vdekur e që ishin kryesisht kafshë, e më shumë erëza, vaj dhe ushqime tjera.
Për gjatë kohë, nuk është ditur se cili ishte funksioni i kësaj godine dhe, fillimisht është konsideruar se ajo as nuk ishte ndonjë tempull, ngase arkitektët nuk kishin gjetur asnjë gjurmë të ritualeve mortore, të sarkofagëve, e kështu me radhë e që ishte e zakonshme për tempuj si ky. Nga fundi i shekullit XX është vënë re se shtegu i pllakosur nga gryka, në ndonjë 300 metra para se të arrihej tek godina, se niveli i dyshemesë, në kohën e nabateanëve, ishte shumë më i ulët seç ishte tani. Ndërsa, misteri i Tempullit të Thesarit është zgjidhur, përfundimisht, në vitin 2003 kur, në një thellësi prej gjashtë metrash nën dhè u zbuluan katër oda të nëndheshme varrimi si dhe skeletet e njëmbëdhjetë meshkujve të varrosur aty. Gjithashtu, me këtë rast janë gjetur edhe grepça për varjen e temianit, që dëshmon se aty ka ekzistuar një mauzole i kohës, e që, sipas të gjitha gjasave duhet të ketë qenë një si varrezë familjare. Bile, kjo është pjesa që sillte një imazh të ri edhe për ne, për dallim nga ajo që kishim mbajtur mend tek filmi “Indiana Jones”, ku, në hyrje të tempullit nuk ekzistonte hapësira e nëndheshme e cila, edhe sot e kësaj dite vazhdon të eksplorohet nga arkeologë ndërkombëtar, me financime zvicerane dhe nuk është e lejuar për vizitorët.
Paratë e gjetura metalike, bashkë me elementët tjerë janë të shekullit të parë, pas Krishtit, që do të thotë kur, këtë vend e ka qeverisur mbreti Aretas i IV-të, portreti i të cilit gjendet në më shumë se 80 për qind të metelikëve të gjetur aty.
S’do mend se ne i respektojmë të gjitha rregullat që të futemi brenda në këtë tempull. Aty, që në hyrje qëndron, i qetë, një vendës i veshur me kostum kombëtar me të cilin fotografohen shumë vizitor. Ne nuk e bëmë foton (fatkeqësisht) ngase radha ishte shumë e gjatë, dhe rrezet e diellit që po shkonte në të perënduar, na i kishte zgjatur hijet nga lindja, gjë që ishte tregues se këtij udhëtimi magjeps, dalëngadalë po i vite fundi.
Sapo futemi në Tempullin e Thesarit dhe shikojmë brenda me shumë kureshtje, në një çast të vetëm sikur zhgënjehemi nga ajo që shikojmë brenda tempullit: një hapësirë të madhe dhe të zbrazët, përtej cilës vazhdohet edhe në dy hapësira të tjera krahore. Habia është edhe më e madhe kur, aty, për dallim nga pjesa e jashtme e Tempullit, me fasada dekoruese, na pret ajo hapësirë e thjeshtë pa asnjë gdhendje të vetme dekorative. Megjithëkëtë, bukuria natyrore e hapësirës – me shkëmbinj me përplot nuanca ngjyrash, të shpërndara jo-proporcionalisht në shirita të gjerë sikur, për një çast, e atrofojnë mungesën e detajeve dhe dekoreve të gdhendura, të cilët, dorën në zemër po prisnim t’i shinim me padurim.
Ndërsa, ajo që mund të thuhet është se, hapësira e brendshme ka ardhur si rezultat i logjikës ndërtimore. Me çekanë të mprehtë gdhendës dhe dalta është krijuar kjo hapësirë, me ç’rast, besohet se, së andejmi, janë nxjerrë diku rreth 6000 metra katror të gurëve.
Në këtë vend, gjithashtu gërshetohen dhe janë në një lloj lufte të përhershme shumë legjenda të kohërave të ndryshme, të vjetra dhe të reja pra, e që kanë të bëjnë me Tempullin. Sipas një legjende, El Khazneh, që në përkthim quhet edhe Tempulli i Faraonit ishte një vend, në maja të të cilit kishte edhe shumë thesare të fshehura (për këtë besojmë se kjo godinë edhe quhet – Tempulli i Thesarit) ishte shndërruar në një destinacion të plaçkitës nga mbarë Lindja e Mesme, por edhe më gjerë. Kjo është arsyeja se përse, nëpër muret e brendshme dhe të jashtme ka shumë gjurmë plumbash, sot e kësaj dite, e që ishte pasojë e përleshjes së “piratëve” që luftonin për atë thesar.

Rruga e fasadave dhe zvicerania e magjepsur

Kur dalim nga Tempulli i Thesarit, në të majtë të tij, kanjoni, avashëm, nisë të zgjerohet dhe arrin një diametër prej rreth 200 metrave, duke u hapur kështu në një rrugë të gjerë, që shpie, tutje, drejt qendrës kryesore të qytetit.
Aty, në fillim të sheshit, e shohim një muzikantë lokal, beduin, i cili nxjerr tinguj nga një instrument tradicional i vendësve, e i cili, të thuash në asgjë nuk dallon nga lahutat e shqiptarëve, as ajo e serbëve apo edhe e malazezëve për përkatësinë e së cilës sillen aq shumë argumente dhe kundër argumente për më shumë se një shekull.
Nga ty shihen godina të mëdha, me dyer të vogla në pjesën e poshtme të tyre. Kjo pjesë e Petrës quhet “Rruga e Fasadave” dhe është e mbushur me shtëpitë e dikurshme. Aty gjenden edhe godinat e dikurshme administrative të cilat janë të pazakonshme dhe të pakonceptueshme për kushtet e sotme. Aty shohim shumë banesa të tilla, ndërsa na tingëllon më shumë si një legjendë urbane, ajo se, diku nga viti 2004, një vajzë e re nga Zvicra, e magjepsur nga bukuritë e qytetit të lashtë, kishte ardhur disa herë për vizita këtu, dhe, më në fund ishte lidhur edhe me një beduinë vendës dhe, bashkë me të kishte krijuar familje. Beduinët tregojnë se zvicerania me të shoqin jeton, diku po në “Rrugën e Fasadave” dhe se kanë sjellë në jetë edhe disa fëmijë… Sikundër e thamë, ne nuk mund ta dimë se sa është një ngjarje e vërtetë kjo, gjithsesi edhe ajo futet në mozaikun e të pamundshmes dhe të mrekullueshmes që e ndeshë njeriu pikërisht tek Petra.
Në “Rrugën e Fasadave”, ndonjë njëzet metra më poshtë nga lahutari, në të majtë, shihen një duzinë e pafundme shkallëve të gdhendura në gurë, fundin e të cilave as nuk përpiqemi as ta pandehim. Shkallë janë kryesisht të rregullta, atraktive, edhe pse, aty-këtu, i ka bre koha. Ato shkallë shpijnë tek Obelisku i viktimave të flijuar për nder të perëndive, lartësia dhe gjatësia e tyre sikur na tremb pak që të ngjitemi atje lart. Gjithashtu as koha e as fuqia nuk na shërbejnë më si në fillim të kësaj aventure të jashtëzakonshme në eksplorimin e njërës prej shtatë mrekullive të kësajbotshme – Petrës.

Amfiteatri i mahnitshëm i Petrës

Pastaj vazhdojmë rrugën teposhtë dhe ashtu, jo larg nga shkallët, arrijmë tek vendi ku ndodhet Amfiteatri i Petrës i cili është i mahnitshëm, veçanërisht për ne që ia kemi përkushtuar jetën botës së Talias. Amfiteatri nuk është i ndërtuar siç ndodh rëndom, por është një objekt i gdhendur në tridhjetë e tre radhë (33), ku mund të përfshihen diku rreth pesëmijë shikues. Amfiteatri është i rrethuar dhe askush nuk na thotë se cila ishte arsyeja që mos të shkonim, të paktën, deri tek skena e të mrekulloheshim, për disa çaste të vetme me këtë objekt madhështor. Por, për fat të mirë, ai amfiteatër është i vendosur në një vend të atillë prej ku shikohet, të thuash, çdo gjë që na intereson. Shirat e mëdhenj që kanë rrjedhur, nëpër kohë, nga shkëmbinjtë e bjeshkës sipër amfiteatrit, tashmë kanë krijuar erozione të radhëve, ndaj dhe, na e thotë mendja se, kjo mund të jetë arsyeja se pse nuk mund të hyjmë brenda amfiteatrit. Mbase edhe për shkak të faktit se skena është e gdhendur mbi “gurë të butë” dhe, ngjitja në të e miliona vizitorëve, vetëm gjatë një viti, mund të dëmtonte lartësinë e saj. Vërtet do të ishte mëkat që të dëmtohej ai panteon.
Kështu ne, nga muri me disa kolona, ku Joni ynë i vogël, me kapelë reperësh insiston t’i bëjmë ca portrete (si Viktori i Unikkatilit), shohim hyrjet, nga të dyja anët e amfiteatrit të përmbyllura në mënyrë harkore prej ku mund të shihet edhe salla e madhe e pritjes së amfiteatrit. Diku nga radhe e fundit për publikun e amfiteatrit, në një shkëmb të natyrshëm, vihen re gropa drejtkëndore dhe nuk mund ta gjykojmë se, a thua ato do të kenë qenë pjesë shtesë të skenës, apo funksioni i tyre do të ketë qenë diçka fare tjetër për kohën. Hakiu, Ismeti dhe Mentori mendojnë se ato hapje në shkëmbinj, mund të kenë qenë lozhat për familjen mbretërore dhe aristokracinë e qytetit kur kanë ardhur në ndonjë shfaqje këtu. Mbase edhe ka logjikë kjo që thonë këta.
Me ardhjen e romakëve, amfiteatri është zgjeruar. Besohet se me atë rast janë shkatërruar disa varreza të vjetra, por se, me atë rast është përmirësuar akustika e amfiteatrit.
Përreth amfiteatrit, ndodhet pjesa e lokalitetit ku edhe tollovitë janë shumë të mëdha. Aty shiten suvenire në formë bizhuterish, magnete të ndryshëm dhe sende të tjera artizanale të punuar në mënyrë modeste, por që e gjejnë blerësin për shkak të kujtimit që mund ta gdhendin në mbamendjen e akëcilit vizitor, aty. Këto bizhuteri nuk janë të shtrenjta. Bile, besoj se nuk kushtojnë më shumë se 2-3 euro për copë. Bizhuteritë e shtrenjta janë ato në dyqanin para Tempullit të Thesarit, ku, për një kujtim, e blejmë një syresh, ndërsa, për befasinë tonë, mund të paguajmë me kartelë të bankës.
Petra, një kujtim i përjetshëm
Tashmë dielli, thaja se, është lëshuar fare poshtë mbi male dhe, ne e kuptojmë se është koha që këtu ta këputim këtë udhëtim, edhe pse mbetet, si gjithmonë, shumëçka pa u parë e pa u thënë. Ndërsa dielli, edhe pse ka ikur goxha kohë, megjithatë rrezet e tija përcëllojnë, dhe kur shikohemi ndërmjet veti e shohim se kush prej nesh është skuqur si në disa ditë plazhi. Ne, të kënaqur me këtë vizitë, vendosim të dalim nga lokaliteti. Fundja, na pret edhe një rrugë e gjatë deri në Aman duke u kthyer po të njëjtës grykë, së cilës kishim arritur deri këtu. Kështu, i biem sërish nëpër “Rrugën e Fasadave”, andej nga Tempulli i Thesarit, nëpër kanjon, me një hap të ngadalshëm, pa nxitim dhe forcim të tempit të ecjes. Të gjithë jemi plot entuziazëm. Është e habitshme me sa vëmendje ishim zhdjergur kanjonit ngaqë, të thuash, nuk kishte ngelur një detaj i vetëm i vërejtshëm që nuk e kishim mbajtur mend. E ndiejmë lodhjen, gjë që s’është e habitshme ngase kemi më shumë se dhjetë orë që ishim në lëvizje. Edhe tek njerëzit që i takojmë e vërejmë të njëjtin entuziazëm si ky yni. Të gjithë janë të kënaqur për atë që e kishin përjetuar. Nga mesi i grykës i takojmë dy beduine të cilat i shtypin dikujt mesazh në të njëjtin telefon dhe mendojmë se sa është zvogëluar bota. Disa herë, të lodhur e të shkërmoqur, deshëm të marrim me qira ndonjë kalë arab, të cilin ta ofertojnë, me pagesë beduinët, por, ideja se, mbase më nuk do të kthehemi ndonjëherë në këtë vend, na bënte që ta konsumojmë edhe këtë kohë të pakët, të mbetur për ne. Bile, njëri prej atyre që deshi të na kryej shërbimin “taxi” me karrocën e tij, ishte pikërisht shoqëruesi ynë, Hasani, për shërbimin e të cilit kishim paguar bashkë me biletën e vizitës, e i cili po shtirej sikur nuk po na njihte. “Heu Hasan, heu”, i thirri dikush prej nesh, por ai vazhdoi t’i fuste veshët në të shurdhër. Ndërsa, një tjetër “taksixhi” me deve, kur e merr vesh se jemi nga Kosova, nisi të na joshte duke na treguar se, dy vjet kishte shërbyer në Kosovë, në kuadër të UNMIK-ut dhe se kishte kujtime të bukura për vendin tonë.
Kur arrijmë tek laura e hyrjes në kompleksin e Petrës, nga larg i vëmë re miqtë tanë, artistët nga Belgjika të cilët ishin ulur në trotuar, pranë mikrobusit tonë për të na pritur. Ata e kishin sfiduar veten e tyre duke mos e vizituar Petrën. Pas pak, pas nesh, në dalje të kompleksit, arrin edhe shoferi i autobusit me gruan dhe djalin. Edhe ata janë të entuziazmuar. Ngjitemi në autobus dhe nisemi për në kryeqytet.
Rrallë na ka ndodhur, mbase, që, tërë atë rrugë të gjatë, katër orësh, kur po e çanim shkretëtirën mes përmes, ndërsa rrezet e diellit, po zhbëheshin mbrapa kodrinave, të gjithë po heshtnim. Heshtje e pafundmë. Kemi heshtur deri tek hoteli ynë, ndërsa kujtimet për Petrën gurgullonin për ne.
Një ditë e mrekullueshme në vizitë të njërës prej shtatë mrekullive të botës kur ne, vërtet, ndihemi të mrekulluar nga Petra – ky kujtim i përjetshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Këngëtari Besnik Dragaj e ka publikuar klipin e këngës “Një…