QKUK-ja përballet me mungesë të anesteziologëve

23 maj 2018 | 10:55

Kosova ka mungesë të theksuar të mjekëve anesteziologë. Brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë rreth 45 anesteziologë.

Por, drejtori i Repartit të Anesteziologjisë, Nehat Baftiu, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se sipas një studimi të brendshëm, që të plotësohen nevojat e këtij institucioni me anesteziologë, për gjithsej 32 salla operative sa ekzistojnë, do duhej të ishin rreth 100 anesteziolog.

Ndryshe, këto ditë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do të hapet mjekimi i ri intensiv që do të shërbejë për pacientë.

Sipas Baftiut, mbulimi me mjekë anesteziologë atje do të jetë i vështirë.

“Ne jemi në deficit me mjekë, jo sot por prej fillimit. Menaxhojmë një hapësirë tepër të madhe brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe numri i mjekëve nuk po shtohet. Ata që po specializojnë anesteziologjinë po shkojnë të punojnë privat dhe jashtë vendit për paga më të mira. Jemi rreth 45 anesteziologë gjithsej për gjithë QKUK-në. Tash po shtohet numri i shtretërve, në 27 shtretër. Kam kërkuar nga drejtoria mjekë anesteziolog, por ata kanë sjellë infermierë. Nuk e di çka do të bëjmë sepse reparti intensiv i kardiokirurgjisë po bëhet me më shumë shtretër dhe duhet t’i dërgojmë 2 anesteziolog atje. Ortopedia gjithashtu ka shtuar shtretër, gjinekologjia dhe ne jemi në deficit me anesteziolog”, ka thënë Baftiu.

Në anën tjetër, drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë me dije se mjekimi intensiv dhe anesteziologjia kanë qenë si drejtime që viteve të fundit iu është dhënë prioritet, pasi që numri i specialistëve në këto fusha ka qenë i kufizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar 77 qytetarët…