“Qyteti i trëndafilave”, i preferuari i rreth 25 mijë turistëve vendas

01 nëntor 13:28

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Ligor Thanasi, në një prononcim për ATSH-në, tha se “rreth 25 mijë turistë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe shumë të huaj kanë vizituar qytetin tonë, që është i njohur për vlerat që ka, si dhe për mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera”.

Qyteti i Përmetit është i vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhëmbelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël, nga shtrirja gjeografike, por i madh nga vlerat e shumta të tij historike, kulturore e natyrore.

Në këtë qytet, çdo turist vendas apo i huaj ka mundësinë të frekuentojë shumë vende të bukura të kësaj zone si brenda në qytet, ashtu dhe jashtë tij.
Një panoramë e mrekullueshme ku gërshetohen me njëra – tjetrën janë kanionet e Lengaricës me bukurinë e tyre, lumi i Lengaricës, Ura e Katiut prej guri me një hark të madh e ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Ura e Dashit, etj.

Një tjetër karakteristikë e veçantë e kësaj zone janë dhe kishat shumë vjeçare të pozicionuara sidomos në fshatra si: Kisha e Shën Marisë, fshati Leusë, Kisha e Shën Marisë fshati Bënjë, Kisha Shën Marisë fshati Kosinë, Kisha Shën Ilia e fshatit Bual, Kisha e Shën Marisë fshati Perat, etj.
Në zonën e Përmetit pikasin në mënyrë të veçantë fshatrat karakteristike me shtëpi dhe sokaqe prej guri, të cilat i japin një tjetër vlerë turistike kësaj zone, si fshatrat Kosovë, Ogdunan, Bënjë dhe Lipë e vjetër.

Ujërat termale të Bënjës gjenden 14 km larg nga qyteti i Përmetit, është një monument natyror ku mbizotërojnë pesë burime nëntokësore ujore me bazë sulfurore, të cilat janë cilësuar si burime me vlera kuruese për sëmundje të ndryshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Më 27 tetor të këtij viti Konfederata Kulturore e Shoqatave…