Edhe vajzës së Nelson Mandelës i dhurohet libri “Mashtrimi i Madh”

01 nëntor 2017 | 13:28

Krahas përfaqësuesve të komuniteteve të shumta kulturore që jetojnë në Danimarkë në këtë mbrëmje ishin të pranishëm edhe përfaqësues të skenës politike daneze dhe diplomatë ndërkombëtarë.
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Kastriot Robo dhe stafi i ambasadës kishin përgatitur një stendë ku përfaqësoheshin në mënyrë dinjitoze specialitetet shqiptare nga të gjitha trojet tona. Me ftesë të ambasadorit Kastriot Robo në këtë manifestim kulturorë ishin edhe Ibrahim Xhemajli, Ixhet Lutfiu dhe Adnan Aliti nga Radio Televizioni “Zëri i Kosovës” që funksionon në Danimarkë.
Krahas transmetimit për teleshikuesit e vet, Ibrahim Xhemajli, Ixhet Lutfiu dhe Adnan Aliti shfrytëzuan rastin që personaliteteve politike dhe intelektuale të pranishëm në këtë mbrëmje t’ua shpërndajnë librin “Mashtrimi i Madh” të autorit Bardhyl Mahmutit, libër që në mënyrë shkencore argumenton se në Kosovë shteti serb ka kryer gjenocid.
Nga personalitetet e shumta të cilëve iu dhurua libri “Mashtrimi i Madh” ishin ambasadorja e Afrikës së Jugut, znj. Zindzi Mandela (vajza e Nelson Mandelës).
Pa pasur iluzione se leximi i këtij libri nga një personalitet shumë i rëndësishëm dhe me influencë në vendin e vet do të ndikojë që Republika e Afrikës së Jugut ta njeh pavarësinë e Kosovës, së paku znj. Mandela do të njoftohet për zbatimin e politikave të segregacionit që janë përdorur kundër një populli në një shtet të Evropës përgjatë tërë shekullit XX, politikë që në fund mori formën e gjenocidit.
Si personalitet tjetër po përmendim Karsten Fledelius, ekspert i çështjeve Ballkanike, ligjërues në Universitetin e Kopenhagës dhe njëherësh kryetar i Komitetit Danez të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Fledelius është i njohur për publikun edhe për faktin se ka qenë kryetar i Shoqatës së Miqësisë Danezo-Serbe.
Të shpresojmë që libri në fjalë t’i jep mundësi Fledeliusit, që ndër lëndët e shumta që ligjëron është edhe “Teoria dhe analiza e fakteve”, të konfrontoj argumentet që i ka pasur deri tani në dispozicion dhe të sheh realitetin edhe nga një këndvështrim tjetër. Po ashtu, libri iu dhurua edhe Kaj Larsen, personalitet autoritativ në Danimarkë që është kryetar i Konfederatës së Shoqatave të Huaja në Danimarkë.
Mbesim me shpresë se përmes kësaj mënyre do të përhapim të vërtetën për gjenocidin serb në Kosovë.

Radio Televizioni “Zëri i Kosovës” në Danimarkë
Redaktor përgjegjës dhe producent
Ixhet Lutfiu

Në foto: Adnan Aliti, Ibrahim Xhemajli, Ambasadorja Mandele dhe Ixhet Lutfiu

Në foto: Ixhet Lutfiu dhe Kryetari i Konfederatës së Shoqatave të Huaja, Kaj Larssen

Në foto: Ixhet Lutfiu, Karsten Fledelius, shoqërueja e tij dhe Ibrahim Xhemajli

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ardiana Avdiu Memeti është një krijuese e re nga Ferizaj…