Rektori i UP-së vizitoi njësitë akademike ku po mbahen provimet pranuese për studentët e rinj

19 korrik 2018 | 16:39

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka vizituar të enjten njësitë akademike ku janë mbajtur provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj të UP-së.

Rektori Dema gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij: prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Merita Berisha si dhe këshilltari i tij, prof. Rrustem Qehaja.

Në fjalën drejtuar të pranishmëve, rektori Dema u shpreh i kënaqur me përgatitjet që janë bërë rreth organizimit të këtij provimi.

Ai u dëshiroi suksese kandidatëve, teksa u premtoi që pjesë e Universitetit më të madh në vend do të jenë kandidatët më të mirë. “Ky Universitet është kaq madhështor falë faktit që çdo herë në këto porta kanë hyrë studentë të cilët kanë arritur të bëhen të mëdhenj në karrierën e tyre. Ata me njohuritë e fituara i kanë shërbyer vetës, familjes, kombit dhe komunitetit në përgjithësi”, ka thënë Dema.

Rektori Dema gjithashtu ka inkurajuar kandidatët që të punojnë drejt arritjes së synimeve të tyre. “Rrugët e vështira janë çdoherë ato që ju dërgojnë tek destinacionet më të bukura. Andaj, shpresoj që ky udhëtim i nisur sot të mos përfundoj këtu, por të ketë fundin tek realizimi i synimeve tuaja, duke u aftësuar për profesionin që tashmë keni zgjedhur”, është shprehur Dema.

Në anën tjetër, dekanët e njësive akademike si dhe profesorët mbikëqyrës e informuan rektorin Dema se gjithçka rreth organizimit të provimeve pranuese po shkon sipas planifikimit dhe se nuk është raportuar ndonjë pakënaqësi nga ana e kandidatëve.

Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2018/2019, do të regjistrojë 7 066 studentë, prej të cilëve 6 156 studentë të rregullt dhe 910 me korrespondencë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampioni i botës në Formula 1, Lewis Hamilton do të…