Sejdiu te Udinese

15 Janar 15:22

Trajneri Gani Sejdiu në sezonin vjeshtor punoi me Feronikelin dhe Trepçën ’89, por tash vazhdon të jetë trajner i lirë. Mosangazhimin në ndonjë klub Sejdiu dëshiron ta shfrytëzojë maksimalisht duke fituar përvojë të re në zejen e trajnerit.

Ai për “Epokën e re” ka thënë se në muajin e ardhshëm do të shkojë në Itali për ta parë nga afër punën që e bën skuadra e Udineses. Këtë mundësi Sejdiut ia ka ofruar futbollisti i njohur shqiptar Valon Behrami, i cili është pjesë e kësaj skuadre. “Jam trajner i lirë dhe nuk dëshiroj ta humbi kohën kot. Duke iu falënderuar futbollistit Valon Behrami, në mesin e muajit shkurt do të shkoj në Itali te skuadra e Udineses, ku do të qëndroj dhjetë ditë. Atje do t’i përcjell stërvitjet e këtij klubi dhe dua të pasurohem edhe me disa materiale shtesë për rolin e trajnerit. Aty do t’i shoh edhe përgatitjet që i bën Udinese nga loja në lojë dhe të marrë informata më të plota për stërvitjet”, ka thënë Sejdiu.

Më pas, ish-trajneri më i mirë në futbollin e Kosovës ka thënë se një praktikë e tillë është e domosdoshme për të gjithë trajnerët në vend, pasi kapaciteti i tyre shtohet vetëm duke parë dhe marrë informacione nga klubet e mëdha evropiane. “Nuk diskutohet se ne trajnerët në Kosovë kemi nevojë të madhe që të marrim përvoja të reja nga klubet ndërkombëtare. Për mua personalisht është privilegj që do ta kam mundësinë ta shoh nga afër punën që e bën një klub siç është Udinese në ligë aq të fortë sa është ajo e Serisë A”, ka deklaruar Sejdiu.

Trajneri në fjalë e ka shkruar historinë vite më parë me skuadrën e Feronikelit, duke u shpallur për herë të parë kampion të Kosovës.

Nuk kam marrëveshje me Vllazninë

Një prej trajnerëve më të mirë në vend, Gani Sejdiu, ka folur edhe për zërat se ka arritur marrëveshje me skuadrën e Vllaznisë nga Pozharani. Ai e ka mohuar një gjë të tillë, duke bërë me dije se kontaktet me drejtuesit e këtij klubi kanë qenë vetëm para përfundimit të sezonit vjeshtor. “Nuk kam asnjë marrëveshje me Vllazninë, por jam ende trajner i lirë. Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë për arritjen e marrëveshjes me këtë klub, por edhe kontakte me drejtuesit e Vllaznisë nuk kam pasur që prej fundit të sezonit vjeshtor”, ka deklaruar Sejdiu.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Ousmane Dembele është dëmtuar sërish. 10 ditë pasi u kthye…