Shtyhet votimi i rekomandimeve të Vetëvendosjes për rastin Dehari

23 mars 2018 | 11:12

Rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje për rastin e vdekjes së Astrit Dehari nuk janë votuar as sot.

Kjo është bërë me kërkesën e shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Ai ka thënë se rekomandimet për rastin Dehari nuk mund të votohen, pasi disa deputetë të Vetëvendosjes janë në paraburgim, dhe sipas tij nuk ka kushte për votim.

“I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që t’i lirojnë deputetët. Kërkojë që të shtyhet votimi, pasi nuk mund të trajtohet pa lirimin e deputetëve”, ka thënë Konjufca, raporton “lajmi.net”.

Kërkesa e Vetëvendosjes është përkrahur edhe nga të gjitha partitë e tjera në Kuvend.

Për rastin Dehari, Kuvendi ka debatuar më 16 mars 2018. Seanca ishte shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit.

Rekomandimet e Vetëvendosjes për rastin Dehari janë që të ketë hetim ndërkombëtar. Po ashtu si rekomandim është edhe dorëheqja e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxhës, e cila në kohën kur ka vdekur Dehari ka qenë ministre e Drejtësisë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea ka bërë hapin e parë për transferimin e sulmuesit…