Strehimi nëpër gëzhoja artistike

11 Janar 20:08

Nga Haqif MULLIQI

Ndarja e teatrit në atë letrar, regjisorial, post-regjisorial, politik, epik, psikologjik, etnoteatër etj., asnjëherë nuk e kam pasur të qartë deri në fund. Madje, sinqerisht, as edhe nuk e kam pranuar atë ndarje si ndonjë formë valide e përcaktime në jetën time artistike në dramaturgji dhe teatër.

Unë me teatër merrem ngase, mendoj se, vetëm nëpërmjet tij, në masën e duhur për mua, ia dal që të reflektojë në një mënyrë më të artikuluar, e mbase edhe që të lirohem nga të gjitha dramat e tjera jetësore – personale apo shoqërore nëpër të cilat, pareshtur më futë jeta ime reale.

Për mendimin tim, të merresh me teatër nuk është kurrfarë shërbimi që i bëhet literares e as ndonjë ruajtje e vetëdijshme e dofarë “idealeve estetike”, por, mbi të gjitha është një përpjekje për ta përjetuar një jetë më thjeshtë, si më të zakonshme e më të përditshme. Ndonjëherë më të “krisur”, apo edhe si një jetë më komike apo më tragjike, vetjake, apo edhe të përbashkët shoqërore (ndonjëherë edhe kombëtare) të cilës i përkasim. Apo edhe si kërkimit i ndonjë esence kuptimore minimale në kaosin në të cilin ndodhemi sot, edhe kaq vjet pas luftës.

Tekefundit, njeriu nuk është as ndonjë dhi e as majmun, as gomar e elefant, ngase, është e qartë se, ai është në gjendje të mendojë, të ndjejë apo edhe të krijojë gjykimin e vetë lidhur me atë që ndodhë me të apo edhe me njerëzit përreth tij. Dhe kështu, mund të themi se njeriu, në fakt, merret me njerëzit tjerë edhe me veten e tij. Ndërsa, aq sa njerëz ekzistojnë, po aq jetë të ndryshme dhe biografi ekzistojnë. E, jetët e individëve janë të ndërlidhura në një jetë të përbashkët (Harvud) të cilën dikush mund ta quaj edh jetë të popullit, dikush tjetër jetë të klasës apo edhe të shoqërisë etj.

Këtu, besoj se mund të parashtrohet edhe pyetje të tjera si ajo se sa arti teatror, apo edhe akëcili art tjetër, mund të arrijë më larg se sa vetë jeta!? “Më larg se jeta!?” (Pirandelo). Më larg jo, assesi, por, mbase, disi, më afër. Fundja, roli i teatrit nuk është që të shkojë më larg se jeta, po sa më afër saj. Dhe kjo është, mbase arsyeja se përse, përpos poetit dramatik dhe, natyrisht aktrimit, çdo gjë tjetër në teatër është më pak e rëndësishme.

Duke ia përshkruar interpretuesit, reprodukuesit, aktruesit etj., rëndësinë më të madhe se sa të shkrimtarit në teatër, nuk është e rastit që arrijmë tek pika kur një tekst dramatik, në vepër pra e shkruar, nuk del të jetë asgjë më shumë se sa “një e keqe e domosdoshme” në këtë art. E kjo është edhe arsyeja se përse, ta themi, jo rrallë gjejmë të flitet për “Hamletin” e Olivies, për “Mbretin Lir” të Strehlerit, për “Tri motrat” e Steinit, “Duke pritur Godonë” e Minadakisit, ndërsa, diku në sfond, në mënyrë fare modeste (dhe si me turp), mbase, gjithë këtë e vështrojnë Shekspiri, Çehovi apo edhe Beketi. E kjo i bie sikur “Simfoninë e nëntë” të Bethovenit t’ia atribuojmë Karajanit.

Nëse kjo do të duhej ta nënkuptonte konceptin e një teatri sa më “larg letërsisë”, atëherë, nuk do mend se për këtë marrëzi të pafalshme, megalomane e ngapak morbide, fajin në asnjë mënyrë nuk do të duheshim kërkuar tek Olivie, Strehleri, Stein apo edhe Minadakis.

Ndonjëherë më pllakos një makth. Madje, mendoj edhe se “teatri shqiptar” mezi po mbijeton. Ndonjëherë edhe se ai nuk ekziston fare. Ç’trishtim.

Se është teatër i pa identitet dhe ky është problemi më i madh ndër problemet e tjera të mëdha të njerëzve që merren me të. Bile, edhe sikur më krijohet një si bindje se ai është vetëm një fiksim i disa njerëzve të caktuar Fatmirë apo Fatkëqij (Mrozheku). Njerëz si puna ime. Po, po, fiksim, përveçse, i atillë, nuk duhet konsideruar, apo më mirë thënë, të atillë nuk konsiderohet teatri në të cilin flitet në gjuhën shqipe. Por, meqë, tashti në teatër mbretëron një trend që fjala poetike të zëvendësohet me gjimnastikë skenike (Drita Krasniqi) si dhe me mjete të tjera shprehëse të teatrit, e gjejmë se në teatrin bashkëkohor ka gjithnjë e me pak tekst dhe shumë më shumë improvizë. Shi për këtë na ngufatë frika e ankthshme se “teatri shqiptar” mund të zhbëhet një ditë. Do zhduket – ngadalë, por sigurt.

Njeriu, për dallim nga të gjitha speciet tjera e posedon dhuntinë e të folurit e që përmes saj ta thotë edhe të vërtetë për vete si dhe të vërtetën për të tjerët. Të flasësh do të thotë të jesh edhe i guximshëm. Ndërsa, jo edhe aq rrallë ngjan që e themi një të vërtetë vetëm atëherë kur duhet që përmes saj ta fshehim një të vërtetë tjetër. Apo, ndoshta edhe mos ta dëgjojmë apo edhe shohim atë të vërtetë (tjetër) sepse kjo na leverdis për një çast të jetës sonë!
Krejt kjo u përngjason, më shumë, formave të të folurit që e karakterizojnë operetën, e që, në fakt e nënkupton më shumë se çfarëdo tjetër argëtimin tonë.

Argëtimin i cili, të thuash, askënd mbi këtë tokë nuk e obligon bash për asgjë. Për këtë kjo nuk është e folura të cilën e ka përdorur Sofokliu në veprat e tija; e as Shekspiri, as Molieri, as Ibseni, as Shou, as Pirandelo, as Çehovi, madje as Pashku, Qosja, Shkreli, Krasniqi, Dervishi, Kryeziu etj., për çfarë edhe aktorët e edhe regjisorët (këta që s’e shqiptojnë dot asnjë fjalë shqipe) e më së shumti kritika teatrore i gëzohen aq shumë ngase kanë mundësi që të rreken me çështje krejtësisht formale, gjoja se estetike, apo dramaturgjiko-teatrore e jo me esencat e poetikës së dramës dhe të teatrit në veçanti e që është masa që më së afërmi i afrohen kuptimit të jetës sonë.

Kështu edhe, përditshmërisht, krijohet një formë e re “strehimit” nëpër disa gëzhoja artistike dhe kështu, thuaja se askush nuk po e sheh, apo, mbase, edhe nuk po dëshiron ta shikojë se, rreth estetikave tona, se si vërdallosen rreth nesh halabakët e politikës, shërbëtorët e tyre nëpër institucione si dhe keqbërësit tjerë, paçka se flakadanët e trishtimit për të ndodhurat janë ndezur qëmoti. Për këtë krijohet përshtypja drithëruese se kështu, sikur, të gjithë ne, në fakt, po luajmë në një teatër që, ndoshta është teatri ynë.

Teatër brenda gëzhojave: i të përkthyer apo edhe fizik, me regjisorë noksan të importuar dhe të paguar mirë, duke mos e kuptuar, në fakt, se kështu po e vrasim artin më sublim që e ka krijuar njeriu. Po vritet teatri ynë.

Mua vazhdimisht më kanë interesuar dhe më interesojnë njerëzit. Fatet e tyre. Veprimet që bëjnë ata. Do të thotë se më intereson jeta në të gjitha format e paraqitjes së saj. Më duhet ta pranoj (me keqardhje) edhe se më interesojnë edhe politikanët dhe politika e tyre. Kjo, ngase edhe ata, në fund të fundit, janë edhe njerëz. Jo rastësisht thuhet se shkrimtarët e dramave (dramaturgët) i njohin më së miri njerëzit dhe jetën e tyre.

Në mos më mirë, atëherë, në mënyrë fare, fare të ndryshme nga personat e tjerë. Për këtë ndodh që t’i njohim “më mirë” edhe miqtë, edhe fqinjët apo edhe armiqtë tanë. Por ta njohim edhe veten tonë, pasi që ne, në jetën tonë reale, pra në atë që mund ta konsiderojmë edhe në jetë jo-dramatike dhe jo-teatrore, jo rrallë, përpiqemi dhe bëjmë gjithçka është e mundshme që të mos shpërfaqemi dhe të mos jemi, në fakt, ata që, në të vërtetë, jemi!
Besoj dhe jam i bindur se Shekspiri i ka njohur shumë mirë njerëzit në të gjitha shtresimet e tyre duke depërtuar kështu tek të gjitha fshehtësitë që kanë ata, madje duke arritur edhe tek ëndrrat e tyre. Ndaj dhe edhe sot e kësaj dite e konsideroj se është aq shumë e shërbyeshme dhe veçanërisht didaktike që të futemi nëpër sirtarët me dosje të personazheve (në fakt të njerëzve) të tij, sepse kjo na mundëson që të mësojmë sa më shumë edhe për ato personazhe, e ndonjëherë më shumë edhe për veten ton se për ato fytyra dramatike shekspiriane.

Kjo është arsyeja se përse duhet të shfletohen ato dosje, t’i studiojmë mirë e mirë dhe, tek më pas të nxjerrim ndonjë konkluzion për ato personazhe të cilësdo madhështi të jenë ato! Njëlloj mund të punohet edhe me një numër të respektuar të dramaturgëve tanë. Sepse të gjitha këto personazhe i ruajnë fshehtësitë e tyre, e që mund të jenë edhe fshehtësitë tona.
Shi për këtë, po iu shmangëm një analize të këtillë, atëherë nuk do të mund t’ia dalim aq lehtë as në përballje me Hamletin, as me Magbethin, as me Mbretin Lir, as me Rikardin as me fantazmat, as me perënditë e as me shtrigat. Por as me Beselamin, Lulashin dhe Luluan, Antigonën e re, Deli Ukën, Konstantin Lojtarin etj.
Tekefundit, besoj se, tashmë e kemi të qartë se, nuk është e lehtë t’ia dalim në krye as me pushtetmbajtësit e cilësdo kohë, pra as të kësaj sonës. As me moralin publik (të rrejshëm, kryesisht) të tyre e, si rrjedhojë as me vetë njerëzit si krijues të tyre.

Sikundër e thotë diku edhe Anui: ndonjëherë me kafshët mund t’ia dalim shumë më lehtë se sa me njerëzit! Dhe, nëse vërtetë mu këtu qëndron i fshehur edhe ndonjë angazhim imi kritik mbi jetën dhe vdekjen, atëherë më duhet ta pranoj hapur se me këtë pajtohem plotësisht.

Të përpiqem e të rikthehem edhe njëherë në fillim! Mendoj se për t’u ndërtuar një teatër është një ndërmarrje shumë e vështirë dhe se kjo kërkon mund, sakrificë por edhe dije. Po. Ky është një fakt që krijuesit e dramës dhe të teatrit të vërtetë e përjetojnë në çdo përpjekje të tyre që të bëjnë diçka serioze për këtë art. Jo fizkulturë dhe cirk. Ndërsa, mosarritja e kësaj duhet të përjetohet si një disfatë e dhimbshme në punën tonë (edhe timen pra) të vazhdueshme (ndoshta edhe kryeneçe) për dhe rreth dramës shqipe dhe teatrit, që nga studimi i artit të të aktruarit, studimi i hapësirave skenike e deri tek fenomeni i operës dhe baletit, që, fatkeqësisht, hë për hë, s’është asgjë më shumë se sa një plugim nëpër detin e pafundmë, punë kjo të cilën dikush, madje, e quan edhe: aktivitet në veprimtari shoqërore.
Por, kjo, mbase, nuk duhet të konsiderohet të jetë edhe ndonjë alibi personale a dëshpëruese për vetë faktin se edhe Atdheu ynë, Kosova, është gjetur në një gjendje të këtillë – njëllojshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se…