Vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë

02 mars 17:58

Si hap i parë i takimit të djeshëm midis dy ministrave të jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Kono dhe Behgjet Pacolli në Tokio, të premten ka mbërritur nota verbale japoneze me lajmin e mirë për qytetarët e Kosovës.

Japonia ka pranuar menjëherë kërkesën e ministrit Pacolli, që vizat për qytetarët e Kosovës që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen në Ambasadën e Japonisë në Tiranë.

Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke pasur parasysh se deri më tani vizat për ta jepeshin në ambasadën e Japonisë në Vjenë.

Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze ka premtuar se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Evropian do t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, dita e dytë e vizitës së ministrit të jashtëm të Kosovës dhe numrit dy të qeverisë, i shoqëruar nga ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio, kishte në fokus bashkëpunimin ekonomik me Japoninë, njërin nga tre vendet më të zhvilluara ekonomike të botës dhe donatorët kryesorë në rrafsh botëror.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur të…