​Kuvendi miraton projektligjin për KPK-në, Kurti falënderon deputetët

14 prill 2022 | 14:25

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, ka falënderuar deputetët që në parim i dhanë mbështetje një projektligji të rëndësishëm për sistemin prokurorial dhe jetik për shtetin e së drejtës.

Ai ka thënë se ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokuroreve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla.

“Falënderoj deputetët e Kuvendit që me 63 vota për në seancën e sotme i dhanë mbështetje në parim një projektligji të rëndësishëm për sistemin prokurorial dhe jetik për shtetin e së drejtës. Më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë. Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”, ka shkruar Kurti.

Shefi i ekzekutivit tha se ky projektligj do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial.

“Përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj. Projektligji i votuar sot do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto të domosdoshme e aq të munguara brenda sistemit të drejtësisë. Ky është vetëm fillimi i reformës”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën…