​“Trepça” e ndarë, asnjë komunikim me menaxhmetin në pjesën veriore

12 gusht 2018 | 13:58

Gjiganti metalurgjik “Trepça” i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe në jug me minatorë shqiptarë, edhe pas 19 vjet të përfundimit të luftës në Kosovë, nuk është duke u rimëkëmbur.

Ushtruesi i detyrës së menaxherit në këtë ndërmarrje, Miftar Hyseni, ka thënë se situata aktuale në “Trepçë” nuk është e mirë dhe ka rënie të prodhimit, ndërsa nuk pret që së shpejti të ndodhë ndonjë përmirësim.

Ai në një intervistë për “Kosovapress”, ka bërë me dije arsyet e kësaj gjendje, duke potencuar në rend të parë mungesën e fuqisë punëtore.

Hyseni ka fajësuar të gjithë për situatën e paqartë të krijuar në “Trepçë”, duke thënë se duhet një qasje më serioze, nga Qeveria, menaxhmenti, sindikata, dhe të gjithë të punësuarit, në mënyrë që të zgjidhet problemi dhe në të ardhmen kjo ndërmarrje të zhvillohet.

Sa i përket bashkëpunimit në mes të menaxhmentit të “Trepçës” nga veriu dhe jugu, Hyseni ka thënë se deri vonë ka pasur kontakte, shkëmbim të pajisjeve dhe retromaterialeve, por jo ndonjë bashkëpunim konkret dhe të mirëfilltë.

Hyseni ka bërë me dije se tani ky bashkëpunim është ndërprerë, sidomos prej formimit të bordit për “Trepçën”. Ai ka theksuar se në këtë situatë të re, e cila është krijuar kohët e fundit në ndërmarrje, veriorët kanë një qasje krejt ndryshe ngase instruksionet i marrin nga Beogradi.

Më tutje ai ka thënë se ndarja eventuale e vendit do të ishte në dëm të “Trepçës”, derisa ka theksuar se rreth 20 për qind e rezervave gjeologjike minerare gjenden në veri të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Napolit ka bërë një ofertë gjatë kësaj javë…