100-ditëshi i qeverisë u karakterizua me vendime të rëndësishme

02 janar 2018 | 08:39

Lideri i Nismës për Kosovën, njëherësh zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, është shprehur i kënaqur me punën e deritanishme të koalicionit qeverisës.

Ai ka thënë se 100-ditëshi i parë i kësaj qeverie është karakterizuar me marrjen e vendimeve të rëndësishme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Limaj ka vlerësuar se e arritura kryesore ka qenë nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’.

Sipas tij, tremujori i parë i qeverisë flet për një dinamikë të re të punës dhe për zgjidhjen e problemeve një nga një. Limaj është shprehur i bindur se demarkacioni me Malin e Zi do të përfundohet brenda muajit janar.

Ai ka theksuar se në këta dymbëdhjetë muaj partia që ai drejton ka arritur rezultate të mira dhe, sipas Limajt, 2017-a ishte vit i Nismës për Kosovën.

“Epoka e re”: Z. Limaj, çfarë vlerësimi keni për 100-ditëshin e qeverisë Haradinaj? Cilat janë të mirat dhe të këqijat e saj? 

Limaj: 100-ditëshin e Qeverisë së Kosovës e ka karakterizuar marrja e disa vendimeve të rëndësishme, një pjesë e tyre kanë pasur efekte të menjëhershme, kurse pjesa tjetër pas 1 janarit të vitit 2018 do ta kenë efektin në sektorë të caktuar, për çka edhe janë marrë ato vendime. Në këto 100 ditë qeverisjeje janë marrë shumë vendime, por kulmi i këtij 100-ditëshi është nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’. Pas 18 vjetëve angazhim të qeverive të mëparshme, tash është finalizuar marrëveshja për fillimin e ndërtimit të këtij termocentrali të ri, që është investimi më i madh që ka ndodhur në Kosovë, në vlerë prej mbi një miliard dollarësh. Prandaj ky është kulmi i këtij 100-ditëshi. Ky projekt përfundimisht e nxjerrë nga kriza dhe varësia energjetike Kosovën, duke e kthyer në një fuqi për të qenë e pavarur në sektorin energjetik. E veçanta e kësaj qeverie, në këto 100 ditë, është se kemi filluar të merremi me problemet një nga një. Ne kemi dashur ta çojmë sinjalin se në krye të punëve janë njerëzit që po merren me secilin problem veç e veç. Një qeveri e cila e ka shtuar dinamikën dhe e cila nuk i lë anash problemet, por i nxjerrë para vetes dhe fillon t’i zgjidhë një nga një.

“Epoka e re”: Jeni i kënaqur me hisen që ju është dhënë brenda këtij kabineti qeveritar dhe me punën e ministrave të Nismës?
Limaj: Marrëveshja e koalicionit reflekton fuqinë politike dhe ne jemi aty me fuqinë tonë politike. Jam i kënaqur me punën e deritashme të ministrave. Ministrat janë të përqendruar për zbatimin e programit qeverisës dhe brenda këtij programi janë zotimet që Nisma për Kosovën i ka dhënë gjatë fushatës. Ata janë të fokusuar për kryerjen e detyrave të veta, por nuk është e lehtë. Ministrat janë të përkushtuar me energji pozitive dhe me vullnet për ta bërë punën më së miri. Tash duhet t’i shohim rezultatet edhe vitin e ardhshëm.

“Epoka e re”: Duke pasur qëndrime të ndryshme brenda koalicionit qeverisës për demarkacionin, si mund ta kryejë me sukses këtë çështje ky kabinet qeveritar?
Limaj: Në tema nacionale siç është demarkacioni, vendit i nevojitet konsensusi dhe unë pres që demarkacioni të përmbyllet. Pres që në muajin e ardhshëm të shkojmë dhe ta kemi shumicën në Kuvendin e Kosovës për ta përmbyllur këtë çështje. Demarkacioni do të jetë variant i cili do t’i respektojë interesat e Kosovës dhe të Malit të Zi. Ne po punojmë që kur të shkojmë në Kuvend, të gjithë ta duartrokasin variantin që do ta dërgojmë. Do të duartrokitet nga qytetarët e Kosovës, por edhe nga miqtë tanë. Dhe, përfundimisht, ta mbyllim këtë temë. Ne po punojmë në atë drejtim, duke i respektuar interesat e dy vendeve. Nga ky proces asnjë vend nuk del humbës. Përkundrazi, Kosova dhe Mali i Zi nga ky proces do të dalin edhe më fuqishëm në marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore.

“Epoka e re”: Ky koalicion qeverisës, pjesë e të cilit jeni edhe ju, a mund ta bëjë Kosovën me ushtri në vitin 2018?
Limaj: Kosova si shtet sovran e ka të drejtën e saj për ta pasur ushtrinë dhe këtë askush nuk mund t’ia mohojë e ndalojë. Për çështjen e ushtrisë duhet bashkëbisedim me të gjithë aktorët politikë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se bërja e Kosovës me ushtri nuk nënkupton kërcënim për askënd. Përkundrazi, ushtria do ta kryejë punën e vet. Kosova me ushtri do të ofronte më shumë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, njëkohësisht ajo do të kontribuonte edhe për sigurinë rajonale dhe përtej saj, duke u bërë pjesë e NATO-s.

“Epoka e re”: Në përgjithësi si ishte ky vit për shtetin e Kosovës?
Limaj: Kosova ka kaluar nëpër sfida të mëdha. Disave nuk ka qenë e mundur t’u jepen përgjigje për shkak të proceseve zgjedhore. I gjithë ky vit ka kaluar në zgjedhje. Shpresoj se sfidave që nuk kemi arritur t’u japim përgjigje në këtë vit, t’u japim përgjigje në vitin në vazhdim. Tremujori i parë i kësaj qeverie flet për një dinamikë të re të punës dhe objektivi ynë është t’i zgjidhim një nga një problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e vendit.

“Epoka e re”: Po për Nismën për Kosovën, si ishin këta dymbëdhjetë muaj?
Limaj: Mund të them se kanë qenë muaj të Nismës për Kosovën. Pas zgjedhjeve lokale Nisma për Kosovën është shtrirë në të gjithë vendin. Tashmë ajo është konfirmuar si faktor vendimtar politik. Fryma socialdemokrate është shtrirë në gjithë vendin. Nisma përfaqësohet pothuajse në shumicën e asambleve komunale. Po ashtu, do të jemi në gjysmën e komunave në qeverisje lokale. Vetëm ditët e fundit kanë aderuar mbi 50 profesorë universitarë. Kjo flet shumë. Intelektualët dhe profesorët po i bashkohen Nismës. Partia jonë ka hapur derën për të gjithë ata që vlerësojnë se mund ta japin kontributin e tyre për vendin. Pastaj, kemi iniciuar mocionin i cili ka rrëzuar qeverinë e kaluar. Kemi grupin tonë parlamentar dhe i udhëheqim tri dikastere të rëndësishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Shqipërisë, Eros Grezda në një intervistë të gjatë…