11 shtatori, Haradinaj: Ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 11 shtatorin e vitit 2001, ku në ShBA kishin ndodhur sulmet terroriste.
Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se Kosova ka qenë dhe është përherë krah Amerikës.
“Sulmet terroriste të 11 shtatorit mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten ndër ngjarjet më të tmerrshme, që për cak kishin të godasin jo vetëm popullin, institucionet dhe demokracinë amerikane, por mbarë njerëzimin. Shtatori mbetet në kujtesën tonë si ngjarja më tragjike e drejtuar ndaj simbolit të lirisë dhe investuesit historik për paqe e siguri në mbarë botën”.
“Sot, nëntëmbëdhjetë vite më pas, Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët e saj, duke përfshirë edhe shqiptarët, arritën të ngadhënjejnë ndaj të keqes, me synim një botë të qetë e të sigurt për brezat e rinj. Populli dhe shteti i Kosovës, janë përjetë mirënjohës ndaj popullit dhe institucioneve amerikane për ndihmën e dhënë në çdo epokë të historisë sonë. Ishim dhe do të jemi përherë krah Amerikës në rrugën e avancimit të demokracisë dhe paqes në botë. Përgjithmonë bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit e tyre në këtë tragjedi. Kosova kujton!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.



