Pacientët e sëmurë me dializë në Deçan ankohen për kushtet e transportit

28 janar 16:20

Tri herë në javë, pacientët që kanë nevojë për dializë udhëtojnë nga Deçani drejt Spitalit të Pejës për ta marrë terapinë e tyre, mirëpo ata ankohen me kushtet e automjetit transportues të siguruar nga komuna.

Pacienti Dervish Demhasaj ka thënë për “Kallxo.com” se kombi me të cilin udhëtojnë tri herë në javë nuk i ka kushtet e mira për bartjen e të sëmurëve, sidomos gjatë ditëve të ftohta të dimrit. “Na jemi me të diskriminuarit në komunë të Deçanit. Këqyre çfarë kerri kemi. E kanë paguar taksin (pacientët tjerë) se nuk munden me hypë e me dalë. Shiu qaty na pik në midis, shikoni karriget”, është ankuar Demhasaj.

Ai ka treguar se transporti me të cilin udhëtojnë u është ndarë nga komuna e Deçanit por, sipas tij, ai nuk i plotëson kushtet për bartjen e pacienteve për në spital. Edhe pacienti tjetër, Riza Çeku, është ankuar për kushtet e automjetit transportues që i bartë nga Deçani për Spitalin Regjional të Pejës. “Ky as nuk ka nxehje, as nuk ka karrige, as s’ka ftohje, as amortizim”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, këto kushte po ndikojnë edhe në shëndetin e tyre, sidomos pas marrjes se terapisë.

Edhe përkundër premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore për zgjidhje të problemit, pacientët thonë se asgjë nuk ka lëvizur.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, ka thënë se janë në dijeni për shqetësimin e pacientëve në dializë.

Ai ka pohuar se nga 20 pacientë sa janë gjithsej në këtë komunë, 14 prej tyre u paguhen 50 litra derivate për udhëtim, kurse 6 prej tyre udhëtojnë me transportin e siguruar nga komuna për ta.

Berisha ka theksuar se transporti aktual nuk është në gjendje aq të keqe, mirëpo ka premtuar se brenda pak kohe do sigurohet një automjet i ri.

Rreth këtij problemi, ai ka thënë se ka biseduar me kryetarin e komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj, nga i cili ka marrë mbështetje. “Menjëherë projekti i parë të cilin ne do ta tenderojmë është kombi për pacientët të cilët janë në dializë. Domethënë është projekti i parë në shkurt. Ne do t’i fillojmë procedurat e tenderimit, e sa do të zgjatë ajo nuk varet prej neve”, ka deklaruar Berisha.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti Samir Sahiti e ka zyrtarizuar transferimin në skuadrën e…