16-vjeçari palestinez qëllohet për vdekje nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor

10 shtator 2023 | 14:43

Një djalë 16 vjeçar është qëlluar për vdekje nga ushtria izraelite në një konfrontim në Bregun Perëndimor, kanë thënë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Milad al-Rai është goditur në shpinë nga plumbat të shtunën, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Vdekja e tij e çon numrin e palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor në 185, prej tyre më shumë se 30 persona ishin nën 18 vjeç.

Ushtria izraelite ka thënë se lëshoi gaz lotsjellës dhe hapi zjarr ndaj një grupi palestinezësh jashtë kampit të refugjatëve Al-Aroub, të cilët po hidhnin kokteje molotov ndaj tyre.

Më tutje, nga ushtria deklaruan se janë në dijeni se një nga palestinezët ishte qëlluar dhe pohuan se ka viktima edhe ushtarë izraelitë.

Gjysma e palestinezëve të vrarë nga dhuna e këtij viti kanë qenë të lidhur me grupet militante, sipas një raporti nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Izraeli ka thënë se shumica e të vrarëve ishin militantë. Por kanë vdekur edhe persona që nuk janë përfshirë në konfrontime dhe të rinj që kanë hedhur gurë në shenjë proteste kundër sulmeve.

Sulmet palestineze kundër izraelitëve janë rritur teksa ushtria izraelite i ka intensifikuar bastisjet dhe arrestimet në Bregun Perëndimor.

Më shumë se 30 persona janë vrarë në sulme që nga fillimi i vitit 2023.

Izraeli ka thënë se sulmet kanë për qëllim të çmontojnë rrjetet militante dhe të pengojnë sulmet e ardhshme.

Ndërsa palestinezët kanë thënë se sulmet minojnë forcat e tyre të sigurisë, frymëzojnë më shumë militantizëm dhe forcojnë kontrollin izraelit mbi tokat që ata kërkojnë dhe shpresojnë të kenë shtet në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papa Françesku është lutur për ata që kanë vdekur dhe…