I gatshëm t’i bashkohem secilës parti

08 shtator 2019 | 13:47

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se ende nuk ka vendosur për t’iu bashkuar ndonjë partie politike për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai ka bërë me dije se është i gatshëm ta ndihmojë secilin subjekt politik nëse e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Haradinaj ka thënë se nëse aderon në ndonjë parti këtë nuk e bën për ndonjë përfitim personal.

“Cilësdo parti që ia merr mendja se i duhet Nasim Haradinaj, unë jam i gatshëm t’i ndihmoj atij subjekti politik. Por, të gjithë duhet ta dinë se unë nuk bëhem vegël e liderit. Të gjithë e dinë se unë një herë kam kaluar nga PDK-ja në AAK, por kam aderuar kur kjo parti ka qenë në opozitë. Pra, nuk jam prej atyre tipave që vrapon aty ku mund të marrë ndonjë post, por kam shkuar aty ku ka nevojë për ndihmë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka sqaruar raportimet e fundit nëpër medie se do të bëhet pjesë e PDK-së.

“Ajo që ka ndodhur ka qenë një bisedë shoqërore me disa shokë që ishin pjesë e OVL-UÇK-së, në një restorant privat, ku diskutonim për çështjet politike. Dhe unë, në diskutim e sipër, thashë se, meqenëse krejt partitë politike iu kanë vërsulur PDK-së, duke i vendosur vija të kuqe, atëherë do të ishte mirë t’i ndihmoj PDK-së, sepse ka nevojë për ndihmë”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se nëse lidershipi i kësaj partie e sheh të nevojshme ndihmën e tij në këto zgjedhje, ai është i gatshëm t’i bashkohet.

“Meqenëse tash të gjithë dolën kundër PDK-së dhe po mendojnë se këtë parti do ta dërgojnë në shtëpi, nëse shokët e mi e shohin të arsyeshme që mund t’i ndihmoj PDK-së, unë jam i gatshëm, sepse kam qenë ndër themeluesit e saj”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk e ka problem t’i bashkohet as Lidhjes Demokratike të Kosovës. Haradinaj i ka ftuar të gjitha subjektet politike që në listat për deputetë të mos fusin njerëz me aktakuza.

Sipas tij, vetëm atëherë do të rritej shpresa se po ndodh diçka pozitive në Kosovë.

“Mendoj se subjektet politike më herët është dashur që në lista të mos fusin njerëz me aktakuza. Deri më tani të gjitha subjektet në brendësinë e tyre kanë pasur njerëz me aktakuza. Uroj që të gjitha ato ta ndjekin këtë ide të PDK-së, që asnjëra mos të ketë kandidatë me aktakuza, sepse vetëm atëherë do të kemi përfaqësim të denjë dhe shpresë se diçka po ndodh në Kosovë”, ka thënë Haradinaj

 “Epoka e re”: Z. Haradinaj, kohën e fundit është raportuar se do t’i bashkoheni PDK-së. Është e vërtetë?
Haradinaj: E vërteta është se unë nuk kam menduar diçka konkrete për t’iu bashkuar PDK-së. Ajo që ka ndodhur ka qenë një bisedë shoqërore me disa shokë që ishin pjesë e OVL-UÇK-së, në një restorant privat, ku diskutonim për çështjet aktuale politike. Dhe unë, në diskutim e sipër, thashë se meqenëse krejt partitë politike iu kanë vërsulur PDK-së, duke i vendosur vija të kuqe, atëherë do të ishte mirë t’i ndihmoj PDK-së, sepse ka nevojë për ndihmë. Këto parti asnjëherë nuk i vendosin vija të kuqe Listës Serbe, por PDK-së. Në këtë mënyrë, më parë do të pranoja me qenë opozitë me PDK-në sesa ministër me Ramush Haradinajn apo dikë tjetër. Sepse ato ma kujtojnë kohën e vitit 1981, kur na linçonin ne aktivistëve që ishim për Lëvizjen për bashkim dhe Republikë të Kosovës. Rastësisht në atë ndejë kish qenë një gazetar dhe ai nuk kishte ndryshuar asgjë nga ato që kam thënë unë. E keqja është se ai atë e ka bërë në mënyrë tinëzare, sepse nuk është fer kur disa shokë bisedojnë dhe dikush tjetër i përdor ato biseda. Gazetarin që e ka bërë atë lajm e çmoj për korrektësinë, sepse e ka prezantuar krejt atë që e kam thënë, por nuk e çmoj për mënyrën tinëzare.

 “Epoka e re”: A jeni i gatshëm t’i bashkoheni ndonjë partie politike?
Haradinaj: E kam thënë edhe më herë, se cilësdo parti që ia merr mendja se i duhet Nasim Haradinaj unë jam i gatshëm t’i ndihmoj. Por, të gjithë duhet ta dinë se unë nuk bëhem vegël e liderit. Të gjithë e dinë se unë një herë kam kaluar nga PDK-ja në AAK, por kam aderuar kur kjo parti ka qenë në opozitë. Pra, nuk jam prej atyre tipave që vrapon aty ku mund të marrë ndonjë post, por kam shkuar aty ku ka nevojë për ndihmë. Meqenëse tash të gjithë dolën kundër PDK-së dhe po mendojnë se këtë parti do ta dërgojnë në shtëpi, nëse shokët e mi e shohin të arsyeshme që mund t`i ndihmoj PDK-së, unë jam i gatshëm, sepse unë kam qenë ndër themeluesit e saj. Por, pa pazare. Mendoj se vendosja e vijave të kuqe ndaj një subjekti është e padrejtë, sepse asnjëra prej këtyre partive nuk thotë se do t’i qesë vijë të kuqe Listës Serbe. Pra, të gjitha ato e lanë mundësinë se do ta bëjnë qeverinë me Listën Serbe sikurse e bënë qeverinë e kaluar.

“Epoka e re”: Pra, jeni i gatshëm t’i bashkoheni PDK-së pa asnjë interes?
Haradinaj: Nëse ata e shohin se jam i nevojshëm për t’i ndihmuar, unë jam i gatshëm të marr secilën detyrë apo mision që ma japin.

“Epoka e re”: Po nëse ju vjen ndonjë ftesë prej partive të tjera, a do t’u bashkoheni atyre?
Haradinaj: Po, ama jo me çmime. Edhe nëse LDK-ja më kërkon ndihmë, shkoj, pse jo. Në këtë rast kam thënë për PDK-në vetëm pse të gjitha partitë e tjera e kanë sulmuar PDK-në. Unë mendoj se asnjëra prej këtyre partive nuk është më pak fajtore se tjera.

“Epoka e re”: Siç po shihet në këto zgjedhje fjali kryesore e PDK-së do të jetë “lufta kundër krimit dhe korrupsionit”. Si e keni këtë përpjekje të PDK-së?
Haradinaj: Me pëlqen ideja për kandidimin e njerëzve për deputetë të cilat nuk kanë aktakuza. Nëse kësaj i përmbahet deri në fund lideri i PDK-së, atëherë unë edhe më me qejf i bashkohem këtij subjekti politik.

“Epoka e re”: Katër subjekte politike janë konkurrente për t’i fituar zgjedhjet. Kush mendoni se do të dalë fitues në zgjedhjet e 6 tetorit?
Haradinaj: Më fal, por unë nuk merrem me parashikime dhe me analiza. Nuk di me qit fall. Mendoj se këto zgjedhje do të jenë interesante, me befasi për të gjithë. Ndoshta sulmi që partitë e tjera po ia bëjnë PDK-së do të ndikojë që kjo parti të bashkohet më shumë. Por, ndoshta, është edhe koha të bëhen ndryshime. Të bëhen ndryshme nuk do të thotë të vijë një parti e re në pushtet. Ndryshimi do të ishte edhe mos të përfshihen njerëzit me aktakuza në listat për deputetë. Nëse ndodh kjo, ata e fyejnë partinë dhe votuesit.

“Epoka e re”: Pra, askush prej partive politike s’duhet të ketë në lista kandidatë me aktakuza?
Haradinaj: Mendoj se subjektet politike më herët është dashur që në lista të mos fusin njerëz me aktakuza. Deri më tani të gjitha subjektet kanë pasur në brendësinë e tyre njerëz me aktakuza. Uroj që të gjitha ta ndjekin këtë ide të PDK-së, që askush mos të ketë kandidatë me aktakuza, sepse vetëm atëherë do të kemi një përfaqësim të denjë dhe një shpresë se diçka po ndodh në Kosovë.

“Epoka e re”: Meqenëse jemi parazgjedhjeve, pothuajse të gjitha subjektet politike do t’i kenë target edhe veteranët e UÇK-së. Cili është mesazhi juaj për ta?
Haradnaj: Veteranët e UÇK-së kanë një atdhe, veteranët e UÇK-së kanë primar shtetin e Kosovës, ata nuk e mbështesin dhe nuk e kanë mbështetur askënd. Ne kemi qenë kundër demarkacionit dhe kundër Gjykatës Speciale. Mendoj se do të vijnë forca të reja që nuk do të votojnë më ligje ashtu siç u thuhet, sidomos nuk do ta votojnë vazhdimin e Gjykatës Speciale dhe do ta thonë troç se demarkacioni është tradhti.

“Epoka e re”: në këto zgjedhje OVL-UÇK nuk e mbështet asnjë parti politike?
Haradinaj: Veteranët e luftës së UÇK-së janë nëpër të gjitha subjektet politike, mirëpo në qëndrimet kruciale për kombin dhe shtetin, ne aty si veteranë jemi bashkë të gjithë. Shpresoj se në këto zgjedhje të fitoj më i miri. Mendoj se është koha të jepet sinjali se njerëzit e korruptuar dhe ata që i kanë bërë dëme Kosovës të anashkalohen. Po ashtu, mendoj se edhe këta deputetët e deritashëm janë plakur në politikë. Është koha të vazhdohet me njerëz të ri.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Triumfi i Kosovës në përballjen e djeshme ndaj Çekisë entuziazmoi…