20-vjeçari Alidema: Do t’i shënoj 20 gola

28 shtator 2018 | 10:23

Festim Alidema është sulmues i Llapit dhe aktualisht është 20-vjeçar por, falë formës së mirë që ka në këtë kampionat, ai beson se do të shënojë të paktën 20 gola për skuadrën nga Podujeva. “Kam besimin e trajnerit dhe klubit, por jam edhe në formë të mirë dhe nëse nuk pësoj ndonjë lëndim, normalisht se do të shënoj 20 gola”, ka thënë Festim Alidema.

Festim Alidema është një nga lojtarët më të ri dhe me perspektivë të madhe në futbollin e Kosovës. Në gjashtë javët e para futbollisti në fjalë ka shënuar katër gola dhe është golashënuesi më i mirë për Llapin dhe i dyti në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pas Alban Shillovës së Flamurtarit. Alidema, i cili është 20-vjeçar, për “Epokën e re” ka thënë se në këtë kampionat do të shënojë të paktën 20 gola. “Kam besimin e trajnerit dhe klubit, por jam edhe në formë të mirë. Nëse nuk pësoj ndonjë lëndim, normalisht se do të shënoj 20 gola”, ka thënë Alidema, i cili  karrierën e ka nisur në moshën gjashtëvjeçare.

Fotografia e Festim Alidema

Në ekipin e parë Alidema ka debutuar në skuadrën e Vllaznisë së Pozharanit, nga skuadër e cila në janar të vitit të kaluar iu bashkua Llapit si një transferim cilësor për të ardhmen. Mirëpo me angazhimin e trajnerit Bylbyl Sokoli, futbollisti sulmues në këtë kampionat e ka pasur besimin maksimal të “Profës” dhe deri tash e ka shpaguar këtë besim, duke qenë ndër lojtarët më të mirë në skuadrën e Llapit. Në ndeshjen e fundit kundër Lirisë, ai shënoi tre gola për Llapin. “Këtë sezon e kam filluar me shumë përkushtim dhe punë. Jam në formë të mirë dhe besoj se do të vazhdoj deri në fund kështu. Po ndihem shumë mirë që e kam besimin e trajnerit dhe për këtë po jap maksimumin që të shpaguaj në secilën ndeshje”, ka deklaruar ai.

Aktualisht skuadra e Llapit pozicionohet e dyta në renditjen tabelore me 13 pikë, një pikë më pak se skuadra e Feronikelit që është lider. Alidema ka konfirmuar se synim i skuadrës nga Podujeva është titulli dhe dalja në arenën ndërkombëtare. “Synimet e Llapit në këtë kampionat janë të shpallemi kampionë e më pas të luajmë në Evropë. Nuk është synim i lehtë për t’u arritur, pasi ka shumë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe rivaliteti do të jetë i madh në garën për titull”, ka përfunduar ai. Ndeshjen e radhës, në xhiron e shtatë në elitë, Llapi do të zhvillojë ndaj KEK-ut.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar se në Klinikën…