Jashari: Modriqi më jep vetëbesim
Ardon Jashari ka folur për fitoren e rëndësishme të Milanit, që në ndeshjen e fundit të xhiros së tetë në Serie A e mposhti Udinesen me rezultat 2:0, në udhëtim.
Me këtë triumf, Milani është ngjitur në vendin e katërt në tabelë, me 18 pikë, ndërsa Jashari ka qenë titullar në përbërjen e ekipit ku luan mesfushori shqiptar.
Përkrah Jasharit, gjatë gjithë ndeshjes ka luajtur edhe Luka Modriq. Kështu, dyshja për herë të parë ka startuar së bashku në një ndeshje të Milanit, prejse mesfushori shqiptar iu bashkua këtij ekipi.
Jashari ka pasur fjalë të mëdha për Modriqin, duke thënë se prania e mesfushorit kroat në fushë e ka ndihmuar të luajë me më shumë vetëbesim ndaj Udineses.
“Ishte një nder i madh për mua, sepse për herë të parë luajtëm së bashku nga fillimi. Të kesh një kampion si Luka në krah, të jep besim dhe qetësi të jashtëzakonshme. Patëm bashkëpunim të mirë me njëri-tjetrin dhe shpresoj që ta kemi edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Jashari.
Sipas tij, Milani po forcohet gradualisht në pjesën e sipërme të tabelës dhe tani synon fitoren e radhës, në ndeshjen në shtëpi kundër Bolognas.



