20-VJETORI I ÇLIRIMIT por DREJTËSIA E HESHTUR!!!

11 qershor 18:00

Salihe Salihu, PhD kandidat dhe veprimtare

Njëzetë vjet më parë forca morale gjëmoj anekënd botës dhe shkundi çdo tendencë e çdo pengese për të mos vonuar finalizimin e çlirimit të Kosovës, që ishte e vetmja rrugë, rrugë pa kthim mbrapa.
Kështu që, fara e gëzimit dhe fara e optimizmit u mbjellën në ditën kur u mposht robëria, u çrrënjosë okupimi e erdhi dita e lirisë në trojet shqiptare të Kosovë, falë luftës së popullit tonë të udhëhequr nga UÇK-ja dhe ndihmës së Aleancës Veriatlantike.

Kjo ditë ishte ditë e madhështisë, për të cilën shumë breza u sakrifikuan, ishte ditë e plotësimit të amanetit të heronjve e dëshmorëve. Në këtë ditë dhembja nga plagët shekullore si dhe humbja e më të dashurve u arkivuan në arkivin e historisë tragjike të popullit shqiptar për ti lëshuar rrugën gëzimit që kishte shpërthyer si një ciklon nga emocionet për këtë ditë të shenjtë, për ditën e çlirimit Kosovës.

Para se të vinte te kjo ditë finale, 20-vjet më parë, e gjithë bota u përcaktua për ta mbështetur forcën e armatosur të Kosovës, UÇK-në, meqë bijtë e bijat e UÇK-së përkundër mungesave të mëdha në armatime ishin të vendosur dhe të pamposhtur që të jepnin jetën vetëm për sjell lirinë në këto troje.

Në këtë decenie të dytë gjithandej kujtohet kjo ditë e kthesës së historisë së popullit tonë, kjo ditë që solli paqen pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Kumanovë. Këtij përvjetori madhështinë e ceremonisë festive e shton edhe arritja e figurave eminente si Bill Clinton e Madelene Albright.

Janë këta dy politikanë të përmasave botërore si dhe Tony Blair e disa të tjerë që ishin të kyçur në kauzën e popullit të Kosovës. Këta politikanë me vendosmëri u rreshtuan në mbrojtje të vlerave morale që i dhanë legjitimitet ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për ti dhënë fund gjenocidit serb kundër shqiptarëve.

Legjitimiteti moral për ta mbrojtur popullin e Kosovës kishte mposhtur qëndrimin e disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilët edhe sot e kësaj dite po lejon që të përdoren kërcënime kundër fitores së popullit të Kosovës.

Është për të habit fakti se si ky organ me prestigj botëror, siç është Këshilli i Sigurimit të OKB-së, po lejon të shfaqen skena të këtilla të cilat po e dëmtojnë jashtëzakonisht imazhin e këtij organi si dhe seriozitetin e takimeve në këtë organ. Është non-sens të vazhdohen takime të këtilla në këtë organ sepse po le përshtypjen se ky organ më shumë i ngjason një organi të ndonjë distrikti në komunën e Malmos se sa të ndonjë organi komunal apo regjional dhe ka humb peshën e vet si ndonjë organi me përmasa botërore.

Përkundër këtyre përplasjeve është e qartë për Kosovën që si shtet i ri ende nuk ka siguruar ulësen në OKB por rezultatet pas njëzetë vjetëve flasin qartazi se ne do hymë edhe në ombrellën e këtij organi të OKB-së por me shpresë që ky organ të reformohet dhe aty të mbretëroj e vërteta, drejtësia, paqja, dhe siguria.

Tani, në shënim të njëzetvjetor fara e gëzimit dhe kultivimi i optimizmit për Republikën e Kosovës është që të bëhet partnere me të drejta dhe obligime të njëjta në botën Perëndimore. Kosova si shteti i ri është i gatshëm të trokas në këtë Portë për të dëshmuar të vërtetat e ndodhura mbi popullin shqiptar në këto troje para njëzetë vjetëve dhe të kërkoj drejtësi në përputhje me Konventat Ndërkombëtare – për të mos lënë që drejtësia të mbetet e heshtur përgjithmonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga një sulm me bombë në veri të Afganistanit janë…