Vendimi i KQZ-së për mërgimtarët, Haradinaj-Stublla zhvillon bisedë telefonike me Dakën

11 janar 2021 | 20:56

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se nuk do të lejohen të votojnë mërgimtarët me postë, në rast se nuk lajmërohen në telefon.

Haradinaj-Stublla ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se sipas kryetares së KQZ-së, ky është një veprim që është ndërmarrë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë.

“Nga kryetarja Daka u informova se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, duke dëshmuar gatishmërinë e të gjithë spektrit politik për zgjedhje demokratike e me standarde të larta e gjithëpërfshirëse”, ka shkruar ministrja Haradinaj-Stublla.

Postimi i plotë i Haradinajt-Stubllës:

Pas shqetësimeve të ngritura nga diaspora jonë, pata një bisedë telefonike me Kryetaren e KQZ-së Znj. Valdete Daka.

Biseduam për vendimin e fundit të nxjerrë nga KQZ-ja për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim të Votuesve jashtë Kosovës, i cili sipas znj. Daka, është një veprim që është ndërmarrë për të evituar keqpërdorimet e mundshme të votimit nga jashtë.

Nga kryetarja Daka u informova se vendimi është marrë unanimisht nga të gjithë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, duke dëshmuar gatishmërinë e të gjithë spektrit politik për zgjedhje demokratike e me standarde të larta e gjithëpërfshirëse. Shfrytëzova rastin për të falënderuar Kryetaren Daka dhe KQZ-në për angazhimin e tyre intensiv për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.

Kryetarja gjithashtu më siguroi se e drejta kushtetuese nuk do ti mohohet askujt nga diaspora jonë, dhe se procedura shtesë e verifikimit do të bëhet me qëllim evitimin e praktikave te dëmshme të dëshmuara në proceset zgjedhore të kaluara, që kanë sjellë ankesa mbi votat e ardhura me vonesë, duke vonuar certifikimin e rezultatit përfundimtar.

Diaspora është pasuri dhe vlerë e shtuar e Kosovës dhe gjithmonë do ta ketë përkrahjen dhe vëmendjen tonë të pandërprerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, edhe sot ka vazhduar…