Presidentja Osmani: Distria është krenaria e Kosovës, me të cilën sot Kosova shkëlqeu para tërë botës
Presidentja e Kosovës i është gëzuar suksesit historik të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë pasi mposhti në finale japonezen, Tonaki Funa, shkruan “Epoka e re”.
Distria mposhti japonezen, Funa, me Wazari, duke ia siguruar kështu Kosovës medaljen e parë në këto Lojëra Olimpike.
Presidentja e Kosovës e cila gjendet në Tokio për të përkrahur ekipin olimpik, përmes Facebook ka shprehur gëzimin e saj për triumfin e Krasniqit.
Osmani tha se Distria është krenaria e Kosovës, me të cilën sot Kosova shkëlqeu para tërë botës.
“Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme.
Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.
Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë.Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo!”, ka shkruar Osmani.



