Dëshmitarja tregon shkakun për nipat që e vranë djalin e dajës në Lipjan

05 nëntor 2021 | 07:57

Dëshmitarja Minire Olluri ka thënë se familja e të akuzuarve me familjen  të dëmtuarve për rreth 10 vite kanë pas probleme shkaku i rrugës së Komunës dhe kjo rrugë sipas saj ka qenë shkaku i vrasjes së tani të ndjerit F.K.

Një deklaratë të tillë, dëshmitarja, Minire Olluri e ka dhënë në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Bali dhe Baki Reçica po akuzohen se në bashkëkryerje, në Lipjan për shkak të mosmarrëveshjeve rreth gjuajtjes së bërllokut afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht pronën kontestuese për të cilën kishin mosmarrëveshje 10 vite me radhë, me dashje kanë privuar nga jeta djalin e dajës, tani të ndjerin F.K, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Olluri duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Besa Limani, ka thënë se një vit para ditës kritike, vajza e motrës së saj i kishte thënë se tani të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica, kishin vendosur për ta vrarë tani të ndjerin F.K.

Ajo tha se pasi që kishte dëgjuar tani i ndjeri F.K se të akuzuarit kishin vendosur për ta vrarë, i njëjti sipas saj kishte thënë “në paqin dajë me vra, se unë s’kam nipa me vra, se prej shtëpisë time s’kam ka me shku”.

Tutja, dëshmitarja ka thënë se në ditën kritike kishte qenë në shtëpinë e Rrahman Krasniqi kur e kishte parë tani të ndjerin F.K në rrugë të përgjakur dhe duke i rrjedhur gjak.

“Në ditën kritike, duke ndejt në mënyrë të qetë, rastësisht kam dalë në korridor edhe dera hyrjes së shtëpisë ka qenë e hapur edhe e kam dëgjuar Aludinin duke thirr “o baba” dhe unë kam vrapuar dhe kam shkuar në oborrin e shtëpisë së tani të ndjerit F.K”, tha Olluri.

Tutje, ajo shtoi se kur doli nga oborri, e pa në rrugë F.K të përgjakur.

“Kur dola nga oborri për në rrugë e pash F.K të përgjakur dhe e mbante me dorë pjesën nga zemra dhe i rrjedhte gjak”, ka thënë dëshmitarja Olluri.

Ajo theksoi se tani i ndjeri F.K i kishte thënë se e kishte therur i akuzuari Bali Reçica.

“F.K, kishte qenë vet tu ardhë ka shtëpia dhe duke e mbajtur plagën, e pyeta F.K se çka u bë dhe i njëjti m’u përgjigj se më theri Balia”, ka thënë dëshmitarja.

Dëshmitarja Olluri tutje ka thënë se kishte parë që rreth 4 metra afër tani të ndjerit F.K kishin qenë të akuzuarit Reçica, të cilëve tha se u kishte thënë “çfarë keni bërë, Zoti ju marroftë”, dhe se i akuzuari Baki Reçica e kishte gjuajtur me kockë të betonit.

“Pastaj kur e ktheva kokën i pash Bakin dhe Balin, dhe të akuzuarit ishin larg F. rreth katër metra. Në ato momente, kur i pash Bakin e Balin çka kanë bërë, iu thash çka keni bërë, Zoti ju marroftë, hyni brenda dhe Bakia ka marrë një kockë të betonit dhe më ka gjuajt dhe unë veç e mora F. dhe e kam ulë para dere”, ka deklaruara ajo.

Tutje, ka thënë se djali i Rrahman Krasniqit e kishte dërguar në spital tani të ndjerin F.K, dhe e njëjta më vonë e kishte kuptuar se i njëjti kishte ndërruar jetë.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, dëshmitarja ka deklaruar se problemet mes dy familjeve kishin qenë rreth 10 vite dhe sipas saj kishin qenë shkaku i rrugës së Komunës dhe ajo rrugë ka qenë shkak për vrasjen e tani të ndjerit F.K.

Sipas dëshmitares, problemi më i madh që ka ardhë deri këtu, ka qenë se Bakiu dhe Balia ia kanë mbyllë derën e oborrit dhe nuk kanë mundur të kalojnë Rrahmani me familjen e tij.

“Rrahmani kur e ka bë atë truall, e ka pasur një rrugë mbas shtëpisë së të akuzuarve dhe në atë rrugë kanë qarkulluar. Shabani i ka thënë Rrahmanit lëshoma atë rrugë se po i ndërtoj do shupa, dhe ti dil në këtë rrugën, për çka pastaj ka lindur edhe problemi”, ka thënë Olluri.

Ajo theksoi se është e vërtetë që Rrahmani ua ka liruar rrugën, ashtu  siç e ka kërkuar Shabani më herët.

“Sa di unë, rruga për të cilën ka lind problemi, ka qenë pronë e Komunës”, ka deklaruar dëshmitarja Olluri.

Ndryshe, seanca e së enjtes kishte filluar më dëgjimin e babait të të akuzuarve Shaban Reçica, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Limani ka deklaruar se pronën në të cilën ka ndodhur ngjarja kishte jetuar para vitit 2004, ndërsa e kishte blerë në këtë vit.

Tutje ai ka thënë se pasi e kishte blerë këtë pronë në vitin 2005, aty kishte ndërtuar një objekt dhe një shtëpi.

“Kur e kam blerë këtë pronë kanë qenë dy shtëpi, njëra më e vjetër dhe e kam rrënuar dhe e kam ndërtuar një objekt dhe një shtëpi që m’u ka djegë. Këtë shtëpi e kanë ndërtuar më herët se objektin pra shtëpinë e edhe objektin i kam ndërtuar në vitin 2004-2005”, ka thënë dëshmitari Shaban Reçica.

Tutje, ai tha se pronën afër tij, Rrahman Krasniqi e ka blerë më vonë dhe se ia ka inicuar pazarin dhe zbritur çmimin, si dhe ka shtuar se me të njëjtin dhe familjen e tij kishin pasur raporte të mira deri në fillimin e ndërtimit të objektit në vitin 2005.

“Pasi ia nisa me ndërtu objektin, i ndjeri F.K më ka thënë  që ke hy në pronë tonën dhe ma ndalën punën. Dhe i thash nuk ka problem, shkojmë e marrim gjeometrin, por pasi e matëm kur shkuam në Komunë është konstatuar se i ndjeri F.K dhe Rrahman Krasniqi kanë hyrë 60 centimetra në pronë time, me lokalin të cilin e ka ndërtuar në rrugë”, ka thënë dëshmitari Reçica.

Pas kësaj, ai tha se i kanë prishur raportet me Rrahman Krasniqin, pasi që sipas tij i kishte thënë se kur ta ndërtojë një objekt të madh, i njëjti duhet të largohet nga prona 60 centimetra që të jetë si rrugë.

Pastaj, dëshmitari ka thënë se në vitin 2008 e kishte blerë edhe një pronë rreth 5 ari, e që sipas tij asnjëherë Rrahman Krasniqit nuk ia kishte ndaluar të kalonte nëpër atë pronë, si dhe ka thënë se të njëjtit ia kishte dhënë tri metra tokë për shfrytëzim.

“Unë e kam blerë pjesën tjetër përafërsisht 5 ari në vitin 2008 nga një serb dhe kurrë s’ia kam ndaluar Rrahmanit me kalu aty, se aty nuk ka pas rrugë. E pastaj mi ka dergjur dy persona edhe unë ia kam lëshuar tri metra rrugë në shfrytëzim, tutje i ndjeri F.K ka shkuar te vëllai im dhe i ka bërë presion që këtë pjesë të rrugës t’ia qes me noter”, ka shtuar Reçica.

Po ashtu, dëshmitari  Shaban Reçica ka thënë se me noter ia kishte dhënë këtë pjesë të rrugës për shfrytëzim deri të bëhet ndërtimi i lartë në atë pronë.

“Pas kësaj, me vëllanë tim ishin marrë vesh që Rrahmanit t’ia lëshoj 4 metra tokë dhe në fund 4 metra ku e ka garazhin dhe kur më tregoi vëllai si janë marrë vesh dhe unë rashë dakord”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se më pastaj shkoi tek noter dhe e bëri një deklaratë, me të cilën ia ka lëshuar atë pjesë deri në ndërtim të lartë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Limani, dëshmitari Shaban Reçica ka thënë se pasi që ia kishte lëshuar për shfrytëzim një pjesë të tokës, Rrahman Krasniqi kishte kërkuar nga ai që atë pjesë të tokës t’ia qes në emër të vetë.

“Tani ai kërkoi që këtë pjesë të rrugës t’ia qes me gjeometër në emër të tij, që kur të ndërtohet ndërtim i lartë ai me shfrytëzu dhe e unë nuk kam pranuar”, ka thënë dëshmitari Shaban Reçica.

Në pyetjet e prokurores, dëshmitari Shaban Reçica ka deklaruar se tani i ndjeri F.K e kishte kërcënuar se do t’ia vras djalin e tij, tani të akuzuarin Bali Reçica.

“Ka ardhur tani i ndjeri F.K, ku isha duke punuar në Ujësjellës dhe më ka kërcënuar që ka me ta vra Balin, erdha dhe e lajmërova rastin në polici, janë ardhë katër polic, dy prej tyre janë Hamës Fejzullahu dhe Gafurr Aliu”, tha dëshmitari.

I njëjti shtoi se ata i kanë thënë që për me hetuar rastin, duhet me bë njv raport, mirëpo thotë se shkaku i gruas së tij nuk e ka bërë dhe s’e hapi rastin.

Lidhur më ditën kritike, dëshmitari Shaban Reçica ka deklaruar se ishte jashtë për të blerë diçka, dhe kur ishte kthyer i kishte parë djemtë e tij, tani të akuzuar, të plagosur duke hipur në veturën e tij.

“Në ditën kritike kam shkuar për ta blerë diçka dhe kur jam kthyer i kam dëgjuar disa zhurma në oborr dhe në oborrin e këtyre i kam parë disa gra,  tani e takova Miniren dhe e veta se çka ka ndodh ajo nuk më tregoi asgjë”, tha dëshmitari.

Më pas, tha se e ka parë djalin e tij, Balin krejt të gjakosur dhe Bakia ishte duke u futur në veturë për me dërgu me ambulantë, kurse reja dhe gruaja po qanin.

Ai ka thënë se thika është gjetur në veturën e tij, pasi që të akuzuarit e kishin pasur me vete, kur janë dërguar në spital.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 9 nëntor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 29 janar 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Bali dhe Baki Reçica, ngarkohen se më 7 shtator 2019, në rrugën “Lidhja Prizrenit”, në Lipjan, para shtëpisë së tani të ndjerit F.K dhe shtëpisë së të akuzuarve Reçica, kishin privuar nga jeta tani të ndjerin F.K, të cilin e kanë pasur djalë të dajës.

Në aktakuzë thuhet se pasi kushëriri i tyre, dëshmitari Muhamet Reçica, derisa ishte duke punuar për të akuzuarit, kishte shkuar për të hedhur karrocën me mbeturina betoni afër shtëpisë së tani të ndjerit F.K, përkatësisht në pronën kontestuese, për të cilën për l0 vjet kishin mosmarrëveshje në mes të dy palëve, tani i ndjeri nuk e kishte lejuar që ta hedh bërllokun me arsyetimin se i pengonte para shtëpisë.

Sipas aktakuzës, pastaj dëshmitari Muhamet ishte kthyer dhe e kishte informuar të akuzuarin Baki, i cili e kishte marrë karrocën me mbeturina dhe sipas marrëveshjes në mes tyre dy të akuzuarit kishin shkuar në vendin e ngjarjes për të derdhur bërllokun, ndërsa pas tyre ishte nisur dëshmitari Muhamet Reçica dhe me të mbërritur, tani i ndjeri iu kishte thënë “kthehuni mbrapa se nuk keni me zbraz kolicë me mbeturina këtu”, ndërsa i akuzuari Baki me vendosmëri i kishte thënë “pse nuk bën, unë bash këtu kam me e zbraz”, dhe e ka lëshuar karrocën nga dora.

Siç thuhet në aktakuzë, tani i ndjeri F.K, kishte reaguar për t’i penguar, e pastaj të akuzuarit Reçica me dashje që ta privojnë nga jeta e kanë goditur fillimisht me kaçavidë dy herë në gjoks, ku tani i ndjeri F.K, në vetëmbrojte ka marrë një shufër metalike nga toka dhe me të e ka goditur të akuzuarin Bali, ndërsa i akuzuari Bali e ka goditur atë me thikë tek zemra, ndërkohë i akuzuari Baki e ka goditur me shufër pas kokës, ku pas lëndimeve të ndjerin e kishin dërguar në QKUK në Prishtinë, ku të njëjtën ditë ka ndërruar jetë.

Për këto veprime, prokuroria po i ngarkon të akuzuarit Reçica se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, pika 1.3 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal, ndërsa të akuzuarin Bali Reçica po e ngarkon edhe me armëmbajtje pa leje, për shkak të thikës që i akuzuari e kishte përdorur në këtë rast.

Lajme të sponsorizuara

23 tetor10:52

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Cakolli ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se ndryshimet eventuale duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara dhe të bëhen në përputhje me rregullat parlamentare. Ai ka shpjeguar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar vendimin e presidentes dhe për t’ia paraqitur Kuvendit një raport me rekomandime për hapat e mëtejshëm. “Menjëherë pasi presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe me një shumicë të ndryshme nga ajo paraprake”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë arsyetimin e presidentes dhe të vlerësojë nëse janë evidentuar nene problematike apo shkelje të mundshme të procedurave kushtetuese dhe obligimeve ndërkombëtare. Cakolli ka thënë se Komisioni mund të rekomandojë dy rrugë: që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse. “E para është që të konstatohet se Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit. Ose mund të rekomandojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar ai. Ai ka shtuar se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes. Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke kërkuar që të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar nismën. Ai ka vlerësuar se mënyra se si është vepruar e ka ngritur dilemën nëse Presidenca ka pasur vërejtje për përmbajtjen e ligjit apo vetëm e ka përcjellë kërkesën e partisë sponsorizuese. “Ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo që ndodhi. Presidenca deklaroi se ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë njëkohësisht edhe sponsorizuese e ligjit dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent të projektligjit”, ka thënë Cakolli. Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa më pas ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e disa dispozitave. Sipas Cakollit, ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi bëhet fjalë për një ligj që prek proceset gjyqësore në Hagë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. “Është një situatë e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, ndërsa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen. Këto ndryshime është dashur të bëheshin gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër të rëndësishme, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe të obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka si partnere ndërkombëtare, posaçërisht në raport me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai. Cakolli ka theksuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo variant i ligjit mund të kontestohet në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. “Secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Cakolli. Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet që do të ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën mund të mos kishin efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale. Cakolli ka theksuar se gjatë katër javëve në vijim do të shihet se si do të procedohet me ligjin dhe cilat do të jenë qëndrimet e partive politike. Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave. Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin. Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

✖
Të fundit
Zyrtarja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuqi, ka njoftuar se sot…