Shoqata “Jakova” organizoi tryezën “Trajtimi i Covid-19 dhe pasojat nga pandemia” (Video)
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka organizuar të premten tryezën tematike me titull: “Trajtimi i Covid-19 dhe pasojat nga pandemia”.
Në këtë tryezë, profesor Salih Ahmeti është paraqitur me një kumtesë. Po ashtu, në këtë tryezë janë paraqitur me trajtesa edhe doktorët Gëzim Lipoveci, Hektor Binishi dhe eksperti i teknologjisë dhe informacionit Yll M. Ferizi.
Gjatë diskutimeve në këtë tryezë, profesor Ahmeti, ka ndarë përvojën e tij në luftën kundër Covidit.
Ai ka thënë se ballafaqimi me pandeminë ka qenë mjaftë sfidues për shkak se Covidi ka ende shumë të panjohura.
Ahmeti ka thënë se koronavirusi për dallim nga viruset e tjerë nuk e ka humbur virulencën edhe gjatë transmetimit nga një person tek tjetri.
Edhe doktor Gëzim Lipoveci, ka ndarë përvojën e tij në ballafaqim me Covid-19.
Në këtë kontekst, ai ka folur për diagnostifikimin e pacientëve me Covid dhe caktimin e terapisë për luftimin e tij.
Ndërsa mjeku Hektor Binishi është fokusuar tek përdorimi i antibiotikëve nga personat të cilët janë të prekur nga Covidi.
Në fund të kësaj tryeze, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka nderuar me mirënjohje infektologun Sali Ahmeti.



