Mehaj takon shefen e operacioneve aktuale të NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim Shefen e Operacioneve Aktuale të Divizionit Operativ të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.
Me këtë rast, ministri Mehaj e ka njoftuar Viehen me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK si dhe planet për të ardhmen.
Gjithashtu Mehaj e ka njoftuar edhe me bashkëpunimin e ngushtë me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) si dhe ka shprehur mirënjohjen e lartë për mbështetjen e deritashme për të gjitha proceset zhvillimore në ministri dhe FSK.
Në vazhdim, ministri Mehaj me Viehen diskutuan për zhvillimet gjeopolitike pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Mehaj, përveç bashkëpunimit të shkëlqyeshëm, potencoi rolin shumë të rëndësishëm të NATO-s me operacionin KFOR në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Për angazhimet zyrtare të institucioneve të vendit, ministri Mehaj e njoftoi Viehen edhe me strategjinë aktuale shtetërore në funksion të proceseve integruese të Kosovës në NATO.



