Sot në Kosovë vijnë Escobari dhe Lajçaku

23 gusht 2022 | 08:23

Sot në Prishtinë pritet të arrijë emisari amerikan Gabriel Escobar, i shoqëruar nga ai i BE-së, Miroslav Lajçak.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar vizitën e Escobarit në Prishtinë dhe ka thënë se arsyeja e këtij udhëtimi është mbështetja e dialogut Kosovë – Serbi.

Pas Prishtinës, Escobari do të shkojë në Beograd.

“Zëvendësndihmëssekretari Escobar po udhëton në Prishtinë dhe Beograd për ta mbështetur dialogun”, është përgjigjur shkurt zëdhënësi i DASh-it për “Reporterin”.

Ende nuk është bërë e ditur agjenda, mirëpo Express mëson se Escobari tashmë e ka ftuar për darkë pune kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Burimet e Expressit nga PDK bëjnë të ditur se darka pritet të mbahet pasditen e së martës në rezidencën e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi, është i ftuar nga z. Eskobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burimet nga PDK-ja.

Nuk dihet nëse Escobari ka takim me kryeministrin Albin Kurti, por është raportuar se emisarin amerikan do ta takojë gjatë ditës presidenten Vjosa Osmani.

Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiq, në Bruksel.

Pas takimit pesëorësh, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se negociatat e asaj dite nuk rezultuan me një marrëveshje, por shpresonte se do të kishte takim tjetër, para 1 shtatorit.

Një shtatori është data, të cilën Qeveria e Kosovës e ka caktuar për hyrje në fuqi të vendimit të saj për targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia dhe lëshimit të një letre hyrje/dalje për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë, ashtu siç lëshohet për kosovarët që hyjnë në Serbi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sot bëhen 15 vjet që kur mbylli sytë për herë…