Gjenerali Hisen Berisha uron 27-vjetorin e PDK-së: Nga sakrifica për liri te ndërtimi i shtetit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjenerali Hisen Berisha, ka uruar 27-vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke theksuar lidhjen e saj me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sakrificën për liri dhe ndërtimin e shtetit të pavarur e demokratik.
Në një mesazh urimi, Berisha ka vlerësuar se historia e PDK-së është e lidhur ngushtë me rrugëtimin e popullit të Kosovës, luftën për liri dhe përpjekjet për ndërtimin e shtetit.
“PDK e ka UÇK-në në ADN-në e saj, sakrificën e popullit në themelin e saj dhe Kosovën shtet të pavarur e demokratik në misionin e saj historik”, ka shkruar Berisha.
Ai ka theksuar se rruga e kësaj partie lidhet me kalimin nga idealet e lirisë te pavarësia dhe nga sakrifica e luftës te përgjegjësia për shtetin.
Me rastin e këtij përvjetori, Berisha ka nderuar të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtetin, si dhe ka shprehur respekt për themeluesit, veprimtarët e PDK-së dhe të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin shtetëror të Kosovës.
“Kosova është amaneti ynë, liria është trashëgimia jonë dhe shteti demokratik është përgjegjësia jonë e përbashkët”, ka përfunduar Berisha mesazhin e tij, duke uruar përvjetorin e 27-të të PDK-së.




