Kur të vish ti

07 shkurt 2025 | 10:49

Adem GASHI

kur të vish ti, kur të kthehesh

gjithçka do të jetë e bukur shumë

kaptuar malesh luginash detesh

do të ulesh në shkëmbin ku buron një lumë

 

mund të jetë bie fjala Drini i Bardhë

Drini me valë e shkumë

 

gjithçka, gjithçka do të jetë e bukur

përthyerja e rrezeve në lule të çelura

e në gonxhe

era e barit të njomë të kositur

erë tërfili e jonxhe

e fresk nën hije

e zëra zogjsh e lojëra fëmije

 

as shira të mërzitshëm as ftohtë as furtunë

midis bukurisë, midis asaj bukurie

do të mungoj veç unë

 

kur të vish ti tërë hare e gaz

në çastin e fundit, në një çast

në cepbuzë si një dridhmë mallëngjimi

s’ka sesi të të mos shfaqet

diçka prej meje në trajtë kujtimi

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbrëmë gjatë ndeshjes mes Alba Berlinit dhe Crvena Zvezdas në…