PZAP i hapi rrugë certifikimit të Listës Serbe, refuzoi ankesat e tjera

04 shkurt 2026 | 07:45

Gjatë ditës së djeshme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) mori disa vendime të rëndësishme lidhur me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025. PZAP-ja miratoi ankesën e Listës Serbe, me të cilën ky subjekt politik kishte kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e rezultateve përfundimtare për kandidatët e saj për deputetë.

Në arsyetimin e publikuar dje, PZAP vlerësoi se KQZ-ja nuk kishte ofruar bazë ligjore për refuzimin e certifikimit të rezultatit për Listën Serbe. Sipas panelit të gjyqtarëve, vendimi i KQZ-së ishte i mangët, i paplotë dhe nuk trajtonte çështjet thelbësore, as faktet vendimtare që lidhen me përmbushjen e kushteve ligjore për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

“Vendimi i KQZ-së nuk përmban arsyetim të mirëfilltë ligjor dhe nuk ofron vlerësim të duhur të fakteve në raport me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregulloren nr. 13/2024 për rezultatet zgjedhore”, thuhet në vendimin e PZAP-së të publikuar dje.

Në bazë të këtij vlerësimi, PZAP-ja vendosi ta ndryshojë vendimin e KQZ-së dhe të shpallë rezultatin përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj, duke theksuar se ky vendim garanton respektimin e procedurave ligjore dhe një proces të drejtë dhe të barabartë për subjektin politik që, sipas PZAP-së, ka përmbushur kushtet ligjore.

Vendimi i djeshëm i PZAP-së vjen pas reagimeve të forta ndërkombëtare që u nxitën nga moscertifikimi i Listës Serbe. Pas reagimit të Shteteve të Bashkuara një ditë më herët, edhe Bashkimi Evropian dhe organizata ndërkombëtare si OSBE-ja shprehën shqetësim lidhur me këtë çështje.

Po gjatë ditës së djeshme, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, shprehu pakënaqësi ndaj vendimit të PZAP-së, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “60 minuta” në KTV.

Ndërkohë, PZAP-ja refuzoi dje gjithsej gjashtë ankesa të tjera, përfshirë ankesën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, që kishte të bënte me rreth 23 mijë pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë, si dhe ankesat e tri subjekteve politike të komuniteteve joshumicë: NDS, PAI-PDAK-LPB dhe Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës.

Pas vendimeve të djeshme të PZAP-së, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme. Vetëm në rast se edhe Supremja i refuzon këto ankesa, do të hapet rruga për certifikimin përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Lajme të sponsorizuara

23 tetor10:52

Cakolli: Çdo ndryshim i Ligjit për Specialen rrezikon të përfundojë në Dhomën Kushtetuese në Hagë Hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka paralajmëruar se çdo ndryshim i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të kontestohet dhe të përfundojë në shqyrtim nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Cakolli ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes ligjin e kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se ndryshimet eventuale duhet të kufizohen në çështjet e evidentuara dhe të bëhen në përputhje me rregullat parlamentare. Ai ka shpjeguar se Komisioni për Legjislacion ka afat prej katër javësh për ta shqyrtuar vendimin e presidentes dhe për t’ia paraqitur Kuvendit një raport me rekomandime për hapat e mëtejshëm. “Menjëherë pasi presidentja e ka dërguar shkresën përkatëse dhe vendimin për ta kthyer ligjin, çështja i rikthehet vendimmarrjes së Kuvendit të Kosovës, por brenda një afati dhe me një shumicë të ndryshme nga ajo paraprake”, ka thënë Cakolli. Sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duhet t’ua përcjellë vendimin deputetëve dhe Komisionit për Legjislacion, i cili duhet ta shqyrtojë arsyetimin e presidentes dhe të vlerësojë nëse janë evidentuar nene problematike apo shkelje të mundshme të procedurave kushtetuese dhe obligimeve ndërkombëtare. Cakolli ka thënë se Komisioni mund të rekomandojë dy rrugë: që Kuvendi ta mbivotojë vendimin e presidentes dhe ta miratojë ligjin në përmbajtjen aktuale, ose që të merren parasysh vërejtjet e saj dhe të bëhen ndryshimet përkatëse. “E para është që të konstatohet se Kuvendi duhet ta mbivotojë veton e presidentes, për çka nevojiten të paktën 61 vota për, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi edhe pa dekret të presidentes, në raport me përmbajtjen aktuale siç e ka pasur në momentin e miratimit. Ose mund të rekomandojë që të merren parasysh vërejtjet e evidentuara nga presidentja dhe të njëjtat të inkorporohen në ligj”, ka deklaruar ai. Ai ka shtuar se, nëse vendoset për ndryshimin e ligjit, procedura duhet të zhvillohet në përputhje me rregullat parlamentare, në mënyrë që të shmangen probleme të tjera juridike kur ligji t’i dërgohet sërish presidentes. Cakolli ka vënë në pikëpyetje edhe arsyetimin e kthimit të ligjit, duke kërkuar që të bëhet e qartë nëse vendimi i presidentes është bazuar në përmbajtjen e tij apo në kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila e kishte sponsorizuar nismën. Ai ka vlerësuar se mënyra se si është vepruar e ka ngritur dilemën nëse Presidenca ka pasur vërejtje për përmbajtjen e ligjit apo vetëm e ka përcjellë kërkesën e partisë sponsorizuese. “Ka qenë jashtëzakonisht e çuditshme, për të mos thënë shkurtpamëse, ajo që ndodhi. Presidenca deklaroi se ligji është tërhequr me kërkesë të një pale, e cila ka qenë njëkohësisht edhe sponsorizuese e ligjit dhe një prej promotoreve kryesore të miratimit urgjent të projektligjit”, ka thënë Cakolli. Ai ka kritikuar gjithashtu PDK-në, duke kujtuar se fillimisht kishte kërkuar miratimin e ligjit me nguti, ndërsa më pas ka kërkuar rishqyrtimin dhe forcimin e disa dispozitave. Sipas Cakollit, ndryshimet e mundshme duhet të shqyrtohen me kujdes, pasi bëhet fjalë për një ligj që prek proceset gjyqësore në Hagë dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës. “Është një situatë e pakuptimtë, për shkak se i njëjti ligj u kërkua të miratohej me nguti, ndërsa tash po thuhet se ka elemente që mund të forcohen. Këto ndryshime është dashur të bëheshin gjatë periudhës përkatëse, për shkak se kemi të bëjmë me një ligj që prek një çështje tepër të rëndësishme, jo vetëm në kuptim të procedurave gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, por edhe të obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka si partnere ndërkombëtare, posaçërisht në raport me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai. Cakolli ka theksuar se presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj, pavarësisht nëse Kuvendi vendos ta mbivotojë vendimin e saj apo ta ndryshojë përmbajtjen e tij. Ai ka paralajmëruar se çdo variant i ligjit mund të kontestohet në Dhomën Kushtetuese të Gjykatës Speciale në Hagë. “Secili variant i ligjit, përkatësisht ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka pasur dhe do ta ketë rrezikun që të kontestohet dhe eventualisht të trajtohet nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale në Hagë. Prandaj, çfarëdo ndryshimi që do të bëhet në këtë ligj, me gjasë do të përfundojë atje, në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë Cakolli. Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, ndryshimet që do të ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën mund të mos kishin efekt praktik, duke e cilësuar këtë si një situatë paradoksale. Cakolli ka theksuar se gjatë katër javëve në vijim do të shihet se si do të procedohet me ligjin dhe cilat do të jenë qëndrimet e partive politike. Presidentja Justina Shiroka-Pula e ka kthyer Ligjin për Dhomat e Specializuara pas kërkesës së PDK-së për rishqyrtimin e tij. Sipas njoftimit të Presidencës, kërkesa lidhej veçanërisht me dispozitat për juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave. Në arsyetimin e saj, sipas Presidencës, Shiroka-Pula ka ritheksuar qëndrimin kundër përpjekjeve për shtrembërimin e së vërtetës historike të Kosovës dhe barazimit të luftës çlirimtare me regjimin që e shtypi vendin. Ndërkaq, PDK-ja ka deklaruar se rishqyrtimi synon plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Partia ka shprehur pritjen që ligji të miratohet sërish pas përfundimit të procesit të rishqyrtimit.

✖
Të fundit
Sanksionet e vendosura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald…