DREJTËSIA DO TË TRIUMFOJË NË HAGË

20 shkurt 2026 | 10:54

Shkruan: Hajdin Abazi

Këto ditë, ashtu si nga fillimi dhe përgjatë viteve nga 4 nëntori 2020, ishin tepër të ngarkuara me emocione dhe frikë për popullin e Kosovës.
Emocionet vijnë nga fakti se drejtuesve kryesor të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës, tashmë më shumë se 5 vite, po mbahen nën aktakuzë ata që janë sinonim i lirisë, i rezistencës kundër robërisë serbe dhe gjenocidit të kryer nga shteti serb, dhe krejt kjo përjetohej si një gjyq ndaj vetë UÇK-së, ndaj luftës sonë të drejtë për liri.
Frika buron nga ato që transmetoheshin në TV gjatë dëshmive të ndryshme, ku kishte dhe raste tepër qesharake dhe të padenja për një gjyq të tillë; këtej droja se gjithçka po mbështetej në burimet nga Serbia, e cila ka akuza të rreme të gatshme për secilin pjesëtarë të UÇK-së; se ishte boshti Serbi-Rusi që po u hakmerrej çlirimtarëve, si dhe të njollosej lufta çlirimtare e popullit shqiptar kundër dhunës ushtarako-policore të Serbisë, të shtrembërohej historia jonë e vërtetë për liri.
Ishte frika se investimi i madh financiar i vendeve të BE-së për gjykatën e Hagës duhej të justifikohej më dënimin gjithsesi të ish-udhëheqësve të UÇK-së; por unë besoj se investimi për këtë gjykatë ishte bërë për të konstatuar drejtësinë e jo me çdo kusht për të dënuar edhe ata që nuk duhet.
Në konceptin tim, drejtësia e vendeve perëndimore dhe e BE-së derivohet nga faktet, e për të qenë të tilla faktet duhet të kenë referencë të saktë, e jo dyshime apo hamendësime.
Unë vet kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe e di se formalisht ka ekzistuar hierarkia i saj, por realisht ajo nuk ka funksionuar vija komanduese ashtu sikurse funksionon në ushtritë e rregullta, sepse ajo ishte ushtri në formim e sipër me vullnetarë.
Tash kur gjithçka ka përfunduar, parashtrimet e prokurorëve, fjala e mbrojtësve dhe e vetë çlirimtarëve që ndodhen si të akuzuar, do të mbetet puna te gjykatësit, te ata që ndajnë drejtësinë.
Me gjithë përpjekjet duket se prokuroria nuk ka arritur të gjejë fakte dhe dëshmitarë që i lidhin drejtpërdrejtë katër udhëheqësit e UÇK-së me ndonjë krim.
Fjala e mbrojtjes ishte e mbështetur dhe nxori dobësi të theksuara, para të cilave askush nuk mund t’i mbyllë sytë, e aq më pak ndonjë gjyqtar me etikë e virtyt.
Realisht, që nga fillimi gjithçka ishte e pabazë dhe mbi themele të gabuara.
Pavarësisht prej kësaj, kur ju kërkua Kosovës të themelonte këtë gjykatë, ishte vetë Thaçi ai që kishte këmbëngulur që të bëhej ajo, sepse duhej hequr njollat ndaj luftës sonë të drejtë për liri. Është rast njëmend sui generis, që tregon besimin e plotë te drejtësia e vendeve perëndimore, e BE-së.
Dhe kur u ngrit aktakuza, nga udhëtimi për në Uashington, ai u kthye që t’i përgjigjej drejtësisë.
Edhe Kadri Veseli, edhe Jakup Krasniqi e edhe Rexhep Selimi iu përgjigjen Hagës as pa tentuar t’i eskivonin
Pse?
Thjesht, sepse e dinin se nuk kishin bërë asnjë krim.
Se kishin vënë jetën e tyre në rrezik për të mbrojtur civilët që po masakroheshin nga policia e ushtria e Serbisë që me program që po kryente terror.
Kushdo që i ka duart e zhytura e ndërgjegjen e vrarë do të bënte çmos që t’i ikte arrestimit e nxjerrjes para drejtësisë.
Këta, çlirimtarët, përkundrazi, iu përgjigjen asaj!
E tash?
Tash gjithçka mbetet në duart e gjykatësve.
Duke qenë se drejtësia në vendet e perëndimit bazohet në ligj dhe jo në korrupsion, rrjedhimi logjik është se verdikti përfundimtar do të jetë i ngjashëm si në rastin e Fatmir Limajt e Ramush Haradinajt. Verdikti do t’i shkarkojë nga akuzat dhe do t’i shpallë të pafajshëm, ashtu si edhe janë.
Pse?
Sepse nuk mund të dënohet lufta e drejtë e një populli kundër një shteti që i kishte nisur katër luftëra dhe për t’ia ndaluar agresionin u dashtë edhe intervenimi i vendeve Euro-Atlantike përmes NATO-s;
Sepse vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës janë po ato vlera mbi të cilat ngrihet godina e lirisë dhe e demokracisë së vendeve perëndimore e para së gjithash të Bashkimit Evropian;
Sepse nëse dënohen çlirimtarët, kush do të mund t’u dilte popujve të shtypur në mbrojtje ose kush do të organizonte rezistencën e vendit nga një invadues i jashtëm nëse pas luftës do të akuzohej për “ndërmarrje të organizuar kriminale”? Dhe në këtë kontekst, shtrohet pyetja se a do të akuzohet edhe Zelenski për krime lufte në rezistencën e Ukrainës kundër invadimit të Rusisë?
Të dënohen pa asnjë fakt ata që udhëheqin një luftë çlirimtare dhe për liri do të ishte një gabim i madh historik, ashtu sikurse ishte dënimi i Sokratit nga gjyqi i Athinës, e cila dënoi atë që ishte simbol i lirisë por që tregoi se shkëlqimi i saj politik po shuhej në histori.
Të gjitha këto, më çojnë në përfundimin logjik se dënimi i padrejtë nuk do të ndodhë.
Përkundrazi, se do të bëhet verdikti i drejtë dhe çlirimtarët e Kosovës do të shpallen të pafajshëm ashtu si edhe janë dhe do të lirohen.
Unë vetëm këtë e besoj: ndonëse politika qëndron pas themelimit të kësaj gjykate, në verdiktin final nuk do të ketë politikë, po drejtësi!
Dhe kjo do të ndodhë: çdo gjë tjetër është rrëmihje e vlerave të perëndimit.
Prandaj, pa më të voglën mëdyshje, kam bindjen se në fund do të veprojë drejtësia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur indinjatën e saj…