Mbledhja e përbashkët e qeverive dhe hekurudha ‘kuqezi’ në fokus të takimit mes Spiropalit dhe Kurtit
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali është deklaruar për takimin që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Përmes një postimi në “Facebook”, këtë takim ajo e ka quajtur përmbajtjesor, teksa ka shtuar se Kurtin e ka uruar për rezultatin zgjedhor dhe për konstituimin e institucioneve të reja.
“Në një kohë kur rajoni dhe Europa përballen me pasiguri, fakti që Kosova formoi në kohë Kuvendin dhe qeverinë është shenjë stabiliteti dhe maturie institucionale. Stabiliteti nuk është luks. Është kusht për vendimmarrje të qartë – në proceset e brendshme, në dialog dhe në rrugën e integrimit”, ka shkruar Spiropali.
Sa i përket planit dypalësh, Spiropali ka thënë se me Kurtin kanë folur për projekte që nuk janë simbolike, por transformuese: hekurudha kuq e zi, korridoret energjetike, thellimi i bashkëpunimit në arsim, kulturë, siguri, diplomaci dhe në çdo fushë me interes të përbashkët.
Sipas saj, mbledhja e përbashkët e qeverive Rama-Kurti, me projekte konkrete, me afate dhe me përgjegjësi të qarta, është hapi i radhës i bashkëpunimit.
“Shqipëria do të qëndrojë përkrah Kosovës jo vetëm me solidaritet, por me angazhim të përditshëm dhe vizion afatgjatë. Sepse zëri ynë është më i fortë kur është i përbashkët”, ka shkruar ajo.



