Agim Rexhepi dorëzon në ASHAK Platformën Politike 100-Vjeçare 2026-2126

09 qershor 2026 | 09:58

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), akademiken Justina Shiroka-Pula, ku ka dorëzuar zyrtarisht Platformën Politike 100-Vjeçare 2026 – 2126.

Sipas Rexhepit, platforma synon të nxisë debat dhe planifikim afatgjatë për të ardhmen e kombit shqiptar, duke u mbështetur në vlerat perëndimore, zhvillimin ekonomik, arsimin, diplomacinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Gjatë takimit, ai prezantoi edhe projektin e tij edukativ, i cili po zbatohet në shkolla të ndryshme të Kosovës përmes ligjëratave me nxënës dhe mësimdhënës. Projekti bazohet në Platformën Publike 1-Vjeçare për Orientimin Properëndimor dhe Miqësinë Kosovë–SHBA, me fokus edukimin e të rinjve mbi demokracinë, qytetarinë aktive dhe partneritetet strategjike.

Postimi i plotë i tij:

Miq të nderuar,

Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju informoj se pak më parë zhvillova një takim shumë konstruktiv, miqësor dhe përmbajtësor me Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), Akademiken e nderuar znj. Justina Shiroka-Pula.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte dorëzimi zyrtar i Platformës Politike 100-Vjeçare 2026–2126, të cilën e kam bërë publike në fillim të këtij viti, si një dokument vizionar që synon të nxisë debat, reflektim dhe planifikim afatgjatë për të ardhmen e kombit tonë.

Parimi themelor i kësaj platforme mbështetet në bindjen se shqiptarët janë një komb me identitet të fortë europian dhe perëndimor, një popull që historikisht është dëshmuar si aleat besnik i vlerave të lirisë, demokracisë dhe qytetërimit perëndimor. Në të njëjtën kohë, historia jonë dëshmon se gjatë shekujve kemi qenë të ekspozuar ndaj persekutimeve të shumta, grabitjeve territoriale, shtrembërimeve historike, përvetësimit të trashëgimisë sonë kulturore dhe fetare, si dhe zhdukjes apo falsifikimit të shumë dëshmive që lidhen me vazhdimësinë tonë historike nga lashtësia deri në ditët e sotme.

Megjithatë, platforma jonë nuk mbështetet mbi logjikën e konfliktit, hakmarrjes apo konfrontimit. Përkundrazi, ajo mbështetet mbi bindjen se rruga më e sigurt drejt suksesit kombëtar është mençuria politike, diplomacia afatgjatë, zhvillimi ekonomik, fuqizimi i arsimit, mbrojtja e identitetit kombëtar dhe kultivimi i miqësive strategjike me shtetet dhe kombet që ndajnë të njëjtat vlera me ne.

Gjatë takimit pata kënaqësinë ta informoj Kryetaren e ASHAK-ut edhe për rëndësinë e projektit tim edukativ, i cili tashmë është shtrirë në shumë shkolla të Kosovës përmes ligjëratave me nxënës dhe profesorë të shkollave të mesme dhe të ciklit të lartë të shkollave fillore. Këto aktivitete bazohen në Platformën Publike 1-Vjeçare për Orientimin Properëndimor dhe Miqësinë Kosovë–SHBA, me qëllim të edukimit të brezave të rinj mbi rëndësinë e demokracisë, partneritetit ndërkombëtar, qytetarisë aktive dhe rolit historik të aleancave strategjike për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Një ndër synimet kryesore të këtij takimi ishte gjithashtu promovimi i idesë për krijimin e një strategjie nacionale 100-vjeçare në nivel kombëtar, e cila do t’i tejkalonte ciklet e zakonshme politike dhe do të krijonte një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin, sigurinë, arsimin, kulturën dhe afirmimin ndërkombëtar të kombit shqiptar në shekullin e ardhshëm.

Në fund të takimit, pata kënaqësinë që znj. Justina Shiroka-Pula t’i dorëzoj një sasi të konsiderueshme materialesh informative, përfshirë kartolina tematike, postera dhe libra, të cilat pasqyrojnë aktivitetin dhe misionin tonë në shërbim të orientimit properëndimor, ruajtjes së miqësisë së përhershme Kosovë–SHBA dhe promovimit të vlerave demokratike.

Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për pritjen, gatishmërinë për dialog dhe përkushtimin institucional të Kryetares së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kosova ka nevojë për vizion afatgjatë, unitet kombëtar, dije, diplomaci dhe partneritete të forta ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të dinjitetshme për brezat që do të vijnë.

Me respekt,
Agim Rexhepi Kryetar i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Ministrinë…