Kjo kandidate surprizon në komunën e saj, lë pas edhe liderin e partisë
10 qershor 2026
| 15:05
Në komunën e Kaçanikut, pasi janë numëruar mbi 90% e votave, rezulton se kandidatja për deputete nga ky qytet, Kosovare Murseli, ka marrë më shumë vota se kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Murseli, e cila garoi me numrin 25 në listën zgjedhore të PDK-së, deri më tani ka grumbulluar 3.363 vota, ndërsa Hamza 3.016 vota. Në Kaçanik kanë mbetur ende për t’u numëruar edhe tri kuti votimi.
Në nivel vendi, Kosovare Murseli deri tani ka siguruar 12.413 vota, ndërsa janë numëruar mbi 63% e votave totale. Ajo renditet në vendin e 21-të në listën fituese të PDK-së, pozitë që aktualisht i siguron një ulëse në Kuvendin e Kosovës. Sipas projeksioneve të deritanishme, PDK pritet t’i ketë 24 ulëse në Kuvendin e Kosovës.




