Ish-ministri britanik: Nuk ka asnjë dëshmi bindëse që mund ta dënojnë Thaçin
Ish-ministri britanik Denis MacShane, i cili ka shërbyer në qeverinë e kryeministrit Tony Blair, javën e kaluar ka marrë pjesë në konferencën “Urat e Kujtimit”, të organizuar nga “Liria ka Emër” dhe KIPRED-i.
Me këtë rast, MacShane është fokusuar edhe në gjykimin e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale. Ai e ka quajtur Thaçin një nga arkitektët më të suksesshëm të komunikimit politik të kohës së luftës, i cili ka arritur t’i bindë mediat ndërkombëtare dhe madje edhe sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që të refuzonin propagandën shumë më të sofistikuar dhe më të financuar të regjimit serb.
Megjithatë, ai ka thënë se Thaçi ka vendosur “vullnetarisht të dorëzohet para Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor të vitit 2020”.
Ish-ministri MacShane, i cili ka pasur edhe karrierë si gazetar dhe autor librash, ka akuzuar disa qarqe perëndimore për zhvillimet në Hagë. “Shpresa naive e disa qarqeve perëndimore se udhëheqësit kosovarë mund të viheshin në të njëjtin plan moral e juridik me skuadrat vdekjeprurëse të regjimit të Millosheviqit ka rezultuar një rrugë pa dalje”, ka thënë ai.
Por, përkundër meritave të Thaçit, MacShane ka pohuar se “që prej asaj kohe ai vazhdon të mbahet në paraburgim. Deri më sot nuk është paraqitur asnjë dëshmi bindëse apo dëshmi e besueshme që do të mund të çonte në dënimin e tij”.
Denis MacShane e ka përfunduar fjalën e tij duke shtuar se “megjithatë, aq shumë është investuar në idenë se gjykatat ndërkombëtare, gjyqtarët, prokurorët dhe procedurat ligjore mund të sjellin mbyllje plagësh, pajtim dhe harmoni pas konflikteve të përgjakshme, saqë askush nuk duket i gatshëm të pranojë një të vërtetë të pakëndshme: Kosova rrezikon të mbetet një shtet i cunguar, për aq kohë sa Bashkimi Evropian vazhdon të tolerojë fiksionin se njohja e saj e plotë si shtet nuk është e domosdoshme”.




