Afaristi Ramush Ahmetaj nderohet me titullin “Lekë Dukagjini” nga Komuna e Pejës
Në kuadër të aktiviteteve zyrtare për shënimin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Pejës, Kuvendi Komunal i Pejës ka nderuar afaristin Ramush Smajl Ahmetaj (vetaran invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), me titullin e lartë “Lekë Dukagjini”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij patriotik, shoqëror dhe ekonomik.
Sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Pejës, ky titull i është ndarë Ahmetajt për angazhimin e tij si luftëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin e qytetit të Pejës pas luftës.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Ramush Ahmetaj ka dhënë kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirimin e vendit dhe të qytetit të Pejës, ndërsa pas luftës ka vazhduar angazhimin e tij në institucionet e sigurisë dhe në zhvillimin ekonomik të qytetit përmes veprimtarisë biznesore dhe hapjes së vendeve të punës.

Vendimi për ndarjen e titullit “Lekë Dukagjini” është miratuar nga Kuvendi Komunal i Pejës në mbledhjen e mbajtur më 29 maj 2026, ndërsa ceremonia e ndarjes së mirënjohjes është zhvilluar më 16 qershor 2026.
Ky vlerësim konsiderohet një mirënjohje institucionale për kontributin shumëvjeçar të Ramush Ahmetajt në shërbim të lirisë, sigurisë dhe zhvillimit të vendit.



