E drejta e veteranëve të UÇK-së për dy pensione, Miftaraj: Qeveria po vazhdon të mos zbatojë plotësisht aktgjykimet
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka bërë me dije se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme për njohjen e të drejtës për dy pensione veteranëve të luftës së UÇK-së nuk është praktikë e re gjyqësore.
Ai ka bërë me dije se Gjykata Supreme e ka vendosur këtë praktikë që nga viti 2021.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se IKD ka fituar qindra raste në favor të pensionistëve dhe veteranëve gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025.
“Media të dashtuna nuk është fakt i ri lajmi se Gjykata Supreme ua njeh të drejtën për dy pensione veteranëve të luftës dhe të kategorive të dala nga lufta (p.sh. invalidë, viktima civile, etj.). Vetëm në vitet 2023, 2024 dhe 2025, IKD i ka fituar qindra raste të tilla. Krejt këto raste janë përfaqësuar falas nga juristët e IKD për pensionistët, kategoritë e lartpërmendura dhe veteranët e luftës. Gjykata Supreme këtë praktikë e ka vendos në vitin 2021, pesë vite më herët”, ka shkruar Miftaraj.
Ai e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për moszbatimin të këtyre aktgjykimeve.
“Lajm është se edhe pse janë me mijëra raste të fituara, departamentet e pensioneve, Ministria dhe Qeveria prapë se prapë po ua mohojnë njohjen e dy pensioneve qindra e mijëra përfituesve nga kjo e drejtë. Me fjalë tjera, departamentet e pensioneve po ua njohin të drejtën veç sa i përket retroaktivitetit duke ua alokuar mjetet sipas aktgjykimeve të gjykatës, por s’po vazhdojnë me zbatimin e plotë të aktgjykimit duke ua njohur në praktikë dy pensionet”, ka deklaruar ai.



