Gjenerali Hisen Berisha: Samiti i Ankarasë pritet të shënojë fillimin e një faze të re në evolucionin e NATO-s

07 korrik 2026 | 22:42

Gjenerali Hisen Berisha ka vlerësuar se Samiti i NATO-s, i cili mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, përfaqëson një pikë kthese në transformimin strategjik të Aleancës, duke e cilësuar atë si fillimin e një faze të re në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.

Në një intervistë për Top Channel, Berisha tha se samiti zhvillohet në një kohë kur rendi ndërkombëtar po ndryshon rrënjësisht, për shkak të luftës në Ukrainë, tensioneve në Lindjen e Mesme, sfidave në Indo-Paqësor dhe rritjes së kërcënimeve hibride e kibernetike.

Sipas tij, fokusi i NATO-s nuk është më vetëm menaxhimi i krizave, por forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e kapaciteteve ushtarake dhe ndërtimi i një industrie të fuqishme të mbrojtjes.

Berisha theksoi se pas vendimit të Samitit të Hagës në vitin 2025 për rritjen graduale të investimeve në mbrojtje deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, diskutimet në Ankara do të përqendrohen te mënyra se si këto investime do të shndërrohen në aftësi reale ushtarake.

Ai nënvizoi se NATO po kërkon zhvillimin e sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore dhe raketore, inteligjencës artificiale, mbrojtjes kibernetike, teknologjive hapësinore dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.

Gjenerali Berisha veçoi edhe rëndësinë e Forumit të Industrisë së Mbrojtjes (NSDIF26), duke theksuar se lufta në Ukrainë ka dëshmuar se fuqia ushtarake nuk mund të qëndrojë pa një industri të aftë të prodhojë armë, municione dhe teknologji moderne në ritme të larta.

Ai shtoi se mbështetja për Ukrainën mbetet një nga shtyllat kryesore të strategjisë së Aleancës, ndërsa Samiti pritet të riafirmojë angazhimin ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe unitetin transatlantik.

Sipas Berishës, po konsolidohet edhe koncepti i ashtuquajtur “NATO 3.0”, i cili nënkupton një shpërndarje më të balancuar të përgjegjësive mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë në aspektin financiar, industrial dhe operacional.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ai tha se rajoni mbetet pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë euroatlantike, ndërsa për Kosovën prania e KFOR-it vazhdon të jetë garancia kryesore për stabilitetin.

Në përfundim, Berisha vlerësoi se Samiti i Ankarasë do të institucionalizojë modelin e ri strategjik të NATO-s, të mbështetur në investime më të mëdha në mbrojtje, zhvillimin e industrisë ushtarake, mbështetjen afatgjatë për Ukrainën dhe forcimin e reziliencës ndaj kërcënimeve të reja strategjike.

Postimi i plotë i Berishës:

Konsolidimi i arkitekturës së re të sigurisë euroatlantike në një mjedis strategjik në transformim

(TopChannel – Intervistë me Gjeneralin Hisen Berisha – e transkriptuar)

Samiti i NATO-s, që zhvillohet më 7–8 korrik 2026 në Ankara, përfaqëson më shumë sesa një takim periodik të krerëve të shteteve dhe qeverive të Aleancës. Ai shënon një moment kyç në evolucionin strategjik të NATO-s, në një periudhë kur rendi ndërkombëtar po kalon nga një sistem relativisht i qëndrueshëm pas Luftës së Ftohtë drejt një mjedisi shumëpolar, të karakterizuar nga rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha, rikthimi i kërcënimeve konvencionale dhe zgjerimi i dimensioneve hibride të sigurisë.

Në këtë kontekst, Ankara nuk është thjesht vendi ku do të miratohen vendime të rëndësishme politike, por platforma ku Aleanca synon të institucionalizojë transformimin e saj strategjik.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, tensionet në Lindjen e Mesme, sfidat në Indo-Paqësor, përshpejtimi i zhvillimeve teknologjike dhe dobësitë e sistemit global të furnizimit kanë krijuar një realitet të ri sigurie, i cili kërkon jo vetëm rritje të kapaciteteve ushtarake, por edhe rikonceptim të modelit të mbrojtjes kolektive. Ndryshe nga samitet e dekadës së kaluar, ku fokusi ishte menaxhimi i krizave dhe operacionet jashtë territorit të Aleancës, Samiti i Ankarasë konfirmon kalimin drejt një faze të re strategjike, ku prioritetet kryesore janë parandalimi, mbrojtja kolektive dhe ndërtimi i kapaciteteve ushtarake përballë kërcënimeve afatgjata.

Në këtë kuptim, Samiti i Ankarasë duhet të lexohet si vazhdimësi e një procesi transformues që nisi me Samitin e Uellsit në vitin 2014. Aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia shënoi fundin e perceptimit se Evropa kishte hyrë në një epokë të sigurisë së qëndrueshme. Vendimi për investimin e të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, ku të paktën 20% e këtyre fondeve do të dedikoheshin për modernizimin e forcave të armatosura dhe kërkim-zhvillimin, përfaqësoi reagimin e parë institucional të NATO-s ndaj rikthimit të kërcënimit shtetëror.

Samiti i Vilniusit në vitin 2023 e thelloi këtë ndryshim, duke e konsideruar objektivin prej 2% jo më si aspiratë politike, por si prag minimal të besueshmërisë strategjike.
Ndërsa Samiti i Hagës në vitin 2025 shënoi një pikë kthese historike, me vendimin për të investuar deri në 5% të PBB-së në mbrojtje deri në vitin 2035.
Nga kjo shumë, të paktën 3.5% do të dedikohen për kërkesat bazë ushtarake dhe objektivat e kapaciteteve të NATO-s, ndërsa deri në 1.5% për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kibernetike, qëndrueshmërinë civile, inovacionin dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes.
Ky vendim nuk përfaqëson thjesht një rritje numerike të buxheteve ushtarake, por reflektimin e një paradigme të re sigurie, ku parandalimi afatgjatë kërkon një bazë industriale, teknologjike dhe financiare shumë më të fuqishme sesa ajo e dekadës së kaluar.

Pikërisht për këtë arsye, diskutimi në Ankara nuk fokusohet vetëm mbi nivelin e investimeve, por mbi cilësinë strategjike të tyre.
Sipas të dhënave të NATO-s, vetëm gjatë vitit 2025 aleatët evropianë dhe Kanadaja rritën investimet bazë në mbrojtje me rreth 139 miliardë dollarë amerikanë në vlerë nominale, ose afro 20% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Gjatë dekadës së fundit, shpenzimet kolektive janë rritur nga 1.4% e PBB-së së përbashkët në vitin 2014 në rreth 2.3% në vitin 2025, duke tejkaluar 571 miliardë dollarë.

Megjithatë, theksi në Ankara nuk vihet vetëm te rritja e buxheteve, por te mënyra sesi këto investime përkthehen në aftësi reale ushtarake.
NATO kërkon që fondet shtesë të shndërrohen në kapacitete konkrete operacionale, si sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe raketore, municione strategjike, inteligjencë artificiale, mbrojtje kibernetike, teknologji hapësinore dhe rritje të gatishmërisë ushtarake.
Kjo qasje reflekton kalimin nga koncepti tradicional i “burimeve financiare” drejt konceptit të “reziliencës strategjike”, ku fuqia e Aleancës matet me aftësinë për të prodhuar, furnizuar dhe mbështetur operacione të zgjatura në një konflikt me intensitet të lartë.

Në këtë logjikë duhet parë edhe organizimi paralel i Forumit të Industrisë së Mbrojtjes (NSDIF26), i cili nuk është një aktivitet dytësor, por pjesë integrale e arkitekturës së re të NATO-s.
Lufta në Ukrainë demonstroi se edhe ushtritë më të fuqishme nuk mund të përballojnë konflikte të gjata pa një industri të aftë të prodhojë armë, municione, sisteme elektronike dhe teknologji të avancuara në shkallë të gjerë dhe me ritme të përshpejtuara.
Për këtë arsye, industria e mbrojtjes po trajtohet si komponent i sigurisë kolektive dhe jo më vetëm si sektor ekonomik.
Qëllimi i NSDIF26 është forcimi i sistemit të furnizimit, rritja e prodhimit të përbashkët, bashkëpunimi industrial dhe krijimi i një baze të qëndrueshme prodhuese që garanton aftësinë parandaluese të Aleancës.
Motoja e forumit e sintetizon qartë filozofinë, “nuk mund të ketë mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes.”

Mbështetja për Ukrainën mbetet elementi qendror i arkitekturës strategjike të Aleancës. Dokumentet përgatitore të samitit riafirmojnë se siguria e Ukrainës është e pandashme nga siguria euroatlantike dhe se ndihma ushtarake nuk duhet të shihet si reagim afatshkurtër ndaj krizës, por si investim në stabilitetin strategjik të Evropës.
Draft-deklarata e samitit parashikon rreth 70 miliardë euro mbështetje shtesë për Ukrainën dhe synimin për të ruajtur të paktën të njëjtin nivel ndihme edhe gjatë vitit 2027. Mbështetja shtesë financiare dhe ushtarake synon të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm asistence që redukton pasigurinë politike dhe rrit aftësinë mbrojtëse të Ukrainës në afat të gjatë.

Njëkohësisht, Samiti i Ankarasë pritet të rikonfirmojë angazhimin e palëkundur ndaj Nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, duke riafirmuar se mbrojtja kolektive “sipas të cilit sulmi ndaj një aleati konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës”, mbetet themeli politik dhe ushtarak i Aleancës.
Kjo merr një rëndësi të veçantë në një periudhë ku debati transatlantik është përqendruar te ndarja e barrës së mbrojtjes dhe roli i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara në sigurinë evropiane.
Administrata amerikane ka kërkuar vazhdimisht rritjen e kontributit financiar të vendeve evropiane dhe ka sinjalizuar reduktimin gradual të disa kapaciteteve ushtarake amerikane të vendosura në Evropë.

Në këtë kontekst po konsolidohet gradualisht koncepti i ashtuquajtur “NATO 3.0”, i cili nënkupton kalimin nga një model ku SHBA mbante barrën dominuese të mbrojtjes së Evropës, drejt një arkitekture më të balancuar, ku aleatët evropianë marrin përgjegjësi shumë më të mëdha financiare, industriale dhe operacionale.
Ky transformim nuk synon zëvendësimin e partneritetit transatlantik, por forcimin e tij përmes një shpërndarjeje më të drejtë të përgjegjësive strategjike. NATO 3.0, përfaqëson fazën aktuale të transformimit të Aleancës dhe një kornizë analitike që shpjegon evolucionin e saj pas vitit 2022.

Përtej Ukrainës, samiti trajton një spektër më të gjerë sfidash që karakterizojnë mjedisin bashkëkohor të sigurisë.
Tensionet në Lindjen e Mesme, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në operacionet ushtarake, janë tashmë pjesë e pandashme e planifikimit strategjik të Aleancës. Deklarata përfundimtare përcakton Rusinë si kërcënimin kryesor afatgjatë ndaj sigurisë euroatlantike dhe rithekson qëndrimin se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.
Kjo tregon se NATO nuk po përgatitet vetëm për luftërat e së kaluarës, por për një gamë të re konfliktesh ku kufijtë ndërmjet dimensionit ushtarak, teknologjik, ekonomik dhe informativ bëhen gjithnjë e më të paqartë.

Në këtë kuadër duhet analizuar edhe Ballkani Perëndimor. Megjithëse rajoni nuk përbën temën dominuese të Samitit të Ankarasë, ai vazhdon të konsiderohet pjesë e arkitekturës së sigurisë euroatlantike.
Objektivi strategjik i NATOs mbetet parandalimi i çdo destabilizimi që mund të krijojë hapësirë për ndërhyrje të aktorëve të tretë për të krijuar kriza, apo të shpërqendrojë Aleancën nga prioritetet e saj kryesore strategjike.

Për Shqipërinë, ky transformim nënkupton përgjegjësi të reja si aleate e konsoliduar. Përveç përmbushjes graduale të objektivave të investimeve në mbrojtje, vendi duhet të përshpejtojë modernizimin e forcave të armatosura, zhvillimin e kapaciteteve pritëse për forcat aleate, forcimin e industrisë mbështetëse dhe rritjen e interoperabilitetit me strukturat e NATOs.
Rritja e investimeve do të përkthehet gjithashtu në zhvillimin e bazave ushtarake, përmirësimin e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor.
Pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë në krahun juglindor të Aleancës e bën atë një element gjithnjë e më të rëndësishëm në arkitekturën rajonale të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, mbetet në fuqi perspektiva që Tirana të organizojë Samitin e NATO-s në vitin 2027.

Po ashtu, për Kosovën, edhe pse nuk është anëtare e NATO-s, implikimet strategjike janë po aq të rëndësishme. Prania e KFOR-it mbetet garancia themelore e stabilitetit, ndërsa interesi i Aleancës është që Ballkani Perëndimor të mos shndërrohet në një teatër të ri krizash që do të cenonte kohezionin strategjik euroatlantik. Në këtë kuptim, stabiliteti në Kosovë nuk trajtohet vetëm si çështje rajonale, por si komponent i arkitekturës më të gjerë të sigurisë evropiane.
Kjo përkthehet në vazhdimin e pranisë së KFOR-it, mbështetjen për stabilitetin institucional dhe inkurajimin e dialogut si mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në përfundim, Samiti i NATO-s në Ankara duhet të interpretohet si momenti kur Aleanca po institucionalizon kalimin drejt një modeli të ri strategjik të mbrojtjes. Investimet më të larta, forcimi i industrisë së mbrojtjes, mbështetja afatgjatë për Ukrainën, rritja e reziliencës ndaj kërcënimeve hibride dhe konsolidimi i partneritetit transatlantik nuk janë objektiva të ndara, por elemente të së njëjtës strategji.
Në një mjedis ndërkombëtar ku konkurrenca gjeopolitike po intensifikohet dhe pasiguria po bëhet karakteristikë strukturore e sistemit ndërkombëtar, Samiti i Ankarasë pritet të shënojë fillimin e një faze të re në evolucionin e NATO-s, me pasoja afatgjata për sigurinë euroatlantike dhe për rendin ndërkombëtar në tërësi. Mesazhi politik që pritet të dalë nga Ankara është i qartë për një NATO më e fortë ushtarakisht, me investime më të mëdha, industri më të zhvilluar të mbrojtjes, mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën dhe unitet të palëkundur përballë kërcënimeve strategjike.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daut Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke…