Pesë ditë pas takimit, asgjë të re nga VV dhe LDK

23 gusht 2026 | 22:25

Pesë ditë kanë kaluar pa asnjë zhvillim të ri nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për çështjen e presidentit.

Krerët e dy partive patën zhvilluar takim mbi tri orësh, të cilin para mediave e përshkruan si serioz dhe me “bisedime të thella e të gjera.”

Pas takimit, ata u shprehën se bisedimet kishin nisur dhe se takimi i ardhshëm do të vinte me emra konkretë.

Albin Kurti u tregua i rezervuar para gazetarëve në pyetjen se çka ishte prodhuar.

“Tash jemi në bisedimet me serioze me LDK-në…kaq mund të them tash,” tha Kurti.

Lumir Abdixhiku tha se diskutimi ishte zhvilluar në frymën e vullnetit të mirë dhe kishte sjellë më shumë qartësi.

“Këtu diskutuam në vullnet të mirë për kriteret dhe profilin potencial për president”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, palët janë pajtuar se presidenti duhet të mbrojë Republikën dhe të kontribuojë në unitetin politik.

“Kriteret janë të qarta, një presidente që e do dhe mbron Republikën,” tha Abdixhiku.

“Dhe një figurë që shtron unitetin politik sipas Kushtetutës”, vazhdoi ai.

Ai theksoi se LDK-ja nuk dëshiron një figurë politikisht të parëndësishme.

“Nuk duam presidentë të parëndësishëm”, tha kryetari i LDK-së.

Abdixhiku thoshte se emrat do të diskutohen në takimin pasues, pas konsultimeve të brendshme.

“U dakorduam të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm.”

“Meqenëse për emrat na duhen konsultime të brendshme”, tha ai.

Megjithatë, Abdixhiku mohoi se ekziston marrëveshje politike ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.

“Nuk ka marrëveshje LDK-VV, ajo çështje ka mbaruar”, tha ai.

“Ajo çka është e rëndësishme është që ka vullnet për zgjidhje”, shtoi Abdixhiku.

Por pesë ditë pas takimit, mungesa e rezultateve konkrete po ashtu pati nxitur kritika edhe brenda LDK-së.

Deputeti Armend Zemaj kishte komentuar kriteret e Kurtit për presidentin.

“Albin Kurti duke kërkuar një president me vlera, kontribute dhe merita!!!!”

“Qysh po i bie kjo tash, derisa vendi po mbahet pa institucione funksionale dhe në mospërputhje me Kushtetutën.”

“Një president i tillë, në fakt, nuk do ta lejonte një Albin të tillë,“ ka shkruar Zemaj.

Më kritik është shprehur deputeti Arben Gashi, duke ironizuar pritjet e krijuara nga takimet.

“Populli thotë: ‘U mbars mali, polli ni mi.’”

“Shumë zhurmë, shumë premtime, shumë pritje e në fund, asgja.”

“Kjo asht ajo që ndodh kur propaganda e zëvendëson punën, e pushteti madhështinë e premtimeve.”, ka shkruar Gashi.

Deputeti Avdullah Hoti deklaroi se procesi i themelimit të institucioneve tashmë ndodhet në terren jokushtetues.

“1. Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve.”

“Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet.”

“2. Funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi Kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë,”

“dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri.”

“Vendimet e kësaj qeverie janë qartësisht të kontestueshme. Për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.”

“3. Nga betimi si deputete, ish Kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e Presidentes.”

“Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri”, ka shkruar Hoti.

Ai ia ka atribuuar përgjegjësinë kryesore Kurtit dhe mbështetësve të tij.

“Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë.”

“Vetëm dikush që është kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie”, ka vlerësuar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agim Bahtiri i Vetëvendosjes është nervozuar jo pak me Partinë…