Ministri kroat i Mbrojtjes paralajmëron nga Turqia: Duam të rrisim numrin e ushtarëve tanë në KFOR
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka thënë se Kroacia do të shqyrtojë mundësinë e rritjes së numrit të ushtarëve të saj në misionin e KFOR-it në Kosovë.
Këtë deklaratë Anushiq e ka bërë gjatë qëndrimit në Turqi, ku ka folur për planin e përgjithshëm të NATO-s për zvogëlimin e numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë.
Ai ka thënë se Kroacia synon ta rrisë numrin e ushtarëve në rreth 200, ndërsa ka shtuar se detajet do të bëhen më të qarta pas samitit të NATO-s.
“Për sa di unë, do të ketë një tërheqje të disa ushtarëve nga misioni i KFOR-it në Kosovë. Disa ushtarë do të ridrejtohen në misione të tjera. Kroacia po shqyrton dhe propozon të rrisë numrin e anëtarëve të saj në KFOR në 200 dhe ne planifikojmë ta bëjmë këtë. Gjithçka do të jetë shumë më e qartë pasi të përfundojë samiti nesër dhe të arrihen përfundimet konkrete”, ka thënë Anushiq.
Ai ka theksuar se, pavarësisht reduktimit të përgjithshëm të trupave, Kroacia, si shtet anëtar i NATO-s, synon të rrisë kontributin e saj në këtë mision.
“Informacioni ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por lëvizja është drejt reduktimit të numrit të anëtarëve të KFOR-it nga rreth 5 mijë në rreth 3 mijë e 500 ushtarë, të cilët do të jenë përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Kroacia synon të rrisë numrin e anëtarëve të saj në atë mision, ky është qëllimi ynë”, ka deklaruar ai.
Aktualisht, Kroacia ka të angazhuar në Kosovë 151 ushtarë në kuadër të misionit të KFOR-it.



